spurgeon dev 24 maj pm
Maj 2023

Ju veç, silluni denjësisht ndaj ungjillit të Krishtit.

Filipianëve 1:27

Në këtë varg, shqetësimi i apostullit nuk ka të bëjë vetëm me mënyrën tonë të të folurit dhe të biseduarit me njëri tjetrin, por me gjithë mënyrën se si jetojmë dhe sillemi në këtë botë. Fjala greke e përkthyer “silluni”, mbart domethënien e veprimeve dhe privilegjeve të qytetarisë: kështu, ne urdhërohemi që veprimet tona, si qytetarë të Jerusalemit të Ri, të jenë të denja për ungjillin e Krishtit. Atëherë, si duhet të “sillemi”?

  • Në radhë të parë, ungjilli është shumë i thjeshtë. Kështu, edhe të krishterët duhet të jenë të thjeshtë dhe të qartë në mënyrën se si sillen. Zakonet tona, mënyra jonë e të folurit, të veshurit, madje e gjithë sjellja jonë, duhet të karakterizohen nga ajo lloj thjeshtësie që është vetë shpirti i bukurisë.

  • Ungjilli është absolutisht i vërtetë. Ai është ar pa ndryshk; kështu edhe jeta e të krishterit nuk ka as shkëlqim dhe as vlerë pa margaritarin e së vërtetës.

  • Ungjilli është një Ungjill shumë i patrembur; ai e shpall të vërtetën plot guxim, pavarësisht nëse u pëlqen njerëzve ose jo. Ne duhet të jemi sa besnikë, aq edhe të palëkundur.

  • Mirëpo, ungjilli është edhe shumë zemërbutë. Këtë e shohim në Jezusin, [për të cilin thuhet]: “Kallamin e përkulur nuk do ta thyejë” (Mateu 12:20). Disa që shpallin se janë të krishterë, janë më të mprehtë se një gardh ferrash; njerëz të tillë nuk i ngjasojnë Jezusit. Le të përpiqemi t’i fitojmë njerëzit me anë të mirësisë së fjalëve dhe veprave tona!

  • Ungjilli është plot dashuri. Është mesazhi i Perëndisë së dashurisë drejtuar një njerëzimi të humbur e të rënë. Urdhërimi i Krishtit për dishepujt e Tij ishte: “Ta doni njëri-tjetrin.” Ne kemi nevojë për një përbashkësi më të përzemërt e më reale, dhe një dashuri për të gjithë shenjtorët; një dhembshuri plot mirësi për shpirtrat e më të ligjve dhe më të poshtërve!

  • Nuk duhet ta harrojmë se Ungjilli i Krishtit është edhe i shenjtë. Ai nuk e justifikon kurrë mëkatin: e fal atë, por vetëm përmes shlyerjes. Në qoftë se jeta jonë duhet t’i ngjajë Ungjillit, nuk duhet të luftojmë vetëm veset më të neveritshme, por gjithçka që do ta pengonte përputhjen tonë të përkryer me Krishtin.

Për hir të Tij, për hirin tonë dhe për hir të të tjerëve duhet të përpiqemi ditë për ditë, që sjellja jonë të jetë gjithnjë e më shumë në përputhje me Ungjillin e Tij.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>