Jam i sigurt që u gëzuat të mësoni që 9Marks i ka kushtuar një Periodik të tërë temës së ferrit. Në fakt, kjo është një temë si asnjë tjetër e cila na bën që të largojmë vështrimin prej saj dhe të mendojmë për diçka krejt tjetër.

Për disa, tmerri i doktrinës së krishterë të ferrit – fakti që është një vend mundimi të vetëdijshëm dhe të përjetshëm në të cilin dënohen armiqtë e Perëndisë – i ka bërë që jo vetëm të largojnë sytë dhe mendjen nga kjo temë, por edhe ta mohojnë krejtësisht. “Sigurisht,” thonë ata, “ferri është një krijim i shpikur i cili përdoret për t’i shtypur njerëzit me frikë; një Perëndi dashurie nuk do ta lejonte kurrë që një vend i tillë të ekzistonte.” Është e sigurt që në këtë argument ekziston një fuqi emocionale. Askush, dhe sigurisht që asnjë i krishterë nuk e pëlqen idenë e ferrit.

Në të njëjtën kohë, kjo doktrinë nuk është thjesht perdja anëvetë botëkuptimit të krishterë, diçka që nuk ka rëndësi për strukturën e vetë besimit. Doktrina e ferrit nuk është as mbetje primitive, e sikletshme dhe e panevojshme të cilën e besojmë thjesht sepse na është thënë se duhet ta besojmë.

Përkundrazi, doktrina dhe realiteti i ferrit në fakt e paraqet për ne lavdinë e ungjillit në një kontrast të fortë. Na ndihmon të kuptojmë se sa i madh është vërtetë Perëndia, sa mjerisht mëkatarë që jemi ne, dhe sa e mahnitshme dhe e patregueshme është që Ai të na tregojë hir. Për më tepër, realiteti i ferrit – nëse nuk e nxjerrim nga mendjet tona – do të na fokusojë mbi të gjitha tek detyra e shpalljes së ungjillit ndaj atyre që janë në rrezik që ta kalojnë përjetësinë atje.

Me këtë gjë në mendje, ja tek janë pesë deklarata biblike rreth ferrit, të cilat nëse merren së bashku demonstrojnë pse ferri është thelbësor për ungjillin.

Nuk do ta theksoj së tepërmi këtë pikë. Të tjerë e kanë paraqitur këtë gjë me qartësi të kristaltë. Mjafton të themi që peshkopët e mesjetës nuk e shpikën doktrinën e ferrit si një mënyrë për t’i frikësuar skllevërit; ata e mësuan nga apostujt. Dhe apostujt vetë nuk e shpikën që të frikësonin paganët; ata e morën nga Jezusi. Jezusi nuk e huazoi nga Zoroastrianët për të trembur Farisenjtë; ai ishte Perëndi, dhe e dinte që ishte e vërtetë, dhe ua tha këtë gjë. Përveç kësaj, realiteti i ferrit tashmë ishte zbuluar në Dhjatën e Vjetër.

Prandaj, në nivelin më bazë, nëse shpallim që jemi të krishterë dhe që e besojmë se Bibla është fjala e Perëndisë duhet të dallojmë që Bibla na e mëson realitetin e ferrit. Por ka më tepër.

A keni dëgjuar ndonjëherë dikë që paraqet argumentin që asnjë mëkat njerëzor nuk mund të meritojë mundim të përjetshëm në ferr? Ky është një argument interesant, një argument që zbulon shumë gjëra rreth zemrës njerëzore. Si shpjegohet që kur njerëzit mendojnë për ferrin, gjithmonë dalin në konkluzionin që Perëndia duhet ta ketë gabim dhe jo ata? Mund të shihni sesi kjo doktrinë zbulon zemrat tona: kur konsiderojmë mëkatin tonë, prirja jonë e parë gjithmonë është që ta minimizojmë, të protestojmë që nuk është dhe aq keq dhe që Perëndia e ka gabim kur thotë se meriton ndëshkim.

Realiteti i ferrit qëndron si një mohim i madh ndaj vetë-justifikimit. Jo të krishterët gjithmonë do t’i shohin tmerret e ferrit si një akuzë ndaj Perëndisë, por të krishterët e dinë që Perëndia është përsosmërisht i drejtë dhe i paanshëm, duhet të kuptojmë që tmerret e ferrit janë në fakt një akuzë kundër nesh. Mund të duam ta minimizojmë mëkatin tonë, ta justifikojmë apo të përpiqemi ta qetësojmë ndërgjegjen tonë me argumente. Por fakti që Perëndia ka shpallur që ne meritojmë mundim të përjetshëm për ato mëkate duhet të na kujtojë që ato nuk janë aspak të vogla. Ato janë jashtëzakonisht të liga.

