Mars 2023

…forcohu në hirin që është në Krishtin Jezus.

2 e Timoteut 2:1

Krishti ka hir të pamasë brenda Tij, por Ai nuk e mban atë për Vete. Ashtu si një rezervuar i madh, i cili zbrazet përmes tubave, edhe Krishti e zbraz hirin e Tij mbi të Vetët. “Dhe ne të gjithë morëm, prej plotësisë së tij, hir mbi hir” (Gjoni 1:16). Në fakt, duket se gjithçka që ka, Ai e zotëron me të vetmin qëllim, për të na e dhënë neve. Ai është si një burim që nuk pushon asnjëherë së nxjerri ujë, vetëm e vetëm për të mbushur shtambat dhe për të lagur buzët e thara të atyre që afrohen pranë tij. Porsi një pemë frutore, Ai prodhon fryte të ëmbla, por jo për t’u varur nëpër degë, po për t’u mbledhur prej atyre që kanë nevojë. 

Hiri, cilido qoftë funksioni i tij: në daç për të falur, a për të pastruar, a për të ruajtur, a për të forcuar, a për të ndriçuar, a për të gjallëruar, a për të rimëkëmbur, do të rrjedhë prej Tij falas dhe lirisht përngaherë; dhe nuk ka asnjë vepër hiri, të cilën Ai të mos e ketë derdhur mbi popullin e Tij. Ashtu si gjaku i trupit, megjithëse rrjedh nga zemra, i takon barabar çdo gjymtyre të trupit, kështu edhe efektet e hirit janë trashëgimia e çdo shenjtori të bashkuar me Qengjin; dhe në këtë gjendet një përbashkësi e ëmbël mes Krishtit dhe kishës së Tij, meqenëse që të dy përfitojnë nga i njëjti hir. 

Krishti është koka mbi të cilën derdhet, së pari, vaji; por i njëjti vaj zbret deri në cepin e rrobave, kështu që edhe shenjtori më i fundit vajoset nga i njëjti vaj i kushtueshëm, si ai që ra përmbi kokën e trupit. Kjo është përbashkësia e vërtetë: kur limfa e hirit rrjedh nga trungu te degët dhe kur shihet që edhe vetë trungu ushqehet nga i njëjti ushqim që i bën degët të gjelbërojnë. Teksa marrim përditë hir nga Jezusi, duke u bërë gjithmonë e më të vetëdijshëm se gjithë hiri rrjedh prej Tij, do ta shohim Atë në përbashkësi me ne dhe do të shijojmë bekimin e përbashkësisë me Të. 

Le t’i përdorim çdo ditë pasuritë tona dhe të shkojmë vazhdimisht tek Ai, si Zoti i besëlidhjes sonë që është, duke marrë prej Tij furnizimin e gjithçkaje që na nevojitet, me të njëjtin guxim që njerëzit nxjerrin paratë nga kuleta e vet.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>