Kohët e fundit ka pasur shumë biseda në qarqet ungjillore për mënyrën sesi të krishterët duhet ta përkufizojnë ungjillin – nëse duhet të themi që ungjilli është thjesht mesazhi që mëkatarët mund të falen nga mëkati përmes pendimit dhe besimit në Krishtin e kryqëzuar, apo nëse është diçka më e gjerë se kaq. Me raste biseda është bërë e mprehtë për të mos thënë e nxehtë me anëtarët e një kampi që thonë se ata në kampin tjetër po tregohen “reduksionistë” rreth ungjillit, kurse ata në kampin e dytë thonë që akuzuesit e tyre në fakt po e hollojnë ungjillin dhe po e shpërqendrojnë kishën nga misioni që i ka dhënë Perëndia.

Mua më duket që mund ta qartësojmë një pjesë të konfuzionit duke bërë disa vëzhgime të kujdesshme. Besoj që të dyja kampet e mëdha në këtë bisedë – ata që thonë se Ungjilli është lajmi i mirë që Perëndia po i pajton mëkatarët me veten përmes vdekjes zëvendësuese të Jezusit (le t’i quajmë grupi “A”) dhe ata që thonë se ungjilli është lajmi i mirë që Perëndia do ta ripërtërijë dhe ribëjë gjithë botën përmes Krishtit (grupi “B”) – më së shumti flasin për gjera të ndryshme. Me fjalë të tjera, nuk mendoj që grupi A dhe grupi B po i përgjigjen të njëjtës pyetjeje. Sigurisht që të dyja kampet thonë se janë duke iu përgjigjur pyetjes “Çfarë është ungjilli?” prandaj dhe ka tension mes dy përgjigjeve. Por nëse i kushtojmë vëmendje nga afër, mendoj se do të shohim që ata në fakt po u përgjigjen dy pyetjeve shumë të ndryshme por të cilat janë njëlloj biblike.

Dy pyetjet janë këto:

Çfarë është Ungjilli? Me fjalë të tjera, cili është mesazhi që një person duhet të besojë që të shpëtohet?

Dhe

Çfarë është ungjilli? Me fjalë të tjera, cili është gjithë lajmi i mirë i krishterimit?

Kur një person nga grupi A dëgjon pyetjen “Çfarë është ungjilli?” e kupton në këtë mënyrë, “Cili është mesazhi që një person duhet ta besojë për t’u shpëtuar?” dhe i përgjigjet asaj duke folur për vdekjen e Krishtit në vend të mëkatarëve, dhe me thirrjen për t’u penduar dhe për të besuar.

Kur një person nga grupi B dëgjon pyetjen “Çfarë është ungjilli?” e kupton në këtë mënyrë, “Cili është gjithë lajmi i mirë i krishterimit?” dhe i përgjigjet duke folur rreth qëllimit të Perëndisë për ta ripërtërirë botën përmes Krishtit.

Mund ta kuptoni pse ekziston tension mes të dyjave. Nëse i përgjigjesh pyetjes (1) duke folur për krijimin e ri, njerëzit me të drejtë do të thonë që përgjigja juaj është tepër e gjerë dhe që po e largon kryqin nga vendi i tij qendror. Kur njerëzit në Shkrim bënë pyetjen “Çfarë duhet të bëj që të shpëtohem?” përgjigja që morrën ishte të pendoheshin për mëkatin dhe të besonin në Jezusin – dhe jo diçka rreth krijimit të ri që do të vijë.

Megjithatë, është po aq e vërtetë që Bibla nganjëherë (madje shpesh) flet rreth “ungjillit” me termat e krijimit të ri. Prandaj, t’i përgjigjesh pyets (2) vetëm duke folur për vdekjen e Krishtit në vend të mëkatarëve dhe të thuash që gjithçka tjetër me përkufizim nuk është ungjill (por thjesht rrjedhojë e tij), është me të vërtetë tepër e ngushtë. Kjo do të thotë që premtime të tilla si ringjallja e trupit, pajtimi i Judenjve me johebrenjtë, qielli dhe toka e re, dhe shumë të tjera në një farë mënyrë nuk janë pjesë e asaj të cilën Bibla na e paraqet si “lajmi i mirë” i krishterimit.

