Mars 2023

Sepse para teje unë jam një i huaj.

Psalmi 39:12

Po, o Zot, para Teje, por jo për Ty. Hiri yt e ka zhdukur njëherë e mirë hendekun natyror që na ndante; dhe tani, unë eci nëpër këtë botë mëkatare në përbashkësi me Ty, porsi një shtegtar në një vend të huaj. Ti je i huaj në botën që vetë e krijove. Njeriu të harron Ty, e çnderon emrin Tënd, krijon ligje të reja dhe zakone të papranueshme, dhe nuk të njeh Ty. 

Kur Biri Yt i dashur erdhi te të vetët, ata nuk e mirëpritën Atë. Ai erdhi në botë, në botën që Ai vetë e kishte krijuar, por bota nuk e njohu. Nuk ka pasur kurrë një njeri të huaj, i cili të jetë dalluar nga banorët e ndonjë vendi, aq sa Biri yt i dashur mes vëllezërve të Tij të një gjaku. Atëherë, nuk është aspak për t’u habitur që unë, që jetoj jetën e Jezusit, të jem i panjohur dhe i huaj për këtë botë. Zot, nuk do të jem vendas aty ku Jezusi ishte i huaj. Dora e tij e tejshpuar i ka zgjidhur litarët që dikur e mbanin shpirtin tim të lidhur pas kësaj bote, dhe tani po zbuloj që jam si një i huaj mbi këtë tokë. Këtyre paganëve mes të cilëve jetoj, e folura ime u duket si një gjuhë e huaj dhe e panjohur; sjelljet e mia u duken të pazakonta, ndërsa veprimet e mia të çuditshme. Një princ e ka shumë më të lehtë të jetojë në geto, nga sa mund ta kem unë të jetoj në strofkat e mëkatarëve. 

Mirëpo, ja e bukura e fatit tim: unë jam i huaj përkrah Teje. Ti je bashkëvuajtësi im, bashkudhëtari im. Oh, sa gëzim është të endesh me një shoqëri kaq të bekuar! Zemra më digjet përbrenda nga mënyra se si më flet, dhe megjithëse jam një shtegtar, jam shumë më i bekuar sesa ata që ulen në frone; dhe kur jam me Ty, ndihem si në shtëpinë time, ndoshta më shumë sesa ata që banojnë në shtëpi të rehatshme.

Nuk më mbet’ as vend, as kohë:
Vendi im është në çdo klim’
Mund të jem i qetë e pa shqet’sim
Në çdo breg, krah Perëndisë tim.
Teksa kërkojmë a mënjanojmë një vend,
Shpirti k’naq’si askund nuk gjen:
Por me Perëndinë që udhën na drejton,
Njësoj është t’shkosh apo t’qëndrosh.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>