Mars 2023

Ju, burra, duajini gratë tuaja, sikurse edhe Krishti deshi kishën.

Efesianëve 5:25

Çfarë shembulli të mrekullueshëm u jep Krishti dishepujve të Tij! Pak mësues do të guxonin të thoshin: “Nëse do të donit të vinit në jetë mësimin tim, imitoni jetën time.” Mirëpo, duke qenë se jeta e Jezusit është riprodhimi më i saktë i virtytit të përsosur, Ai mund ta paraqesë Veten jo vetëm si modelin e shenjtërisë, por edhe si mësuesin e saj. I krishteri nuk duhet të ketë asnjë model tjetër veç Krishtit. Nuk duhet të jemi asnjëherë të kënaqur, po qe se nuk pasqyrojmë të njëjtin hir që ishte në Të. 

Në rolin e tij si bashkëshort, i krishteri duhet të vështrojë portretin e Krishtit Jezus, dhe ai duhet të pikturojë në bazë të këtij portreti. I krishteri i vërtetë duhet të jetë një bashkëshort i tillë, siç ishte Krishti për kishën e Tij. 

  • Dashuria e një bashkëshorti është speciale. Zoti Jezus ushqen një dashuri të veçantë për kishën, të cilën Ai ia jep asaj më shumë sesa pjesës tjetër të njerëzimit: “Unë lutem për ta, nuk lutem për botën” (Gjoni 17:9). Kisha e zgjedhur është e preferuara e qiellit, thesari i Krishtit, kurora mbi kokën e Tij, byzylyku në krahun e Tij, parzmorja e zemrës së Tij, vetë thelbi dhe zemra e dashurisë së Tij. 
  • Një burrë duhet ta dojë bashkëshorten e tij me një dashuri konstante, sepse në këtë mënyrë e do Jezusi kishën e Tij. Dashuria e Tij për kishën nuk shënon ulje-ngritje. Shfaqja e kësaj dashurie mund të ndryshojë, por ajo vetë mbetet e njëjtë gjatë gjithë kohës. 
  • Një burrë duhet ta dojë bashkëshorten e tij me një dashuri të qëndrueshme, sepse asgjë “nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 8:39). 
  • Një burrë i vërtetë e do bashkëshorten e vet me një dashuri të vërtetë, të zjarrtë dhe të thellë. Nuk është një dashuri sa për të larë gojën. Çfarë mund të kishte bërë vallë Krishti më shumë sesa ka bërë për ta provuar dashurinë e Tij? 
  • Jezusi e do bashkëshorten e Tij me një dashuri plot ëndje: Ai e vlerëson shumë dashurinë e saj dhe gjen kënaqësi në të me një hare të ëmbël.

Besimtar, ti mahnitesh me dashurinë e Jezusit dhe e admiron atë, por a po e imiton atë dashuri? Në marrëdhënien me gjysmën tënde të ëmbël, a është etaloni dhe masa e dashurisë sate: “sikurse edhe Krishti deshi kishën”?


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>