Ajo që kemi nevojë të kuptojmë është që asnjëra nga këto dy pyetje nuk është e gabuar, dhe asnjëra nuk është mëtepër biblike se tjetra. Bibla i bën të dyja këto pyetje dhe u përgjigjet të dyjave. Më lejoni tani t’ju tregoj nga Shkrimi pse mendoj që të dyja këto pyetje që kam përmendur janë legjitime dhe biblike.

Ndërsa e lexoj Biblën më duket që ajo e përdor fjalën “ungjill” në dy mënyra të ndryshme, por tepër të lidhura. Nganjëherë e përdor fjalën “ungjill” në një mënyrë shumë të gjerë, domethënë, për të përshkruar të gjitha premtimet që Perëndia synon t’i plotësojë në Krishtin, ku përfshihet jo vetëm falja e mëkatit, por edhe gjithçka tjetër që rrjedh prej saj – themelimi i mbretërisë, qielli i ri dhe toka e re, etj. Megjithatë, ka edhe raste të tjera ku fjala “ungjill” përdoret në një mënyrë shumë të ngushtë, domethënë, për të përshkruar specifikisht faljen e mëkateve përmes vdekjes zëvendësuese dhe ringjalljes së Krishtit. Në ato vende nuk duket sikur flitet fare për premtimet e gjera.

Ja disa prej vendeve më të qarta, ku unë mendoj që Bibla e përdor fjalën “ungjilli” në kuptimin e ngushtë:

Veprat 10:36-43: “Sipas fjalës që ai u ka dhënë bijve të Izraelit, duke u shpallur paqen me anë të Jezu Krishtit, që është Zoti i të gjithëve… Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët, që kushdo që beson në të merr faljen e mëkateve me anë të emrit të tij.”

Pjetri thotë që ungjilli që ai predikon është ungjilli i “paqes përmes Jezu Krishtit,” me të cilën do të thotë specifikisht lajmi i mirë “që kushdo që beson në të merr faljen e mëkateve me anë të emrit të tij.”

Romakëve 1:16-17: “Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë Judeun e pastaj Grekun. Sepse drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të nga besimi në besim siç është shkruar: ‘I drejti do të jetojë me anë të besimit’.”

Pali e përkufizon ungjillin në termat e “shpëtimit” dhe drejtësisë së Perëndisë të cilat zbulohen përmes besimit. Përgjatë pjesës tjetër të librit bëhet e qartë që këtu ai është duke folur për faljen e mëkateve (drejtësimin) gjë e cila është përmes besimit, jo përmes veprave. Fokusi i tij tek Romakët nuk është tek mbretëria që po vjen, por tek mënyra sesi dikush bëhet pjesë e saj. Këtë Pali e quan “ungjill.”

1 Korintasve 1:17-18: “Sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj ungjillin, jo me dituri fjale, që kryqi i Krishtit të mos dalë i kotë. Sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë.”

Ungjilli që Pali është dërguar të predikojë është “mesazhi i kryqit.”

1 Korintasve 15:1-5 “Tani, o vëllezër, po ju deklaroj ungjillin që ju kam shpallur dhe që ju e keni marrë dhe mbi të cilin ju qëndroni, dhe me anë të të cilit ju jeni shpëtuar, nëse do ta mbani fjalën që ju kanë predikuar, veç nëse besuat kot. Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve, se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve, edhe se iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve.”

Ungjilli që Pali u predikoi atyre dhe të cilin ata e pranuar ishte që “Krishti vdiq për mëkatet tona… u varros… dhe u ringjall.”Referencat pasuese ndaj shfaqjeve të Jezusit të ringjallur nuk duhen marrë si pjesë të “ungjillit,” sikur na duhet t’i themi dikujt që Jezusi iu shfaq Pjetrit, të dymbëdhjetëve, dhe Jakobit, sepse ndryshe nuk po u themi ungjillin.

Këto referenca kanë për qëllim ta themelojnë ringjalljen si reale dhe historike.

Ja disa prej vendeve më të qarta ku unë mendoj se fjala ungjill është përdorur në kuptimin e gjerë:

Mateu 4:23: “Jezusi shkonte kudo nëpër Galile, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje dhe çdo lëngatë në popull.”

Ky është rasti i parë ku përmendet fjala “ungjill” në tregimin e Mateut, prandaj duhet të presim që kësaj fjale t’i jepet një lloj përkufizimi. Për të zbuluar përmbajtjen e “ungjillit të mbretërisë” që Jezusi predikoi, shohim pas tek vargu 17, ku për herë të parë përmendet “mbretëria.” Atje Jezusi është regjistruar duke predikuar, “Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!”

