Mars 2023

…i të dashurit tim…

Kënga e Këngëve 2:8

Ky ishte një emër i artë, me të cilin kisha e hershme e kishte pagëzuar të Vajosurin e Zotit në çastet e saj më të hareshme. Kur erdhi koha e të kënduarit të zogjve, zëri i turtulleshës dëgjohej në vendin e saj dhe tingujt e dashurisë së kishës ishin më të ëmbël se gjithçka tjetër, tek këndonte: “I dashuri im është imi, dhe unë jam e tij; ai e kullot kopenë midis zambakëve.” Në këngën e vet të këngëve, ajo i drejtohet gjithmonë Atij me atë emër të këndshëm: “I dashuri im!”. Madje edhe përmes dimrit të gjatë, kur idhujtaria e pati vyshkur kopshtin e Zotit, profetët e saj gjetën kohë për ta hequr barrën e Zotit për një periudhë të shkurtër dhe për të thënë: “Dua të këndoj për të dashurin tim një këngë të mikut tim lidhur me vreshtin e vet.” 

Megjithëse shenjtorët nuk e kishin parë kurrë fytyrën e Tij, sepse Ai nuk ishte bërë ende mish, as kishte banuar ndër ne dhe as e kishim soditur lavdinë e Tij, megjithatë Ai ishte ngushëllimi i Izraelit, shpresa dhe gëzimi i gjithë të zgjedhurve, “i dashuri” i të gjithë atyre që ishin të drejtë përpara Shumë Të Lartit. Duke jetuar në këtë stinë vere të kishës, edhe ne mund të flasim për Krishtin si për më të dashurin e shpirtit tonë dhe të ndiejmë se Ai është tepër i vyer, aq i vyer sa “dallon ndër dhjetë mijë veta, dhe është tërheqës në çdo anë”. 

Duke qenë se kisha e do Jezusin dhe e shpall Atë si të dashurin e saj, apostulli e sfidon gjithë universin që të guxojë ta ndajë kishën nga dashuria e Krishtit dhe shpall se as pikëllimi, as ngushtica, as përndjekja, as uria, as të zhveshurit, as rreziku dhe as shpata nuk mund ta bëjnë dot këtë; madje ai krenohet me gëzim: “Por në të gjitha këto jemi më shumë se fitimtarë me anë të atij që na deshi” (Romakëve 8:37). 

Dashuria jote ësht’ e vetmja pronë imja;
Poshtë në tokë a lart në qiell,
Nuk kam tjetër send;
Edhe pse me zjarr të lutem,
Dhe përditë të shqet’soj,
Vetëm atë prej teje kërkoj.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>