Mars 2023

Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur ju...

Gjoni 15:9

Jezusi e do popullin e Tij me të njëjtën dashuri që Ati do Birin. Mirëpo, si funksionon kjo dashuri hyjnore? Dashuria e Atit për Birin nuk pati një pikënisje, dhe e tillë është dashuria e Jezusit për njerëzit e Tij. “Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme” (Jeremia 31:3). Dashurisë njerëzore mund t’ia gjesh fillimin; po ashtu mund ta gjesh pa vështirësi se kur filloi dashuria jote për Krishtin. Mirëpo, dashuria e Tij për ne është si një përrua, burimi i të cilit është i fshehur në përjetësi.

Dashuria e Perëndisë Atë për Birin nuk ndryshon asnjëherë. I krishterë, ngushëllohu me këtë: dashuria e Jezu Krishtit për ata që qëndrojnë tek Ai, nuk pëson asnjë ndryshim! Dje ndodheshe mbi mal dhe thoshe: “Ai më do”, ndërsa sot gjendesh në luginën e poshtërimit, por Ai vazhdon të të dojë ende me të njëjtën dashuri. Ti e dëgjove zërin e Tij mbi kodra dhe mbi majat e maleve, zë i cili të foli aq ëmbëlsisht për dashurinë e Tij; dhe tani kur gjendesh mbi det, ose madje në të, kur të gjitha dallgët dhe shkulmet e Tij përplasen mbi ty, zemra e Tij vazhdon t’i qëndrojë besnike zgjedhjes së bërë që nga agimi i kohërave. 

Ati e do Birin me një dashuri të pafundme, dhe e tillë është dashuria e Birit për popullin e Tij. Shenjtor, mos ki frikë nga afrimi i vdekjes, sepse dashuria e Tij për ty nuk do të soset kurrë! Ki besim se edhe kur të zbresësh në varr, Krishti do të jetë përkrah teje dhe prej andej, Ai do të të udhëheqë drejt kodrave qiellore.

Veç kësaj, Ati e do Birin me një dashuri të pamasë, dhe kjo është e njëjta dashuri e pakufishme, të cilën Biri e derdh mbi të zgjedhurit e vet. Krishti u është përkushtuar njerëzve të vet me gjithë zemër. Ai “na deshi dhe e dha veten e tij për ne”. Dashuria e Tij ia tejkalon çdo njohurie. Ne me të vërtetë kemi një Shpëtimtar të pandryshueshëm, një Shpëtimtar të paçmueshëm, i cili na do me një dashuri të pamasë, të pandryshueshme, pa fund e pa fillim, ashtu siç Ati e do Atë! Këtu ka ushqim të bollshëm për ata që dinë se si ta përtypin. Na drejtoftë Fryma e Shenjtë që t’i shijojmë pjesët më të zgjedhura të tij!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>