spurgeon dev 25 maj am
Maj 2023

O Zot, mos më braktis.

Psalmi 38:21

Lutemi shpesh që Perëndia të mos na braktisë në orën e sprovës dhe të tundimit, por po aq shpesh harrojmë se këtë lutje duhet ta përdorim në çdo rast e kohë. Nuk ka asnjë çast në jetën tonë, sado i shenjtë qoftë ai, në të cilin mund të bëjmë pa mbështetjen e Tij të vazhdueshme. Pavarësisht nëse jemi në dritë apo në errësirë, në përbashkësi apo në tundim, kemi të njëjtën nevojë për lutjen: “O ZOT, mos më braktis!”. “Përforcomë e unë do të shpëtoj” (Psalmi 119:117).

Kur mëson të ecë, një fëmijë i vogël ka gjatë gjithë kohës nevojë për ndihmën e së ëmës. Anija e lënë pa timonier, del menjëherë nga kursi. Nuk ia dalim dot pa një ndihmë të vazhdueshme nga lart; kështu që qoftë lutja jonë sot: “Mos më braktis! O Atë, mos e braktis fëmijën Tënd, se përndryshe do të bjerë [i goditur] nga dora e armikut! O Bari, mos e braktis qengjin Tënd, se përndryshe do të endet larg prej sigurisë që ka në vathë! O Fermer, mos hiq dorë nga të korrat e Tua, se përndryshe do të vyshken dhe do të thahen! ‘O ZOT, mos më braktis’ tani dhe mos më braktis në asnjë çast të jetës sime! Mos më braktis në gëzimet e mia, se përndryshe ato do ta bëjnë zemrën time për vete! Mos më braktis në vuajtjet e mia, se përndryshe do të murmuris kundër Teje! Mos më braktis në ditën e pendimit, se përndryshe do të humbas shpresën e faljes dhe do të bie në dëshpërim; por gjithashtu mos më braktis në ditën e besimit tim më të fortë, se përndryshe besimi im përfundon në mendjemadhësi! Mos më braktis, sepse pa Ty jam i dobët, por me Ty jam i fortë! Mos më braktis, sepse shtegu im është i rrezikshëm dhe plot me kurthe, dhe unë nuk ia dal dot pa ndihmën Tënde! Klloçka nuk i braktis zogjtë e vet, prandaj, o Zot, të lutem, më mbro dhe lejomë të gjej strehë te Ti!” “Mos u largo nga unë, sepse ankthi është i afërt, dhe nuk ka asnjë që të më ndihmojë” (Psalmi 22:11). “Mos më lër dhe mos më braktis, o Perëndi i shpëtimit tim” (Psalmi 27:9).

Përherë në gjirin tonë të pastruar,
Urdhëro Frymën Tënde të qëndrojë;
Dhe ktheje shpirtin tonë të fshehtë
Në një tempull për Ty, t’pastër dhe t’shenjtë.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>