spurgeon dev 02 dhjetor pm
Dhjetor 2023

Ja, të gjitha janë gjëra të kota.

Predikuesi 1:14

Asgjë nuk mund ta kënaqë njeriun në tërësinë e tij, përveç dashurisë së Zotit dhe vetë Zotit. Disa janë përpjekur të ankorohen në limane të tjera, por janë dëbuar nga strehime të tilla vdekjeprurëse. Salomoni, njeriu më i mençur, u lejua që të bënte eksperimente për ne të tjerët, dhe të bënte në vendin tonë ato gjëra që nuk duhet të orvatemi t’i bëjmë. Ja ku e kemi dëshminë e tij, me fjalët e tij: “Kështu u bëra i madh dhe u begatova më tepër se ata që kishin qenë para meje në Jerusalem; edhe urtësia më mbeti mua. Tërë ato që sytë e mi dëshironin, nuk ua mohova atyre; nuk i refuzova zemrës sime asnjë qejf, sepse zemra ime kënaqej me çdo punë timen; dhe ky ka qenë shpërblimi për çdo punë të bërë nga unë. 

Pastaj u ktheva të shikoj tërë veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin tim për t’i kryer; dhe, ja, të gjitha ishin kotësi dhe një kërkim për të kapur erën; nuk kishte asnjë përfitim nën diell” (Predikuesi 2:9-11). “Kotësi e kotësive; gjithçka është kotësi” (Predikuesi 1:2). Çfarë!? Gjithçka na qenka kotësi? A nuk vlejtka diçka nga gjithë pasuria e mbretërve? A nuk paska vlerë gjithë ai territor i gjerë që shtrihet nga lumi deri në det? Nuk paska asgjë me vlerë vallë në ato pallate të mrekullueshme? Asgjë me vlerë vallë në pasuritë e pyjeve të Libanit? Po në gjithë muzikën dhe kërcimin, verën dhe luksin tënd, nuk paska asgjë me vlerë? “Asgjë”, thotë ai, “asgjë përveç dhembjes, dhe puna e tij është mundim.” Ky ishte përfundimi i tij pasi kishte eksperimentuar nëpër shtigjet që dukeshin sikur mund t’i falnin kënaqësi. Të përqafosh Zotin Jezus, të prehesh në dashurinë e Tij dhe të jesh plotësisht i sigurt për bashkimin me Të—kjo është gjithçka [që një njeri mund të kërkojë apo të ketë nevojë]. 

Lexues i dashur, nuk ke pse t’i shkelësh këto shtigje kotësie për të parë nëse janë më të mira nga ato të krishterat! Edhe sikur të shkoje deri në fund të dheut, nuk do të gjeje një mik tjetër si Jezusi; edhe sikur mos të të mungonte asnjë rehati e jetës, por ta humbisje Shpëtimtarin tënd, do të ishe njeri i mjerë. Mirëpo, nëse fiton Krishtin, edhe sikur të kalbeshe në një birucë, madje edhe atje do të gjeje paqe. Edhe sikur të jetoje në anonimitet të plotë ose të vdisje nga uria, prapëseprapë, do të ishe i ngopur me favor dhe i mbushur me mirësinë e Zotit.


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/jesus-christ-lamb-god
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>