kal visuals ak4ipnyipnu unsplash

Tetor 2021                                                                       


Tri zakone për hedonistët e krishterë

O ju të gjithë që keni etje,
   ejani tek ujërat,
Dëgjomëni me kujdes dhe do të hani atë që është e mirë,
   dhe shpirti juaj do të shijojë ushqime të shijshme.
(Isaia 55:1-2).

Duket shumë e mirë për të qenë e vërtetë që Perëndia jo vetëm na shpëton nga dënimi i përjetshëm, që meritojmë për shkak të mëkatit tonë, por Ai gjithashtu na ngop përgjithmonë me veten e Tij. Ky është pikërisht gëzimi, për të cilin jemi krijuar. Perëndia nuk është vrasësi kozmik i gëzimit, që shumë prej nesh druanim në rininë tonë. Përkundrazi, Ai është Perëndia, i cili në Krishtin na zgjat krahët dhe na thotë: “Ejani, ju të gjithë që jeni të etur!”

Por si vijmë ne “tek ujërat” ditë pas dite në jetën e krishterë? Si “të hamë atë që është e mirë” dhe ta kënaqim shpirtin tonë me ushqime të shijshme? Si ta kërkoj në mënyrë praktike gëzimin tim në Perëndinë? 

Përgjigjja fillon me të vërtetën jetësore që Perëndia na jep mjete për këtë qëllim. Ai na bën të denjë për të marrë pjesë në këtë proces, që t’i shfrytëzojmë shtigjet specifike, që Ai ka hapur për ne. Ndërsa kërkojmë gëzim të plotë në Të, Perëndia punon në ne për të kultivuar disa “zakone hiri”, që bazohen mbi mjetet e Tij të hirit, të cilat na i ka zbuluar.

Zakone për hedonistët

Me kalimin e viteve, kam gjetur lista të gjata praktikash dhe disiplinash specifike (dymbëdhjetë, pesëmbëdhjetë ose më tepër), të cilat kanë qenë pak të dobishme dhe shpesh dekurajuese. Kisha nevojë të këmbëngulja për të shkuar përtej praktikave të caktuara dhe të gjeja parimet e dhëna prej Perëndisë, që i ndërthurin ato së bashku.

“Perëndia ndalon dhe përkulet, Ai zgjat veshin për të na dëgjuar. Ai dëshiron të dëgjojë prej nesh.”

Njëra nga mënyrat për ta krahasuar modelin e hirit të Perëndisë për jetën e krishterë është me tre mjete të mëdha: (1) të dëgjojmë zërin e Perëndisë (në fjalën e Tij), (2) t’i flasim Atij (në lutje), dhe (3) t’i përkasim trupit të Tij (në bashkësinë e kishës lokale). Me sa di unë, të gjitha “disiplinat frymërore” të drejtuara nga shkrimi, bëjnë pjesë në njërën ose më shumë nga këto tri qendra: fjala, lutja, dhe bashkësia. Libri i Veprave të Apostujve i sjell bashkë, si në rastin kur bën përmbledhjen e zakoneve kolektive të kishës së hershme: “Por ata ishin ngulmues në mësimin e apostujve dhe në bashkësi dhe në thyerjen e bukës dhe në lutje” (Veprat e Apostujve 2:42).

Prandaj, zakonet tona të ndryshme të hirit, janë praktika, të cilat i zhvillojmë (si individualisht, ashtu edhe kolektivisht) për të hyrë çdo ditë a çdo javë në mjetet e hirit të Perëndisë, të cilat ushqejnë shpirtin tonë në Krishtin. Veçanërisht këto tri kategori të hirit të vazhdueshëm të Perëndisë luajnë një rol jetësor në ushqyerjen e gëzimit tonë, në mënyra të ndryshme që e bëjnë Perëndinë të duket që është i mirë.

Mirëprite Fjalën e Tij

Vetë fjalët e Perëndisë, përmes apostujve dhe profetëve në Shkrime, janë mjetet e para dhe kryesore të hirit të Tij ndaj nesh. Perëndia që është, është një Perëndi që flet. Ai flet i pari dhe si Krijues, merr iniciativën për të na u drejtuar neve, si krijesat e Tij. Perëndia, si shpëtimtari ynë, merr iniciativën për të na treguar për çlirimin tonë. Biri është shprehja kulmore e Fjalës së Tij (Gjoni 1:1, Hebrenjve 1:1-2), dhe për ne Ai ka mbushur një Libër, nga Zanafilla deri te Zbulesa, me fjalët e Tij të jashtme dhe objektive për veten, për racën tonë, për botën dhe për shpengimin tonë.

