Mars 2023

“Ju do të shpërndaheni, secili në punë të vet, dhe do të më lini vetëm.”

Gjoni 16:32

Të paktë ishin ata të cilët patën rastin ta përjetonin agoninë e Gjetsemanit. Shumica e dishepujve nuk ishin edhe aq të rritur frymërisht, sa të lejoheshin të sodisnin misteret e “agonisë”. Të zënë me përgatitjet për festimin e Pashkës nëpër familjet e tyre, ata simbolizojnë shumicën që jeton me anë të shkronjës, por që është e paditur si foshnjë kur vjen puna për frymën e Ungjillit. 

Vetëm dymbëdhjetë burrave, në fakt jo, vetëm njëmbëdhjetë burrave iu dha privilegji të futeshin në Gjetsemani dhe ta shihnin “këtë shfaqje madhështore”. Nga këta njëmbëdhjetë burra, tetë u lanë të prisnin pak më tutje; ata kishin përbashkësi me Mësuesin, por jo atë lloj përbashkësie intime, në të cilën pranohen miqtë shumë të dashur. Vetëm tre dishepujt më të preferuar mund t’i qaseshin perdes së pikëllimit të mistershëm të Zotit tonë. Mirëpo, edhe këta nuk duhet të futeshin në anën tjetër të asaj perdeje; dhe qëndrojnë larg, aq sa mund të hidhet një gur. Ai duhet ta shtypte i vetëm gaviçin dhe asnjë nga njerëzit nuk duhet të ishte me Të. 

Pjetri dhe dy bijtë e Zebedeut përfaqësojnë ata pak shenjtorë të shquar e me përvojë, të cilët me të drejtë mund të quhen si “Etër” [në besim]. Duke qenë se kishin bërë tregti mbi ujërat e mëdha, vetëm ata ishin disi të aftë që t’i masnin dallgët e mëdha atlantike të pasionit të Shpenguesit të tyre. Disa frymëve të zgjedhura u është dhënë mundësia, për të mirën e të tjerëve dhe që të forcohen vetë për ndonjë konflikt të tmerrshëm e të papërsëritshëm të së ardhmes, të hyjnë në rrethin e ngushtë për të dëgjuar përgjërimet e Kryepriftit të tyre vuajtës. Ata kanë përbashkësi me Të në vuajtjet e Tij dhe bëhen të ngjashëm me Të në vdekjen e Tij. Mirëpo, edhe këta nuk mund të depërtojnë dot në vendet e fshehta të agonisë së Shpëtimtarit. 

“Vuajtjet e tua të panjohura” është fraza e pashlyeshme e liturgjisë greke, që na flet për një dhomë të fshehtë në dhimbjen e Mësuesit tonë, e cila ishte e mbyllur për njohjen dhe përbashkësinë njerëzore. Atje Jezusi “u la vetëm”. Në këtë gjë, Jezusi qe më shumë se kurrë një “dhuratë e patregueshme”! A nuk ka të drejtë Watts-i* kur këndon:

Dhe t’gjitha g’zimet e panjohura që dhuron,
Me agoni t’padukshme Ai i fiton?

*Shënim i përkthyesit: Isaac Watts-i (Isak Uots, 1674–1748) ishte një autor i mirënjohur këngësh dhe himnesh të krishtera.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>