Mars 2023

Përveç kësaj ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit.

Psalmi 19:13

Kjo ishte lutja e “njeriut sipas zemrës së vetë Perëndisë”. Mirëpo, a kishte nevojë i shenjti David që ta bënte këtë lutje? Atëherë, sa më e nevojshme duhet të jetë një lutje e tillë për ne foshnjat në besim! Të duket sikur Davidi po thotë: “Mbamë fort, se përndryshe do të bie drejt e në honin e mëkatit!”. Natyra jonë e ligë, sikur të ishte një kalë i pashtruar, priret për t’u azdisur. Hiri i Perëndisë e vëntë atë nën fre dhe e mbajttë fort, që të mos nxitojë drejt veprave të këqija! 

Çfarë të pabërash do të bënin edhe më të mirët ndër ne, po qe se Zoti nuk do të na vinte pengesa si në provaninë ashtu dhe hirin e Tij! Lutja e psalmistit drejtohet kundër llojit më të keq të mëkateve—atyre që bëhen me paramendim dhe me dashje. Madje edhe më të shenjtët duhet “të mbahen nën fre”, për të mos rënë në mëkatet më të ndyra. Është një gjë serioze ta shohësh apostullin Pal tek i paralajmëron shenjtorët në lidhje me mëkatet më të neveritshme: “Vrisni, pra, gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, papastërtinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari” (Kolosianëve 3:5). 

Çfarë?! Vallë, a kanë nevojë shenjtorët që të paralajmërohen kundër mëkateve të tilla? Po, ata kanë nevojë. Edhe rrobat më të bardha do të ndoten nga njollat më të zeza, po qe se pastërtia e tyre nuk ruhet nga hiri hyjnor. 

I krishterë me përvojë, mos u mburr me përvojën tënde, sepse do të pengohesh po nuk i mbajte sytë ngulur mbi Atë që mund të të ruajë nga çdo rrëzim! Ju që keni dashuri të zjarrtë, besim të qëndrueshëm dhe shpresa të ndritshme, mos thoni me vete: “Nuk do të mëkatojmë kurrë”, por përkundrazi thoni: “Mos lejo të biem në tundim”! Edhe në zemrat e njerëzve më të mirë ka mjaft ashkla për të ndezur një zjarr i cili do të digjej edhe në pjesët më të thella të ferrit, po qe se Perëndia nuk do t’i shuante shkëndijat përpara se të bien mbi to. Vallë, kush mund ta përfytyronte se Loti i drejtë një ditë do të dehej aq keq, sa do të kryente imoralitet? Hazaeli tha: “Por ç’është, vallë shërbëtori yt, një qen, që të bëj këtë hata?”. Ashtu si Hazaeli, edhe ne jemi shumë të prirë për ta bërë të njëjtën pyetje të vetëdrejtë. Urtësia e pafundme na shëroftë prej marrëzisë së vetëbesimit!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>