Përmes fjalës së Tij, Ai na jep gëzimin e Tij të veçantë e të qenët i udhëhequr, e përjetimit të iniciativës që Ai merr ndaj nesh. Perëndia përlëvdohet në shumë mënyra në gëzimin tonë përmes Shkrimit. Së pari, Perëndia nderohet kur ne vijmë tek Ai (dhe jo diku tjetër) dhe i trajtojmë fjalët e Tij si të vërteta e i themi Atij, sikurse Pjetri i tha Jezusit: “Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme” (Gjoni 6:68). Gjithashtu, kur vijmë te Perëndia, kjo e nderon (ose e çnderon) Atë, në bazë të shpeshtësisë dhe përparësisë. A vijmë tek Ai rregullisht apo me raste, a i japim përparësi fjalës së Tij kundrejt ndikimeve dhe veprimtarive të tjera?

Mënyra si vijmë tek Ai është gjithashtu e rëndësishme. Perëndia do që ne të vijmë të uritur dhe të zellshëm te fjala e Tij. Ai do që të vijmë si hedonistë, duke kërkuar me vetëdije që ta kënaqim shpirtin tonë në Të, ta dëshirojmë fort Atë, ashtu si foshnjat e sapolindura të dëshirojmë “fort qumështin e pastër të fjalës” që të rritemi me anë të tij (1 e Pjetrit 2:2). Perëndia do që ne t’i afrohemi Atij përmes Fjalës, si “burimi i ujit të gjallë” (Jeremia 2:13); të vijmë me përulësi dhe t’i pranojmë fjalët e Tij (Jakobi 1:21), edhe kur na duken të çuditshme dhe befasuese, le të përpiqemi t’u bindemi, jo thjesht t’i dëgjojmë fjalët e Tij, por në fakt t’i zbatojmë ato (Jakobi 1:22).

“Kërkimi serioz i gëzimit në Perëndinë nuk duhet të jetë një përpjekje e vetmuar.”

Perëndia përlëvdohet jo vetëm kur vijmë tek Ai të uritur, por gjithashtu edhe kur ne kënaqemi me gostinë, kur i përjetojmë fjalët e Tij si “kënaqësinë tonë” (Psalmi 1:2, 119:16), dhe si “gëzimin e zemrës” sonë (Psalmi 119:111), si “kënaqësinë e zemrës” sonë (Jeremia 15:16) dhe si ndezjen e flakëve të gëzimit tonë. Perëndia nderohet kur ne u qasemi fjalëve të Tij, ashtu siç bëri Davidi në Psalmin 19: si fjalë që e përtërijnë shpirtin (vargu 7) dhe e gëzojnë zemrën (vargu 8), që janë më të dëshirueshme se ari (vargu 10), që janë më të ëmbla se mjalti (vargu 10) dhe që kanë një shpërblim të madh (vargu 11).

T’i qasesh fjalës së Perëndisë do të thotë t’i qasesh vetë Perëndisë. Ai hukat fjalët e Tij ndaj nesh si iniciativa, ftesa dhe si udhëzime që ne të mund ta njohim Atë. Mënyra se si i trajtojmë fjalët e Tij, është mënyra se si e trajtojmë vetë Perëndinë. Dhe teksa kënaqemi me faktin se na flet në fjalën e Tij, Ai gjithashtu na fton që edhe ne t’i flasim Atij.

Kënaqu duke i folur Perëndisë

Ja pse, lutja është mjeti tjetër i dallueshëm i hirit të Tij. Duke na i hapur dyert e qiellit përmes personit dhe veprës së Birit, Perëndia na jep dhuratën marramendëse të veshit të Tij që na dëgjon. Ne kemi mundësinë që t’i flasim Atij. Lutja na ofron gëzimin e veçantë e të pasurit rëndësi për Perëndinë e Plotfuqishëm. Ai jo vetëm që na flet, por ndalon, përkulet dhe zgjat veshin për të dëgjuar reagimin tonë. Perëndia dëshiron të dëgjojë nga ne.

Lutja e përlëvdon Perëndinë kur ne i qasemi Atij si Perëndia që vetë Ai thotë se është: si një thesar, jo si dikush që e vret gëzimin; si mirëdashës, jo si mizor; si i vëmendshëm, jo si i shpërqendruar; si i afërt, jo si i largët; si i kujdesshëm, jo si i plogësht; dhe kushtoji vëmendje kësaj, si Zoti ynë madhështor, jo si shërbëtori ynë i rëndomtë. Sikurse shkruan edhe John Piper për kultivimin e një impulsi të tillë hedonist në lutje: “Kur e përulim veten si fëmijët e vegjël dhe nuk demonstrojmë aspak vetëmjaftueshmëri, por vrapojmë të lumtur në gëzimin e përqafimit të Atit tonë, lavdia e hirit të Tij madhërohet dhe dëshira e zjarrtë e shpirtit tonë plotësohet. Nevoja jonë dhe lavdia e Tij janë një” (Desiring God, 159–160).

