spurgeon dev 25 maj pm
Maj 2023

Në po atë orë u ngritën dhe u kthyen në Jerusalem... Dhe ata treguan ato që ndodhën udhës dhe si e kishin njohur.

Luka 24:33, 35

Pasi dy dishepujt kishin mbërritur në Emaus dhe po merrnin veten duke ngrënë darkë, i huaji misterioz, i cili i kishte magjepsur aq shumë gjatë rrugës [me fjalët e Tij], mori bukë, e theu, ua zbuloi Veten dhe pastaj u zhduk nga sytë e tyre. E kishin detyruar të qëndronte me ta, sepse dita ishte në të shuar; por tani, megjithëse ishte shumë më vonë, dashuria ishte një llambë në këmbët e tyre; ajo, në të vërtetë, u bë krahë për ta. Ata e harruan errësirën; lodhja e tyre ishte fashitur e gjitha, dhe menjëherë u kthyen pas dhe i përshkuan me një frymë dhjetë kilometrat [deri në Jerusalem], për t’u dhënë të tjerëve lajmin e gëzueshëm se Zoti i ringjallur u ishte shfaqur gjatë rrugës [për në Emaus]. Ata takuan të krishterët në Jerusalem dhe u pritën nga një mori lajmesh të hareshme, përpara se të rrëfenin lajmin e tyre.

Këta të krishterë të parë ishin të gjithë kaq të zjarrtë për të folur për ringjalljen e Krishtit dhe për të shpallur atë që dinin rreth Zotit, saqë i treguan me kënaqësi përvojat e tyre. Sonte, le të prekemi thellë nga shembulli i tyre!

Edhe ne duhet të japim dëshmi rreth Jezusit. Rrëfimi i Gjonit rreth varrit [bosh] duhej të mbështetej edhe nga dëshmia e Pjetrit; dhe së bashku me historinë e Marisë, të gjitha këto u ndërthurën për të na dhënë një dëshmi të plotë, së cilës nuk i mungonte asnjë element i domosdoshëm. Secili prej nesh ka dhunti të veçanta dhe përjetime vetjake; por Perëndia i ka dhënë ato me një qëllim të vetëm: përsosjen e mbarë Trupit të Krishtit. Prandaj, duhet që t’i marrim zotërimet tona frymërore dhe t’i sjellim ato në këmbët e apostujve, që të mund të ndajmë me të tjerët gjithçka që na ka dhënë Perëndia. 

Mos mbani për vete asnjë pjesë të së vërtetës së çmuar, por shpallni gjithçka dini dhe dëshmoni për atë që keni parë! Mos lini as mundin, as errësirën dhe as mosbesimin e mundshëm të miqve tuaj që t’ju pengojnë! Le të ngrihemi dhe të marshojmë drejt vendit të shërbimit, dhe të shpallim atje se çfarë gjërash të mëdha i ka treguar Perëndia shpirtit tonë!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>