cross1

Korrik 2022


Mendo për ungjillëzimin si një udhëtim. Çdo udhëtim që bën, ka një fillim dhe një fund. Ti përcakton itinerarin jo vetëm nga vendi i caktuar, por edhe nga pika e origjinës.

Si të krishterë, të thirrur për të predikuar ungjillin, gjithmonë duam ta çojmë bisedën menjëherë te personi dhe te vepra e Krishtit. Gjithsesi, në varësi të gjendjes së personit sot, ndoshta mund të na duhet të zgjedhim një itinerar tjetër–ndonjëherë më të gjatë, ndonjëherë më të mundimshëm, ndonjëherë edhe shumë të lodhshëm–që ta çojmë lajmin në zemrat e tyre.

Pjesa më e madhe nga ne, kalon kohë në biseda të plogështa pa pasur mundësi për ndarjen e ungjillit. Nëse Krishti është e vetmja shpresë për botën rreth nesh, përse duket kaq e pamundur ta lidhim atë me njerëzit dhe rrethanat e tyre, pa u dukur të pavend apo përsëritës?

Kategoritë janë shumë të rëndësishme për mua, kur flas me njerëzit për Jezusin. Konsidero këto kategori të zakonshme apo pikënisje për bisedën e radhës që do të kesh me mikun tënd jobesimtar apo me një të panjohur. Nëse dëgjon me kujdes, do të kuptosh që një prej këtyre pesë temave del në sipërfaqe, të paktën në një formë a një tjetër. Nëse mendojmë me kujdes dhe lutemi për mënyrën si ungjilli adreson secilën, do të jemi shumë më tepër efektiv për t’i ndihmuar jobesimtarët që duam, të shohin nevojën e tyre për Jezusin.

Siguria: Ndihma e Perëndisë për ata që janë në ankth

“Kam një ndjesi të tmerrshme që nuk e mora punën.”
“Nuk e di a do të kemi mjaftueshëm para për të paguar qiranë këtë muaj.”
“Po sikur fëmijëve të mi t’u ndodhë diçka?”

Po t’i kemi antenat ngritur, do të fillojmë të shohim mundësi për ungjillin kudo, sidomos në qëndrimin e vazhdueshëm të shqetësimit në kulturën tonë. Ungjilli adreson të gjitha frikërat tona. Perëndia është tërësisht në kontroll të gjithçkaje. Dhe për të gjithë ata që e vendosin besimin e tyre në Jezusin, ai e derdh gjithë atë sovranitet për të siguruar për ne, për të na mbajtur e për të na çliruar. Mbreti ynë sovran është vetë Ati ynë i dashur!

Për këtë arsye, njerëzit e Perëndisë janë të vetmit që mund të marrin frymë lirisht në mes të pasigurisë dhe të kaosit. Çfarë ftese për zemrën e shqetësuar!

Identiteti: Zgjidhja e Perëndisë për të pasigurtët

Disa vite më parë, isha ulur në avion pranë një djali rreth të njëzetave. Edhe pse nuk ishte i krishterë, zbulova se kishim shumë të përbashkëta. E para, të dy ishim kompozitorë.

Pasi fola për disa çaste me të, pata mundësinë të ndaja për besimin tim në Krishtin. Ndava se vlera ime gjendej në Krishtin dhe në dashurinë e tij për mua. Ai tha se mund ta gjente veten në fjalinë time, megjithatë për të nuk ishte dashuria e Krishtit. Ai kishte gjetur stabilitet dhe kuptim në aftësinë e tij për të shkruar këngë. U ktheva drejt tij dhe e pyeta: “Çfarë ndodh po të ngrihesh nesër në mëngjes dhe të kesh një bllok artistik?”

Të gjithë po kërkojmë idenë tonë të vlerës, të kuptimit dhe të identitetit. Pali shkruan për një identitet që nuk lidhet me aftësinë dhe arritjet tona, por me veprën e Krishtit për ne (Filipianëve 3:9). E duke qenë se Krishti është i njëjtë dje, sot dhe përjetë (Hebrenjve 13:8), nuk duhet të shqetësohemi kurrë se mos humbasim identitetin tonë. Ne e dimë kush jemi: ne jemi të tijët dhe kjo na mjafton, tani dhe përjetë.

