Mars 2023

A mund t’i bashkosh ti lidhjet e Plejadave, apo të zgjidhësh vargjet e Orionit?

Jobi 38:31

Nëse kemi prirje për t’u mburrur me aftësitë tona, madhështia e natyrës shpejt do të na kujtojë se sa të dobët jemi. S’mund të lëvizim as më të voglin nga yjet xixëlluese, apo të shuajmë qoftë edhe një rreze të vetme të mëngjesit. Ne flasim për fuqinë tonë, por qiejt qeshin me ne me qesëndi. Kur Plejadat xixëllojnë fort në gëzimin pranveror, nuk mund ta kufizojmë dot ndikimin e tyre; dhe kur Orioni mbretëron atje lart, teksa toka është e lidhur nga zinxhirët e dimrit, nuk mund ta lirojmë dot ngërthimin e akullt. Stinët i zënë vendin njëra-tjetrës, sipas dekretit hyjnor, ndërsa njerëzimi e ka të pamundur ta ndryshojë radhën e tyre. Zot, çfarë është njeriu vallë? 

Në botën frymërore, ashtu si në atë natyrore, fuqia e njeriut është e kufizuar nga të gjitha anët. Kur Fryma e Shenjtë i përhap ëndjet e Tij në shpirtin e njeriut, asgjë dhe askush nuk mund ta pengojë. Gjithë dinakëria dhe ligësia njerëzore, të mbledhura bashkë, janë të paafta t’i rezistojnë fuqisë ringjallëse të Ngushëlluesit. Kur Ai denjon të vizitojë një kishë dhe ta rigjallërojë atë, madje edhe armiqtë më të regjur dorëzohen përpara punës së Tij të mirë. Ata mund ta përqeshin, por nuk mund ta pengojnë dot veprën e Tij, ashtu si nuk e kthejnë dot prapa pranverën kur Plejadat nisin e shtojnë shkëlqimin. Perëndia e dëshiron, dhe kështu u bëftë! 

Nga ana tjetër, nëse Zoti në sovranitetin ose në drejtësinë e Tij e prangos një njeri në skllavëri frymërore, kush vallë mund ta çlirojë atë? Vetëm Zoti mund ta largojë dimrin e vdekjes frymërore nga një person ose një popull. Ai i zgjidh vargjet e Orionit, dhe askush tjetër nuk mund ta bëjë këtë përveç Tij! Ç’bekim i madh është ky për ne! Oh, sikur Ai ta bënte këtë mrekulli sonte! Zot, jepi fund dimrit tim dhe le të fillojë pranvera! Me gjithë dëshirën time të zjarrtë, nuk mund ta zgjoj shpirtin tim nga vdekja dhe plogështia e saj, por gjithçka është e mundur me Ty. Unë kam nevojë për ndikimin qiellor, shkëlqimin e qartë të dashurisë Sate, rrezet e hirit Tënd, dritën e fytyrës Sate, sepse këta janë diejt e mi verorë. Unë vuaj shumë nga mëkati dhe tundimi; këto janë shenjat e dimrit tim të tmerrshëm. Zot, të lutem bëj mrekulli në mua dhe për mua! Amen!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>