Ungjilli i mbretërisë që Jezusi predikoi ishte mesazhi që a) mbretëria kishte ardhur, dhe b) ata që pendohen mund të hyjnë në të.

Marku 1:14-15: “Dhe mbasi e burgosën Gjonin, Jezusi erdhi në Galile duke predikuar ungjillin e mbretërisë së Perëndisë, dhe duke thënë: ”U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër. Pendohuni dhe besoni ungjillin”.

Me përjashtim të vargut të parë, ky është përdorimi i parë i fjalës ungjill në tregimin e Markut. “Ungjilli i Perëndisë” që Jezusi shpalli ishte: “U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër. Pendohuni dhe besoni ungjillin.”

Ungjilli i Perëndisë është mesazhi që a) mbretëria ardhur, dhe b) ata që pendohen dhe besojnë mund të hyjnë në të.

Luka 4:18: “Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillëzuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit…”

Kjo është një pjesë nga Dhjata e Vjetër nga e cila Jezusi nisi shërbesën e tij publike. Fjala “lajm i mirë”,  sikurse përdoret tek Isaia 61:1, mendoj që i referohet themelimit të plotë të sundimit-mbretërisë së Perëndisë.

Veprat 13:32-33 “Dhe ne po ju shpallim lajmin e mirë të premtimit që u qe bërë etërve, duke ju thënë se Perëndia e ka përmbushur për ne, bij të tyre, duke ringjallur Jezusin..”

Vargu 38 është shumë i qartë që lajmi i mirë që solli Pali ishte që falja e mëkatit vjen përmes “këtij njeriu.” Por gjithashtu, në vargun 32 “lajmi i mirë” thuhet që është “premtimit që u qe bërë etërve, duke ju thënë se Perëndia e ka përmbushur për ne… duke ringjallur Jezusin.” Sigurisht që premtimi e Perëndisë ndaj etërve i cili tani është përmbushur në Jezusin, përfshinte por nuk ishte i kufizuar tek falja e mëkateve.

Prandaj, nëse shohim me kujdes Dhjatën e Re, më duket që fjala “ungjill” është përdorur si në kuptimin e gjerë ashtu dhe në kuptimin e ngushtë. Në kuptimin e gjerë si tek Mateu 4, Marku 1, Luka 4 dhe Veprat 13, u referohet premtimeve që na janë bërë përmes veprës së Jezusit – jo vetëm falja e mëkateve, por gjithashtu edhe ringjallja, pajtimi me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin, shenjtërimi, përlëvdimi, Mbretëria që po vjen, qiejt e rinj dhe toka e re, e kështu me radhë. Mund të thoni që në ato raste, fjala “ungjill” i referohet gjithë tërësisë së premtimeve të Perëndisë të siguruar përmes jetës dhe veprës së Krishtit. Këtë kuptim të gjerë mund ta quajmë Ungjilli i Mbretërisë. Në kuptimin e ngushtë, si ai që shohim tek Veprat 10, gjithë letra e Romakëve, 1 Korintasve 1 dhe 1 Korintasve 15, fjala “ungjill” i referohet specifikisht vdekjes shlyese dhe ringjalljes së Jezusit si dhe thirrjes drejtuar të gjithë njerëzve që të pendohen dhe të besojnë në të. Këtë mund ta quajmë kuptimi i ngushtë i Ungjillit të Kryqit.

Tani më lejoni që të qartësoj dy gjëra të tjera. Së pari, përdorimi i gjerë i fjalës “ungjill” në mënyrë të domosdoshme përfshin kuptimin e ngushtë. Shikoni ato shembuj nga Mateu dhe Marku. Jezusi nuk është thjesht duke shpallur ardhjen e mbretërisë, sikurse kanë thënë shumë persona. Ai shpalli ardhjen e mbretërisë dhe gjithashtu shpalli mënyrën për të hyrë në të. Shikoni nga afër: Jezusi nuk predikoi ungjillin duke thënë, “Mbretëria e qiejve ka ardhur!” Ai predikoi ungjillin duke thënë, “Mbretëria e qiejve ka ardhur. Prandaj pendohuni dhe besoni!” Kjo është thelbësore, dallimi mes Ungjillit dhe jo-Ungjillit: Të shpallësh inaugurimin e mbretërisë dhe krijimit të ri dhe gjithë të tjerat pa shpallur sesi njerëzit mund të hyjnë në të – duke u penduar dhe duke u falur nga mëkatet përmes besimit në Krishtin dhe në vdekjen e tij shlyese – do të thotë të predikosh një jo-Ungjill. Në të vërtetë do të thotë të predikosh një lajm të keq, përderisa nuk u jepni njerëzve shpresë për t’u përfshirë në krijimin e ri. Ungjilli i Mbretërisë nuk është thjesht shpallja e mbretërisë. Është shpallja e mbretërisë me shpalljen që njerëzit mund të hyjnë në të duke u penduar dhe besuar në Krishtin.