Kuptimi: Përgjigjja e Perëndisë për akademikët

Ungjilli nuk është i heshtur përballë çështjeve ekzistenciale. Lajmi i ungjillit përfshin çdo aspekt të jetës, përfshirë këtu çështjet e origjinës dhe kuptimit. Ekzistenca e një Perëndie-Krijues të dashur, siguron bazat e vetme të logjikshme për rregullin, bukurinë dhe kompleksitetin e universit dhe të gjithë atyre që jetojnë në të.

Për më tepër, lajmi i ungjillit jep shpjegimin më bindës për thyerjen që dëshmojmë rreth nesh (Romakëve 3:23), dhe këndvështrimin më shpresëdhënës për të ardhmen: Perëndia do të bëjë gjithçka të re (Romakëve 8:19-23). Materializmi dhe nihilizmi fshihen nën përgjigjet që Bibla jep për universin dhe ekzistencën tonë në të.

Vuajtja: Ndihma e Perëndisë për ata që lëngojnë

Perëndia thuri një model përgjatë ungjijve: njerëzit e lënduar vrapojnë te Jezusi. Shumë prej rrugëve më efektive dhe të ndjeshme drejt kryqit nisin me dhimbje dhe lëndime. Kryqi është goditja vdekjeprurëse e Jezusit për mëkatin dhe vuajtjen.

Ky është lajm i mrekullueshëm për të gjithë ata që besojnë në Krishtin! Ajo na inkurajon se gjërat nuk do të mbeten siç janë. Përfundimi i ungjillit është paqe me Perëndinë, paqe me të tjerët dhe gëzim i përjetshëm në një tokë të re me Shpëtimtarin tonë. Kryqi siguron provën më të sigurt se Perëndia e kthen edhe mëkatin më të keq, edhe padrejtësinë më të rëndë, me ngushëllimin përfundimtar e të përjetshëm të popullit të tij (Romakëve 8:28).

Ndoshta fqinji yt sapo ka humbur punën? Ndoshta adoleshenti nuk fitoi shkollën që donte? Ndoshta burri që është ulur pranë teje në autobus ka kaluar një javë shumë të vështirë? Pranoje çdo dhimbje apo lëngate unike si një pikënisje të vështirë, por të artë. Një vuajtje e tillë nuk është pengesë për një bisedë të qendërzuar te Jezusi. Ajo kërkon një Shërbëtor të Përvuajtur (Isaia 53:3-5).

Kënaqësia: Ushqimi i Perëndisë për të uriturit

Çfarë do ta kënaqë më shumë nevojën e atyre që janë rreth nesh? Çfarë mund të jetë mjaftueshëm tërheqëse për ta nxjerrë të droguarin nga shiringa, të dehurin nga shishja dhe grykësin nga pjata e tij? “Dhe Jezusi u tha atyre: ‘Unë jam buka e jetës; ai që vjen tek unë nuk do të ketë uri dhe ai që beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje’” (Gjoni 6:35).

Është një burim që nuk thahet kurrë dhe një bukë që nuk myket kurrë. Është dikush që kënaq urinë tonë më të thellë shpirtërore dhe nuk na lë kurrë bosh. Dhe ai ka një emër. Jezu Krishti është dhurata më e madhe e Perëndisë për personin që ka provuar gjithçka bota ka për të ofruar dhe është ende duke vdekur nga uria shpirtërisht. Dallo urinë në fjalët e njerëzve rreth teje dhe jepu diçka për të ngrënë. Prezantoji me Bukën e qiellit.

Një kundërhelm, një milion sëmundje

Tim Keller kishte të drejtë kur tha: “Ungjilli nuk është ABC-ja e krishterimit. Ai është A-ja deri te Z-ja.” Ajo që kemi për t’i ofruar botës nuk është thjesht hyrja në qiell. Ungjilli është kundërhelmi më i madh për miliona sëmundje të botës sonë. Ai ngushëllon të dekurajuarit, thyen muret e zemra të ngurta, jep përgjigje për mendimtarët, siguron çakëll për të pasigurtët dhe shpëton mëkatarët, e të gjitha këto i bën njëkohësisht.

Vendmbërritja e vetme dhe e lumtur nuk ndryshon kurrë, por kemi po aq drejtime sa njerëz për t’i çuar atje.

Jimmy Needham është këngëtar/kompozitor dhe shërben në stafin e kishës Stonegate Church në Midlothian, Texas. Ai dhe bashkëshortja e tij kanë dy vajza dhe një djalë. Mëso më shumë te jimmyneedham.com.


Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje nga DesiringGod:  https://www.desiringgod.org/articles/five-natural-ways-to-get-to-the-gospel   
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

>