Mars 2023

...ai e bëri me gjithë zemër; prandaj ai pati mbarësi.

2 i Kronikave 31:21

Këtu nuk bëhet fjalë për një rastësi, por për rregullën e përgjithshme të universit moral, sipas së cilës vetëm ata njerëz që e bëjnë punën e tyre me gjithë zemër, kanë mbarësi; kurse ata që shkojnë në punë me gjysmë zemre, do të dështojnë me siguri. Perëndia nuk u jep të korra përtacëve, veç të korrave të gjembaçëve, dhe as nuk dëshiron t’u japë pasuri atyre që nuk mundohen ta punojnë thellë arën, për të gjetur thesarin e fshehur në të. 

Të gjithë e dinë se, nëse dikush dëshiron të ketë mbarësi, duhet të jetë i zellshëm në punë. Edhe në besim, ashtu si në gjithë fushat e tjera të jetës, vlen e njëjta rregull. Nëse dëshiron të të shkojë mbarë puna për Jezusin, atëherë le të jetë ajo një punë zemre, dhe bëje atë me gjithë shpirt. Shfaq po atë forcë, energji, entuziazëm dhe seriozitet në jetën tënde të besimit, që shfaq edhe në punën tënde, madje edhe më shumë se aq, sepse besimi e meriton. Fryma e Shenjtë na ndihmon në dobësitë tona, por nuk e inkurajon përtacinë tonë. Në fakt, Atij i pëlqejnë shumë besimtarët veprues. 

Cilët janë vallë njerëzit më të vlefshëm në kishën e krishterë? Janë ata të cilët e bëjnë me gjithë zemër çdo punë që marrin përsipër për Perëndinë. Cilët janë vallë mësuesit më të suksesshëm të Shkollës së të Dielës? Mos janë vallë më të talentuarit ndër ta? Jo, janë më të zellshmit; ata më zemërzjarrtët për Zotin; janë pikërisht ata që e shohin Zotin e tyre duke ardhur begatisht, i rrethuar nga madhështia e shpëtimit të Tij. Zelli shfaqet në këmbëngulje dhe edhe pse në fillim mund të ketë dështime, punëtori i zellshëm do të thotë: “Kjo është puna e Zotit dhe duhet bërë. Zoti im më ka thirrur që ta bëj, dhe në sajë të fuqisë së Tij, unë do ta kryej atë me sukses.”

I krishterë, a po i shërben vallë Zotit tënd me gjithë zemër? Sill ndër mend zellin e Jezusit! Mendo pak se çfarë pune me gjithë zemër ishte e tija! Vetëm Ai mund të thoshte: “Zelli i Shtëpisë sate më ka përpirë.” Barra që duhej të mbante mbi supet e Tij të bekuara, kur djersiu pika të mëdha gjaku, nuk ishte aspak e lehtë; ashtu siç nuk qe një mundim i vogël kur e derdhi Veten për shpëtimin e popullit të Tij. Vallë, a nuk ishte Jezusi i zellshëm, ndërsa ne jemi të vakët?


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>