spurgeon dev 26 maj pm
Maj 2023

Të qëndrojnë në besim.

Vepra e Apostujve 14:22

Këmbëngulja është shenja dalluese e shenjtorëve të vërtetë. Jeta e krishterë nuk është vetëm një fillim në udhët e Perëndisë, por edhe vazhdimi në të njëjtat udhë, derisa besimtari të japë shpirt. Për të krishterin vlejnë fjalët e thëna dikur nga i madhi Napoleon, i cili tha: “Fitorja më ka bërë atë që jam, dhe fitorja më mban gjallë.” Kështu, pas Perëndisë, i dashur besimtar në Zotin, ngadhënjimi të ka bërë atë që je tani, dhe ai do të të mbajë ashtu si je. Motoja jote duhet të jetë: “Syno për më lart!”. Fitimtari i vetëm i vërtetë që do të kurorëzohet në fund, është ai që vazhdon të luftojë derisa briri i luftës të ketë pushuar së rëni.

Për pasojë, këmbëngulja është shënjestra e të gjithë armiqve tanë frymërorë. 

  • Bota nuk ka asnjë kundërshtim që ti të jesh i krishterë vetëm për njëfarë kohe, nëse mund të të tundojë që ta braktisësh shtegtimin tënd dhe të qëndrosh për t’u marrë me tregti me të në Panairin e Kotësive. 

  • Mishi do të orvatet të të ngrejë kurth dhe të ta presë rrugën drejt lavdisë. “Të qenët shtegtar është punë e lodhshme dhe më bën të pyes veten: A duhet vërtet që ta mohoj gjithmonë veten? A nuk duhet që t’ia plotësoj ndonjëherë dëshirat vetes? A nuk mund të bëj pak pushim në këtë luftë të vazhdueshme?” 

  • Satani do ta sulmojë sa e sa herë këmbënguljen tënde; ajo do të jetë shënjestra e shigjetave të tij. Ai do të orvatet të të pengojë në shërbesë: ai do të të shtyjë të besosh se ke punuar kaq shumë, saqë tani të duhet pak pushim. Ai do të orvatet të të bëjë që ti të lodhesh nga vuajtja; do të të pëshpëritë në vesh: “Mallko Perëndinë dhe vdis!”. Ose përndryshe do të sulmojë qëndrueshmërinë tënde: “Ç’të mirë ke nga të qenët kaq i zellshëm? Rri rehat dhe fli siç bëjnë të tjerët, dhe lëre llambën tënde të shuhet, porsi ato virgjëreshat budallaqe!”. Ose përndryshe do të sulmojë ndjenjat e tua rreth doktrinës: “Përse vazhdon t’u qëndrosh besnik këtyre kredove doktrinore? Njerëzit e zgjuar kanë zënë e po bëhen më liberalë; ata po heqin dorë nga shpalljet e vjetra të besimit: ec edhe ti me hapin e kohës!”.

Prandaj, o i krishterë, mbaje shqytin pranë parzmores sate dhe klithi me të madhe Perëndisë, që të mund të rezistosh deri në fund me anë të Frymës së Tij!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© dritez.al 2023

EtiketaSpurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

>