artikulli 35

Korrik 2021


Autori dhe teologu David Wells, në librin e tij "God in the Wasteland" më 1994, raportoi se “studentët e (seminareve) janë të pakënaqur me gjendjen aktuale të kishës. Ata besojnë se kisha e ka humbur vizionin e saj dhe kërkojnë prej saj më shumë nga çfarë ajo po u jep”. Gjithsesi, ashtu si edhe vetë Wells pohon, pakënaqësia nuk mjafton. Kemi nevojë për diçka më tepër. Ne kemi nevojë të rimarrim imazhin e vërtetë të kishës. Çfarë është kisha në natyrën dhe thelbin e saj? Cilat janë shenjat dalluese të kishës?

PAK HISTORI PËR SHËNDETIN E KISHËS

Të krishterët kanë folur shumë rreth “shenjave dalluese të kishës”. E megjithatë vetëm pas Reformimit, tema e kishës u kthye në një debat formal teologjik, që u përhap kudo. Përpara shekullit të gjashtëmbëdhjetë, kisha nuk diskutohej, ajo hamendësohej. Hamendësohej se ishte mjeti i hirit, një realitet që ekzistonte si presupozimi i pjesës tjetër të teologjisë. Me ardhjen e kritikës radikale të Martin Luterit dhe të të tjerëve në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, diskutimet për natyrën e kishës u bënë të pashmangshme. Një studiues e përshkruan kështu: “Reformimi bëri që prova e kishës së vërtetë të mos ishte organizimi kishtar, por vetë ungjilli” (Edmund Clowney, The Church, 1995, 101).

Në 1530, Melanchthon hartoi Rrëfimin e Ausburgut, i cili në nenin VII citonte: “Kjo kishë është bashkësia e të shenjtëve, në të cilën ungjilli mësohet drejt dhe sakramentet ruhen në mënyrën e drejtë. Dhe për këtë unitet të vërtetë të kishës, mjafton të kemi unitetin e besimit rreth mësimeve të ungjillit dhe administrimin e sakramenteve.” Në 1553, Thomas Cranmer përgatiti Dyzet e dy Nenet e Kishës në Angli, në të cilën shkroi: “Kisha e vërtetë e Krishtit është një bashkësi njerëzish besnikë, në të cilën fjala e pastër e Perëndisë predikohet dhe sakramentet administrohen siç duhet.” John Calvin shkruan te “Institutet e besimit të krishterë”: “Sa herë shohim Fjalën e Perëndisë të predikuar dhe të dëgjuar drejt, dhe sakramentet të ruajtura sipas udhëzimeve të Krishtit, pa dyshim që aty ekziston kisha e Zotit.”

Rrëfimi Belg i Besimit (1561), neni 29, deklaronte: “Këto janë shenjat dalluese të kishës së vërtetë: nëse në kishë predikohet doktrina e pastër e ungjillit; nëse ajo ruan administrimin e drejtë të sakramenteve të stabilizuara nga Krishti; nëse kisha ushtron disiplinën e ndëshkimit të mëkatit; me pak fjalë, kemi kishë të vërtetë, nëse të gjitha gjërat administrohen sipas Fjalës së vërtetë të Perëndisë, nëse refuzohen të gjitha gjërat që janë në kundërshtim me këto, dhe nëse Jezu Krishti njihet si Koka e vetme e Kishës.”

KRIJIMI DHE RUAJTJA E KISHËS

Ne mund të shohim se në këto dy shenja dalluese—predikimi i ungjillit dhe ruajtja e sakramenteve—qëndron edhe krijimi edhe ruajtja e kishës, burimi i të vërtetës së Perëndisë dhe ena e dashur që e mban dhe e ushtron atë. Kisha lind nga predikimi i drejtë i Fjalës dhe kisha ruhet dhe dallohet nga administrimi i duhur i pagëzimit dhe Darkës së Zotit (supozohet se te kjo e fundit, praktikohet edhe disiplina brenda kishës). 

Pa dyshim që nuk ka kishë të përsosur. Gjithsesi, lavdi Perëndisë, shumë kisha joperfekte janë të shëndetshme. Prapë, kam frikë se shumë të tjera nuk janë të shëndetshme—këtu përfshihen edhe disa prej atyre që shpallin natyrën hyjnore të Krishtit dhe autoritetin e plotë të Shkrimeve. Organizata “9marks” përmban një plan për risjelljen e predikimeve të drejta biblike dhe drejtimit të duhur në kishë, në një kohë ku shumë bashkësi vuajnë nga krishterimi nominal dhe joreal, bashkë me gjithë rrjedhojën e pragmatizmit dhe mendjevogëlsisë. Shumë kisha kanë humbur qëllimin e vërtetë, që është lavdërimi i Perëndisë, duke dashur më shumë rritjen në numër, duke menduar se ky qëllim, sido që të arrihet, do të lavdërojë Perëndinë. 

