spurgeon dev 23 maj pm
Maj 2023

Nuk më ke blerë me para kanellën.

Isaia 43:24

Adhuruesit në tempull e kishin për zakon të sillnin dhurata parfumesh erëmira, për t’i djegur mbi altarin e Perëndisë. Mirëpo, Izraeli, në kohën e largimit të tij nga Zoti, u bë dorështrënguar dhe nuk i paraqiste më si më parë blatime Zotit të tij. Ky ishte një tregues i zemërftohtësisë së tyre ndaj Perëndisë dhe shtëpisë së Tij. 

Lexues, nuk ndodh kurrë kështu me ty vallë? A nuk ekziston vallë mundësia që ankesa e këtij vargu të bëhet edhe kundër teje në mos shpesh në të rrallë? Skamnorët që janë të pasur në besim, do të pranohen, edhe pse dhuratat e tyre mund të jenë të vogla; por ti, lexues i gjorë, a i jep Zotit në përpjesëtim të drejtë me pasurinë tënde, apo i mban monedhat e vejushës larg thesarit të shenjtë? Besimtari i pasur duhet të jetë mirënjohës për pasurinë që i është besuar, por pa e harruar përgjegjësinë e vet të madhe, sepse atyre që u jepet shumë, do t’u kërkohet më shumë.

Mirëpo, lexues i pasur, a je i vetëdijshëm për detyrimet e tua dhe a i jep Zotit në përpjesëtim me të mirat që gëzon? Jezusi dha gjakun e Tij për ne; vallë çfarë mund t’i japim Atij [në këmbim]? Ne jemi të Tijtë, dhe Ai na ka blerë për Vete, atëherë, si mundemi vallë të sillemi sikur t’i përkisnim vetvetes? Ah, sikur të kishim më tepër përkushtim! Ah, sikur të kishim më tepër dashuri! Jezus i bekuar, sa mirë që Ti e pranon kanellën tonë të blerë me para! Asgjë nuk është tepër e kushtueshme në nderim të dashurisë Sate të pashoqe, e megjithatë, Ti pranon me mirësi edhe shenjën më të vogël të dashurisë sonë të sinqertë! Ti i pranon lulet tona “mosmëharro” dhe dhuratat tona të vogla të dashurisë, sikur të ishin në vetvete të vyera sa më s’ka, megjithëse ato mund të krahasohen me një tufë lulesh mali që fëmija ia çon së ëmës.

Mos u bëfshim kurrë dorështrënguar ndaj Teje dhe, që këtej e tutje, mos të dëgjofshim kurrë të ankohesh për ne sërish, se i kemi kursyer dhuratat e dashurisë sonë! Do të të japim frytet e para të prodhimit tonë dhe do të të paguajmë të dhjetën e çdo gjëje, duke rrëfyer se “të kemi kthyer thjesht atë që kemi marrë nga dora jote” (1 Kronikave 29:14).


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>