Mars 2023

…sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit në Krishtin Jezus.

Galatasve 3:26

Atësia e Perëndisë është e njëjtë për të gjithë fëmijët e Tij. Ah, more Besimpak, ti shpesh thua: “Ah, sikur ta kisha guximin e Zemërmadhit, që të mund ta përdorja shpatën e tij dhe të isha po aq trim sa ai! Mirëpo, ja që unë mbytem në një lugë ujë dhe kam frikë nga vetë hija ime.” Dëgjo o Besimpak: Ti je fëmijë i Perëndisë ashtu siç është edhe Zemërmadhi, madje ai nuk është as edhe një grimë më shumë fëmijë i Perëndisë, se ç’je ti. Pjetri dhe Pali, ata që ishin apostujt më të bekuar, i takonin të njëjtës familje të Shumë të Lartit, të cilës i përket edhe ti. I krishteri i dobët është po aq fëmijë i Perëndisë, sa edhe i forti. 

Kjo besëlidhje e fort’ qëndron,
Sikur edhe shtyllat e vjetra t’tokës t’shkojn’;
I forti, i lëkunduri dhe i dobëti,
N’Jezusin tani janë bërë një.

Të gjithë emrat janë në të njëjtin regjistër familjar. Dikush mund të ketë më shumë hir sesa një tjetër, por Perëndia, Ati ynë Qiellor, ka të njëjtën zemërbutësi kundrejt secilit prej nesh. Dikush mund të bëjë më shumë vepra të fuqishme dhe mund t’i sjellë më shumë lavdi Atit të tij, por ai, emri i të cilit është i fundit në mbretërinë e qiejve, është po aq fëmijë i Perëndisë, sa edhe ai që rreshtohet mes luftëtarëve trima të Mbretit. Le të ngazëllehemi dhe ngushëllohemi duke e ditur këtë, tek i afrohemi Perëndisë për t’i thënë: “Ati ynë”! 

Mirëpo, edhe pse mund të ngushëllohemi duke e ditur këtë gjë, nuk kemi pse të mbetemi të kënaqur me besimin e dobët, por le të lutemi, ashtu si apostujt, që të na shtohet. Sado i dobët qoftë besimi ynë, nëse është besim i vërtetë në Jezu Krishtin, ne do të arrijmë në qiell një ditë. Mirëpo, një besim i tillë as na ndihmon ta nderojmë si duhet Mësuesin gjatë shtegtimit tonë dhe as na jep gëzim e paqe me bollëk. Atëherë, nëse dëshiron të jetosh për lavdinë e Krishtit dhe të jesh i lumtur në shërbim të Tij, përpiqu të mbushesh deri në buzë me frymën e birërisë, derisa dashuria e përsosur ta flakë tutje frikën.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>