Së dyti, ia vlen të vëmë sërish në dukje në mënyrë qartë faktin që Dhjata e Re e quan “Ungjill” mesazhin e veçantë dhe të ngushtë të faljes së mëkateve përmes Krishtit. Prandaj, ata që argumentojnë duke thënë, “Nëse jeni thjesht duke predikuar faljen e mëkateve përmes Krishtit, dhe jo synimin e Perëndisë për ta ribërë botën, nuk jeni duke predikuar ungjillin,” e kanë gabim. Si Pali ashtu dhe Pjetri (thjesht për të përmendur emrat nga shembujt e mësipërm) duken mjaft të lumtur të thonë që ata kanë predikuar “Ungjillin” nëse u kanë thënë njerëzve për faljen e mëkateve përmes vdekjes zëvendësuese të Jezusit, pikë.

Nëse është e vërtetë që Dhjata e Re e përdor fjalën “ungjill” në kuptim të gjerë dhe në kuptim të ngushtë, si duhet ta kuptojmë marrëdhënien mes këtyre dy kuptimeve, mes Ungjillit të Mbretërisë dhe Ungjillit të Kryqit? Kjo është pyetja e radhës, dhe sapo t’i përgjigjemi asaj, mendoj që do të na ndihmojë të jemi më të qartë në mendjen tonë në lidhje me disa pyetje vërtet të rëndësishme.

Pra, si lidhet Ungjilli i Mbretërisë me Ungjillin e Kryqit? Tashmë kam argumentuar që Ungjilli i Mbretërisë në mënyrë të domosdoshme përfshin Ungjillin e Kryqit. Por në mënyrë më specifike, a është Ungjilli i Kryqit thjesht një pjesë e Ungjillit e Mbretërisë, apo është diçka më tepër? A është qendror për të, a është periferik, a është thelbi i tij, apo diçka tjetër? Meqë ra fjala, pse shkrimtarët e Dhjatës së Re janë të gatshëm ta zbatojnë fjalën “ungjill” për premtimin e veçantë të faljes së mëkateve përmes besimit në Krishtin, dhe jo për premtimet e tjera të veçanta që përfshihen në ungjillin më të gjerë? Pse nuk shohim kurrë që Pali të thotë, “Ky është ungjilli im, që njerëzit të pajtohen me njëri-tjetrin!”?

Mendoj që për të gjitha këto pyetje mund të marrim një përgjigje duke kuptuar që Ungjilli i Kryqit nuk është thjesht një pjesë e çfarëdoshme e Ungjillit të Mbretërisë. Përkundrazi, ungjilli i kryqit është porta, burimi, madje fara, nëse mund të themi kështu, e ungjillit të mbretërisë. Lexoni gjithë Dhjatën e Re, dhe shumë shpejt do të kuptoni që mesazhi i saj i njëzëshëm është që një person nuk mund të arrijë tek ato bekime të gjera të Mbretërisë përveçse duke u falur për mëkatin përmes vdekjes së Krishtit. Ky është burimi prej të cilit rrjedhin gjithë bekimet e tjera.

Kjo mendoj unë është arsyeja pse unë e shoh si përsosmërisht me vend që autorët biblikë ta quajnë këtë burim “Ungjilli” dhe në të njëjtën kohë ta quajnë gjithë paketën “Ungjill” – duke përfshirë këtu faljen, drejtësimin, ringjalljen, krijimin e ri dhe gjithë të tjerat. Ne pra nuk e quajmë pajtimin njerëzor “Ungjill.” Madje as qiejt e rinj dhe tokën e re nuk i quajmë “Ungjill.” Por faljen përmes shlyerjes e quajmë “Ungjill” për shkak se ajo është burimi dhe porta për tek gjithë bekimet e tjera.

Ka disa rrjedhoja të rëndësishme që dalin prej kësaj.

