March 2023

…të kujtoheshim për të varfrit...

Galatasve 2:10

Përse Zoti lejon që shumë nga fëmijët e Tij të jenë të varfër? Po të dëshironte, Ai mund t’i bënte të gjithë ata të pasur; mund t’u linte trasta me flori përpara derës; mund t’u dërgonte të ardhura të majme të përvitshme; ose mund të shpërndante nozullime me bollëk përreth shtëpive të tyre, ashtu si një herë e një kohë kur i bëri shkurtat të binin në pirgje përreth kampit të Izraelit dhe kur bëri të binte bukë nga qielli për t’i ushqyer ata. Nuk ka asnjë arsye se përse duhet të jenë të varfër, përveç faktit se kjo i duket Atij si gjëja më e mirë. E Tija “është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male” (Psalmi 50:10)—Ai mund t’u sigurojë atyre ushqim; Ai mund t’i bëjë të pasurit, të fuqishmit dhe të mëdhenjtë e kësaj bote, që të sjellin pushtetin dhe pasuritë e tyre në këmbët e fëmijëve të Vet, sepse zemrat e të gjithë njerëzve janë nën kontrollin e Tij. Mirëpo, Ai nuk vendos ta bëjë këtë, duke i lënë njerëzit e Vet të përjetojnë mungesa dhe të dergjen në varfëri e errësirë.

Pse ndodh kështu? Ka shumë arsye për këtë, ku njëra prej tyre është: për të na dhënë një mundësi që t’ia shprehim dashurinë tonë Jezusit, neve që jemi mjaft të bekuar. Zakonisht e shprehim dashurinë tonë për Jezusin duke i kënduar himne dhe duke iu lutur Atij. Mirëpo, nëse do të mungonin njerëzit nevojtarë në këtë botë, nuk do ta kishim pasur privilegjin e çmuar që t’ia shprehnim dashurinë tonë, duke u shërbyer vëllezërve të Tij më të varfër me anë të dhurimeve tona. Pra, Ai e ka caktuar këtë, që të provojmë se dashuria jonë nuk është vetëm me fjalë, por edhe me vepra dhe me të vërtetë. \

Nëse e duam Krishtin me të vërtetë, do të kujdesemi për të dashurit e Tij. Ata që janë të dashur për Të, duhet të jenë të dashur edhe për ne. Atëherë, le të mos e shohim këtë si detyrë, por si një privilegj, që të ndihmojmë nevojtarët e grigjës së Zotit, duke kujtuar fjalët e Zotit Jezus: “...për aq sa ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua” (Mateu 25:40). Natyrisht, ky premtim është mjaft i çmuar dhe kjo arsye mjaft e fortë, për të na nxitur që t’i ndihmojmë të tjerët me vullnet e dashuri—duke i kujtuar vetes se gjithçka që bëjmë për popullin e Tij, Krishti e pranon me plot hir, sikur ta kishim bërë për Atë Vetë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>