spurgeon dev 26 maj am
Maj 2023

Hidh mbi Zotin barrën tënde dhe ai do të të mbajë.

Psalmi 55:22

Edhe pse mund të jenë plotësisht legjitime, shqetësimet tona, nëse e tejkalojnë masën, kanë në vetvete natyrën e mëkatit. Jezusi i këshilloi herë pas here ndjekësit e Tij që ta shmangnin shqetësimin e tepërt. Apostujt e përsëritën thirrjen e Tij; dhe ajo është një thirrje që nuk mund të shpërfillet pa shkaktuar shkelje: sepse në vetë thelbin e shqetësimit të tepërt qëndron përfytyrimi që ne jemi më të urtë se Perëndia, duke e vendosur kështu veten tonë në vend të Tij, a thua se ne mund të bëjmë për Të atë që Ai ka marrë përsipër ta bëjë për ne. Ne kemi prirjen të mendojmë për gjëra që, sipas përfytyrimit tonë, Ai i harron; ne mundohemi të marrim mbi vete një barrë të rëndë, sikur Ai të mos ishte i aftë ose i gatshëm që ta mbartte për ne.

Mirëpo, kjo mosbindje ndaj urdhërimit të Tij të shprehur qartë, ky mosbesim ndaj Fjalës së Tij, kjo mendjemadhësi që ndërhyn në sferën e Tij të kompetencave, të gjitha këto janë të mëkatshme. Veç kësaj, shqetësimet e tepërta na shtyjnë shpesh në mëkat. Nëse nuk ia dalim dot që t’i lëmë qetësisht punët tona në duart e Perëndisë, por përpiqemi të mbajmë barrën tonë, ne do të tundohemi të përdorim mjete të gabuara për t’i ardhur në ndihmë vetes. Ky mëkat çon në braktisjen e Perëndisë, si këshilltari ynë, dhe në zgjedhjen e urtësisë njerëzore në vend të Tij. Kjo do të thotë që i drejtohemi sternave të prishura dhe jo burimit, një mëkat ky që rëndonte mbi Izraelin e lashtë.

Shqetësimi i tepërt na bën të dyshojmë në dashamirësinë e Perëndisë, dhe kështu, dashuria jonë për Të ftohet dalëngadalë; pushtohemi nga mosbesimi dhe në këtë mënyrë e trishtojmë Frymën e Perëndisë, kështu lutjet tona pengohen dhe dëshmia jonë e papërlyer njolloset, ndërsa jeta jonë kthehet në një jetë egoiste. Si rrjedhim, një mungesë e tillë besimi në Perëndinë na bën që të largohemi gjithnjë e më tepër prej Tij; Mirëpo, nëse, me një besim prej fëmije në premtimin e Tij, e hedhim çdo barrë që na shtohet mbi Të dhe nuk “shqetësohemi për asgjë” (Filipianëve 4:6), sepse Ai ka marrë përsipër që të merakoset për ne, atëherë, kjo do të na mbajë pranë Tij dhe do të na forcojë që t’u rezistojmë tundimeve. “Mendjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti” (Isaia 26:3).


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>