Përgjatë gjithë historisë njerëzit janë tunduar të mendojnë për Perëndinë si një gjykatës i korruptuar, si dikush që lë mënjanë kërkesat e drejtësisë thjesht sepse i pëlqen i pandehuri. Argumenti thotë, “Ne të gjithë jemi fëmijët e Perëndisë. Si mund të japë Perëndia një dënim kaq të tmerrshëm për disa prej fëmijëve të tij?” Përgjigja për këtë pyetje është e thjeshtë: Perëndia nuk është një gjykatës i korruptuar. Ai është një gjykatës absolutisht i drejtë dhe i paanshëm.

Bibla e thekson herë pas here këtë gjë. Kur Perëndia ia zbuloi veten Moisiut, shpalli që ishte i dhembshur dhe i dashur, por gjithashtu tha, “Megjithatë ai nuk e lë të pandëshkuar fajtorin.” Psalmet shpallin “Drejtësia dhe e vërteta janë themeli i fronit të tij.” Çfarë deklarate e mahnitshme! Nëse Perëndia do të vazhdojë të jetë Perëndi, nuk ka mundësi që thjesht ta lërë mënjanë drejtësinë dhe ta mbulojë mëkatin nën rrogoz. Ai duhet ta trajtojë mëkatin – në mënyrë të prerë dhe me drejtësi gjykuese. Kur Perëndia më në fund do të gjykojë, asnjë mëkat nuk do të marrë më tepër ndëshkim nga sa meriton. Po ashtu asnjë mëkat nuk do të marrë më pak ndëshkim nga sa meriton.

Bibla na thotë që një ditë, kur Perëndia t’i dënojë armiqtë e tij në ferr, tërë gjithësia do ta dallojë dhe pranojë se ajo që Ai ka vendosur është pa pikë dyshimi e drejtë dhe me vend. Isaia 5 e thekson këtë pikë me qartësi të mprehtë: “Prandaj Sheoli ka zmadhuar gojën e tij dhe e ka hapur gojën e tij jashtë mase.” Ky është një imazh grotesk, varri e hap gojën e tij për të gëlltitur banorët e Jerusalemit. Megjithatë, përmes kësaj Isaia deklaron, “Por Zoti i ushtrive do të jetë lartësuar në gjyq, dhe Perëndia i shenjtë do të tregohet i shenjtë në drejtësi.” Në mënyrë të ngjashme Romakëve 9:22 na thotë që përmes mundimeve të ferrit, Perëndia do “të tregojë zemërimin e tij dhe do të bëjë të njohur fuqinë e tij,” në mënyrë që ai të mund “të bëjë të njohura pasuritë e hirit të tij ndaj enëve të mëshirës.”

Mund të mos e kuptojmë dot plotësisht tani, por një ditë vetë ferri do të shpallë lavdinë e Perëndisë. Do ta bëjë – edhe në tmerrin e tij – do të dëshmojë bashkë me psalmistin, “Drejtësia dhe e vërteta janë themeli i fronit të tij.”

Romakëve 3 na thotë që Perëndia e paraqiti Jezusin si flijim shlyerje “për të demonstruar drejtësinë e tij.” Ai e bëri këtë “për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë.”

Pse u desh që Jezusi të vdiste në kryq? Kjo ishte për shkak se kjo ishte e vetmja mënyrë sesi Perëndia me të drejtë të mos e dërgonte çdo person në ferr. Jezusit iu desh të merte atë që meritonim ne, dhe kjo do të thotë që ai duroi ekuivalentin e ferrit ndërsa u varr në kryq. Kjo nuk do të thotë që Jezusi shkoi realisht në ferr. Por do të thotë që gozhdët dhe gjembat ishin vetëm  fillimi i vuajtjes së Jezusit. Thellësia e vërtetë e vuajtjes së tij erdhi kur Perëndia derdhi zemërimin e tij mbi Jezusin. Kur ra errësira, kjo nuk ishte thjesht që Perëndia po mbulonte vuajtjen e Birit të Tij, sikurse kanë thënë disa. Kjo ishte errësira e mallkimit të zemërimit të Perëndisë. Ishte errësira e ferrit, dhe në atë moment Jezusi po duronte furinë e tij të plotë – furinë e zemërimit të Perëndisë të Plotfuqishëm.