Në një shoqëri ku krishterimi po mohohet me shpejtësi dhe gjerësisht, ku ungjillëzimi konsiderohet jotolerant dhe madje klasifikohet si krim urrejtjeje, shikojmë se bota jonë ka ndryshuar. Kultura, me të cilën konformohemi për të qenë të pranuar, është bërë kaq e pandashme dhe e ndërthurur me antagonizmin kundër ungjillit, saqë për t’iu përshtatur do të na duhet të humbasim vetë Ungjillin. Në kohë të tilla duhet të ridëgjojmë Biblën dhe të rindërtojmë imazhin e shërbesës së suksesshme, jo që të jetë menjëherë frytdhënëse, por që të jetë besnike ndaj Fjalës së Perëndisë sa më shumë në mënyrë të dukshme.

KEMI NEVOJË PËR NJË MODEL TË RI

Kemi nevojë për një model të ri për kishën. Në fakt, modeli që na duhet është ai i vjetri. Kemi nevojë për kisha, në të cilat suksesi nuk tregohet nga rezultatet e dukshme, por në të cilat suksesi i shërbesës tregohet në besnikëri biblike të vazhdueshme. Ky model i ri (i vjetër), përqendrohet në dy nevoja bazë të kishave tona: predikimi i mesazhit dhe drejtimi i dishepujve. Pesë “shenjat e para të një kishe të shëndetshme” (predikimi ekspozues, teologjia biblike, kuptimi biblik i Ungjillit, kuptimi biblik i konvertimit dhe kuptimi biblik i ungjillëzimit) të gjitha reflektojnë shqetësimin për ta predikuar si duhet Fjalën e Zotit. Katër shenjat e fundit dalluese (anëtarësia në kishë, disiplina në kishë, preokupimi për nxitjen e  dishepullimit dhe rritjen e krishterë, dhe udhëheqësia në kishë) lidhen me problemin e administrimit të drejtë të kufijve dhe cilësive të identitetit të krishterë, d.m.th. si të drejtojmë dishepujt.

Qëllimi dhe synimi i gjithë kësaj është lavdia e Perëndisë dhe shpallja e Tij. Përgjatë historisë, Perëndia ka dashur ta bëjë Veten e Tij të njohur (p.sh. Eksodi 7:5; Ligji i Përtërirë 4:34-35; Psalmet 22:21, 22; Isaia 49:22, 23; Ezekieli 20:34-38; Gjoni 17:26). Ai krijoi botën dhe i ka bërë të gjitha gjërat për lavdinë e Tij dhe është e drejtë, dhe e mirë që Ai ta bëjë këtë. Mark Ross ka thënë kështu:

“Ne jemi një nga provat dëshmuese dhe kryesore të Perëndisë… Shqetësimi i madh i Palit për kishën (tek Efesianëve 4:1-16) është që kisha të manifestojë dhe të shfaqë lavdinë e Perëndisë, duke shfajësuar karakterin e Perëndisë kundër të gjitha akuzave demonike, akuzave që thonë se nuk ia vlen të jetosh për Perëndinë… Perëndia ia ka besuar kishës lavdinë e Emrit të Tij.”

Të gjithë ata që i lexojnë këto fjalë—ata që janë drejtues në kisha edhe ata që nuk janë—janë bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ne jemi krijuar për të qenë imazhi i dukshëm i natyrës dhe karakterit të drejtë të Perëndisë, që të gjithë ata që janë rreth nesh të mund të shohin reflektimin e bashkësisë që ne kemi me Perëndinë nëpërmjet Krishtit. Pikërisht për këtë arsye na ka thirrur Perëndia. Ai na ka thirrur për të qenë në bashkësi me Të dhe në bashkësi me njëri-tjetrin, jo për t’i dhënë lavdi vetes tonë, por Atij. 

Kjo pjesë u shkëput nga hyrja e librit Nëntë shenja të një kishe të shëndetshme (Wheaton: Crossway, 2000).

Mark Dever është pastori kryesor në kishën baptiste Capitol Hill në Washington, D. C. dhe president i 9marks. E gjeni në Twitter në @MarkDever.

Botuar me leje:https://www.9marks.org/article/re-imagining-success-ministry/ 
Përktheu: Sara Gjana  | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

Etiketa9marks

Postime të ngjashme

Cilët janë disa mesazhe që njerëzit, në mënyrë të rreme, deklarojnë se janë ungjilli?
Çfarë është një plak kishe?
Askush nuk merr kishën që do
>