spurgeon dev 24 maj am
Maj 2023

Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time.

Psalmi 66:20

Nëse e kthejmë shikimin pas duke e drejtuar mbi natyrën e lutjeve tona, po ta bënim me ndershmëri një gjë të tillë, besoj se do të mbeteshim të mahnitur nga fakti që Perëndia vazhdon t’u përgjigjet atyre. Mund të ketë disa që mendojnë se lutjet e tyre e meritojnë të pranohen, ashtu si fariseu [qëmoti]; por i krishteri i vërtetë, i cili i sheh qartë gjërat, duhet të qajë me lot të hidhur për lutjet e tij, dhe nëse do të kishte mundësi të kthehej pas në kohë, do të donte që të ishte lutur me më shumë zell.

Sill ndër mend, o i krishterë, se sa të ftohta kanë qenë lutjet e tua! Në kthinën tënde të lutjes duhet të ishe përleshur siç bëri Jakobi; por ti, përkundrazi, paraqite vetëm disa lutje të dobëta dhe të pakta—pa atë besimin e përulur, të qëndrueshëm e këmbëngulës që thërret: “Nuk do të të lë të shkosh në rast se nuk më bekon më parë.” Mirëpo, sa gjë e mrekullueshme është të dish se, Perëndia jo vetëm që i ka dëgjuar këto lutje të tua të ftohta, por edhe u është përgjigjur atyre!

Reflekto gjithashtu se sa të rralla kanë qenë lutjet e tua, përveç rasteve kur ke qenë në vështirësi, dhe atëherë ke shkuar shpesh përpara fronit të hirit. Mirëpo, me të marrë çlirimin, ku përfunduan përgjërimet e tua këmbëngulëse? Megjithatë, edhe pse nuk po lutesh më siç bëje dikur, Perëndia nuk pushoi së të bekuari. Edhe pse e ke lënë pas dore daljen përpara fronit të hirit, Perëndia nuk e ka braktisur atë, por drita e shndritshme e lavdisë së Tij ka vazhduar të shkëlqejë mes krahëve të kerubimëve. Oh, sa i mrekullueshëm është fakti që Zoti u kushton vëmendje kërkesave tona, edhe pse ia paraqitim me hope sipas nevojave tona të rastit! Çfarë Perëndie është ky që i dëgjon lutjet e atyre që vijnë përpara Tij vetëm kur kanë nevoja urgjente, por që e lënë fare pas dore Atë pasi kanë marrë një mëshirë; të cilët i afrohen vetëm kur janë të detyruar për një gjë të tillë, por që pothuajse harrojnë t’i drejtohen Atij kur mëshirat janë me bollëk dhe kur vuajtjet janë me pakicë!

I prektë zemrat tona mirësia e Tij plot hir, ndërsa i dëgjon lutje të tilla, me qëllim që prej këtej e tutje të jemi “duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lutje dhe përgjërim në Frymë” (Efesianëve 6:18).


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>