Perëndia përlëvdohet kur ne i kërkojmë Atij (domethënë, në lutjen tonë) që të plotësojë nevojat tona, sikurse thotë në Psalmin 50:15: “Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më përlëvdosh.” Përmes lutjes, ne marrim gëzimin e çlirimit, kurse Ai merr lavdinë e Çliruesit. Në të njëjtën kohë, lutja i shërben kërkimit të gëzimit tonë: “Kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë” (Gjoni 16:24) dhe kërkimit të lavdisë së Tij: “Dhe çfarëdo që të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin” (Gjoni 14:13). 

Çmoje kishën e Tij

Në fund, por jo më pak e rëndësishme, ato që përmbledhin të folurit e Tij ndaj nesh dhe të dëgjuarit e Tij nga ne janë zakonet e përbashkëta të hirit. Ne nuk jemi vetëm në jetën e krishterë. Perëndia na jep dhuratën e të përkiturit në një trup, që është kisha dhe vetë nusja e Birit të Tij.

Realiteti dhe përjetimi i kishës na përcjell gëzimin e të përkiturit dhe e të qenët së bashku. Perëndia na krijoi për një jetë së bashku, jo vetëm për të marrë hirin e Tij përmes të tjerëve, por gjithashtu që të jemi mjete të gjalla të hirit për njëri-tjetrin. Në të gjithë këtë, Perëndia vetë është synimi final dhe burimi i gëzimit tonë. Dhuratat e Tij, nëse pranohen si duhet, na drejtojnë tek Ai si burimi më i thellë dhe më i qëndrueshëm i gëzimit, i gëzimit tonë. 

Perëndia përlëvdohet në gëzimin e popullit të Tij përmes kishës në unitetin tonë në Birin, kur “së bashku... me një mendje të vetme dhe një gojë të vetme, ta përlëvdoni Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jezu Krisht” (Romakëve 15:6). Ai përlëvdohet teksa ne marrim hirin e Tij përmes njëri-tjetrit si dhurata prej Tij (1 e Korintasve 12:4-11). Kisha është konteksti i parë ku ne e jetojmë bindjen dhe ndryshimin e jetës, në të cilat Krishti na thërret dhe i prodhon në ne. Gëzimi ynë në Të na ndryshon dhe Ai ka për qëllim që ne ta demonstrojmë një ndryshim të tillë që të tjerët ta shohin. Kjo fillon në përbashkësi me të tjerë, që po e jetojnë gëzimin e tyre në Të dhe pastaj e përcjellim këtë në botën tonë.

“Perëndia nuk është vrasësi kozmik i gëzimit që shumë prej nesh druanim se ishte në rininë tonë.”

Kërkimi serioz i gëzimit në Perëndinë nuk duhet të jetë një përpjekje e vetmuar. Në fakt, për shumicën prej nesh, ka për të qenë një udhëtim i parehatshëm kolektiv. Nuk ka dyshim që ne kemi nevojë për çastet tona “vetëm me Perëndinë” në fjalën e Tij dhe në lutje, por duhet të marrim gjithashtu së bashku rregullisht fjalët e Tij dhe do të reagojmë së bashku ndaj Tij në lutje, sikurse e bëjmë në adhurimin kolektiv. Ata që janë seriozë për kërkimin e gëzimit të tyre në Perëndinë, nuk do të jenë mes atyre që heqin dorë nga të mbledhurit bashkë “sikurse kanë zakon disa,” por që në mënyrë të vazhdueshme, urgjente dhe me gëzim e nxisin njëri-tjetrin (Hebrenjve 10:25).

Shoqëria e hedonizmit të krishterë nuk është një dhuratë, për të cilën Perëndia do që të presim deri në epokën e ardhshme, por Ai na e ofron atë tani, që në këtë jetë. Ndërsa së bashku i mirëpresim fjalët e Tij në Shkrim dhe shkojmë para Tij në lutje, Ai e bën jetën dhe ndikimin e të krishterëve të tjerë një mjet të pazëvendësueshëm për kërkimin tonë të gëzimit në Të.

David Mathis është redaktori ekzekutiv për desiringgod.org dhe pastor te “Cities Church” në Mineapolis, St. Paul. Ai është bashkëshort, baba i katër fëmijëve dhe autor i librit Habits of Grace: Enjoying Jesus Through the Spiritual Disciplines.


Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/how-to-seek-your-joy-in-god 
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim