Mars 2023

… u forcua në besim…

Romakëve 4:20

I krishterë, kujdesu për besimin tënd, sepse besimi është e vetmja mënyrë për të marrë bekime! Nëse i duam bekimet e Perëndisë, asgjë nuk mund t’i zbresë ato poshtë, përveç besimit! Asnjë lutje tjetër veç lutjes së zellshme të njeriut besimplotë nuk do të marrë përgjigje nga froni i Perëndisë! Besimi është lajmëtari engjëllor mes shpirtit të njeriut dhe Zotit Jezus në lavdinë e Tij. Po qe se mungon ky engjëll, as mund t’i ngjisim lart lutjet tona dhe as mund të marrim përgjigje për to. Besimi është kablloja telegrafike, e cila lidh tokën me qiellin, përmes së cilës mesazhet e dashurisë fluturojnë me aq shpejtësi drite, saqë Ai na përgjigjet përpara se t’i jemi drejtuar dhe na dëgjon përpara se ta kemi nxjerrë fjalën nga goja. Mirëpo, si mund ta marrim premtimin kur këputet kjo kabllo telegrafike e besimit? A jam vallë në hall? Përmes besimit mund të marr ndihmë për hallin tim. A jam i dërrmuar nga armiku? Shpirti im mbështetet te Perëndia përmes besimit. Mirëpo, nëse e nxjerr besimin nga skena, më kot i drejtohem Perëndisë.

Nuk ka rrugë mes shpirtit tim dhe qiellit. Në mes të dimrit më të ashpër, besimi është një rrugë nëpër të cilën mund të rendin kuajt e lutjes—dhe nuk ka problem nëse bën një i ftohtë i acartë. Mirëpo, nëse kjo rrugë bllokohet, si t’ia bëjmë atëherë që të komunikojmë me Mbretin e Madh? Besimi më lidh me hyjnoren. Besimi më vesh me fuqinë e Perëndisë. Besimi rreshton në anën time plotfuqishmërinë e Yahveh-ut. Besimi garanton që çdo atribut i Perëndisë të vihet në mbrojtjen time. Më ndihmon që t’i përballoj me sukses ushtritë e ferrit. Më bën të marshoj ngadhënjimtar mbi armiqtë e mi. Mirëpo, pa besim, si mund të marr vallë ndonjë gjë prej Zotit? Ai që lëkundet është si vala e detit, pra, le të mos pandeshë se do të marrë diçka nga Perëndia! 

Prandaj, o i krishterë, ruaje besimin tënd si sytë e ballit; sepse me të mund t’i fitosh të gjitha gjërat, sado nevojtar që të jesh, por pa të nuk mund të arrish asgjë! “Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson” (Marku 9:23).


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>