Kur e kuptoni kryqin nën këtë dritë, filloni të kuptoni më mirë sesa i mahnitshëm është hiri i Perëndisë ndaj jush, nëse jeni i krishterë. Misioni i shpengimit që Jezusi ndërmori përfshinte një përkushtim për të duruar zemërimin e Perëndisë në vendin tënd, për të marrë ferrin që meritoje ti. Çfarë shfaqje e mahnitshme e dashurisë dhe mëshirës që është kjo! Megjithatë, ju do ta shihni dhe kuptoni qartë këtë shfaqje të dashurisë kur kuptoni, pranoni dhe dridheni para tmerreve të ferrit.

Nëse ferri është real, dhe nëse njerëzit janë vërtet në rrezik që ta kalojnë përjetësinë atje, atëherë nuk ka detyrë më urgjente dhe të rëndësishme sesa të bësh saktësisht atë që Jezusi u tha apostujve të tij të bënin para se ai të ngjitej në qiell – shpallini botës lajmin e mirë që falja e mëkateve ofrohet përmes Jezu Krishtit!

Mendoj se John Piper e ka kapur plotësisht si duhet në një interviste me The Gospel Coalition [Koalicioni i Ungjillit]: “Është shumë e vështirë të heqësh dorë nga ungjilli nëse beson se ekziston ferri, që pas kësaj jete ekziston një vuajtje e pafundme për ata që nuk besuan në ungjillin.” Ka lloj-lloj gjërash të mira që të krishterët bëjnë – dhe në fakt duhet t’i bëjnë! Por nëse ferri është i vërtetë, ia vlen të mbajmë në mendje – jo, është e domosdoshme që të mbajmë në mendje – që e vetmja gjë të cilën mund ta bëjnë të krishterët dhe askush tjetër në botë është t’u thonë njerëzve sesi mund t’u falet mëkati i tyre, si mund të evitojnë kalimin e përjetësisë në ferr.

Nuk ka dyshim që doktrina e ferrit është e tmerrshme. Kjo doktrinë është e tmerrshme për shkak se realiteti është i tmerrshëm. Por kjo nuk është arsye për t’i larguar sytë tanë prej saj dhe për ta injoruara, dhe aq më pak për ta mohuar atë.

Ka njerëz që mendojnë se duke e mohuar apo të paktën duke e injoruar këtë doktrinë në predikimin e tyre, në këtë mënyrë po e bëjnë Perëndinë më të lavdishëm apo më të dashur! Larg qoftë! Ajo që ata janë duke bërë në të vërtetë është që pa dashur po ia vjedhin lavdinë Shpëtimtarit Jezu Krisht, sikur ajo prej së cilës na shpëtoi… në fund të fundit nuk është aq e keqe.

Në fakt, natyra e tmerrshme e asaj nga e cila jemi shpëtuar vetëm sa e intensifikon lavdinë e asaj në të cilën jemi shpëtuar. Jo vetëm kaq, por ndërsa i shohim edhe më qartë tmerret e ferrit, shohim me më tepër dashuri, me më tepër mirënjohje dhe me një adhurim edhe më të madh tek Ai që duroi atë ferr për ne dhe na shpëtoi.

__CONFIG_colors_palette__{"active_palette":0,"config":{"colors":{"c162b":{"name":"Main Accent","parent":-1}},"gradients":[]},"palettes":[{"name":"Default","value":{"colors":{"c162b":{"val":"var(--tcb-skin-color-0)"}},"gradients":[]},"original":{"colors":{"c162b":{"val":"rgb(19, 114, 211)","hsl":{"h":210,"s":0.83,"l":0.45,"a":1}}},"gradients":[]}}]}__CONFIG_colors_palette__
I mëparshmi
__CONFIG_colors_palette__{"active_palette":0,"config":{"colors":{"c162b":{"name":"Main Accent","parent":-1}},"gradients":[]},"palettes":[{"name":"Default","value":{"colors":{"c162b":{"val":"var(--tcb-skin-color-0)"}},"gradients":[]},"original":{"colors":{"c162b":{"val":"rgb(19, 114, 211)","hsl":{"h":210,"s":0.83,"l":0.45,"a":1}}},"gradients":[]}}]}__CONFIG_colors_palette__
Pasuesi

Postime të ngjashme

>