Së pari, ia vlen të themi sërish: Ata që debatojnë se “ungjilli” është shpallja e mbretërisë thjesht e kanë gabim. Ungjilli nuk është shpallja e mbretërisë; (në kuptimin më të gjerë) është shpallja e mbretërisë bashkë me mënyrën për të hyrë në të.

Së dyti, të thuash që Ungjilli i Kryqit në një farë mënyre nuk është ungjilli, apo më pak se ungjilli, është e gabuar. Për aq kohë që pyetja është, “Cili është mesazhi që një person duhet të besojë për t’u shpëtuar,” ungjilli i kryqit është ungjilli. Jezusi, Pali dhe Pjetri na thonë kështu.1

Së treti, të thuash që Ungjilli i Mbretërisë është në një farë mënyre ungjilli-plus, apo një shpërqendrim nga ungjilli i vërtetë, është gjithashtu e gabuar. Për aq kohë sa pyetja është “Cili është lajmi i mirë i krishterimit,” ungjilli i mbretërisë nuk është ungjilli-plus; ai është ungjilli. Jezusi, Pali dhe Pjetri na thonë kështu.

Së katërti, është e gabuar ta quash një person të krishterë thjesht është janë duke bërë gjëra të mira dhe po “ndjek shembullin e Jezusit.” Të jesh i krishterë, të jesh pjesëmarrës i bekimeve të Mbretërisë, kërkon që së pari të kalosh përmes portës – domethënë, të vish tek Krishti me besim, të të falet mëkati dhe të marrësh shlyerjen. Bunjani tregon historinë në librin e tij Rruga e Shtegëtarit për personazhet z. Formalist dhe z. Hipokrizi të cilët i Krishteri i takon në shtegun për në Qytetin Qiellor. Megjithatë, pas disa minutash bisedë i Krishteri e kupton që ata kanë kapërcyer murrin për të hyrë në shteg në vend që të hynin përmes Derëzës së Ngushtë. Rezultati: Këta të dy nuk janë të krishterë, pavarësisht sesa mirë po ecin tani në shteg. Për t’i ndryshuar paksa personazhet, ka shumë njerëz që duhet të kuptojnë se z. Ndjekës_i_Jezusit dhe z. Jetuesi_i_Jetës_së_Mbretërisë nuk janë të krishterë – nuk janë të tillë po qe se nuk kanë ardhur tek Jezusi me pendim dhe besim për faljen e mëkateve të tyre.

Një person mund të “jetojë sikurse jetoi Jezusi” sa të ketë dëshirë, por nëse nuk kalon përmes Derëzës së Ngushtë të shlyerjes, besimit dhe pendimit ai person nuk ka ardhur me të vërtetë tek Krishti. Ai thjesht ka kërcyer nga murri.

Së pesti, besoj që është e gabuar të themi se jo të krishterët po bëjnë “punën e mbretërisë.” Një jo i krishterë që punon për pajtimin apo drejtësinë mes njerëzve është duke bërë një gjë të mirë, po ajo nuk është punë Mbretërie për shkak se nuk po bëhet në emrin e Mbretit. C. S. Lewis e kishte gabim; nuk mund të bësh gjëra të mira në emrin e Tashit dhe të presësh që Asllani të jetë i lumtur me këtë gjë.

Së gjashti, synimi përfundimtar i çdo shërbese mëshire – qoftë kur bëhet nga një individ i krishterë apo nga një kishë – duhet që të jetë për t’i treguar botës derën. Këtu mund të themi shumë, por mendoj që të kuptuarit si duhet e gjithë kësaj mund të sigurojë një motiv të fuqishëm misionar dhe një dëshmi depërtuese ndaj botës. Për shembull, kur ju rinovoni një berberanë në emrin e Jezusit, keni nevojë t’i tregoni pronarit (për ta thënë prerë e për të mos u zgjatur), “Shiko, unë po e bëj këtë për shkak se i shërbej një Perëndie i cili kujdeset për gjëra si bukuria, rendi dhe paqja. Në fakt, Bibla thotë dhe unë besoj që Perëndia një ditë do ta rikrijojë këtë botë dhe do të inaugurojë një mbretëri kur boja nuk do të bjerë dhe pemët nuk do të thahen. Por [dhe këtu dalim në temë] nuk mendoj që do të jesh pjesë e asaj bote. Për shkak të mëkatit tënd. Nëse nuk pendohesh dhe të besosh në Krishtin.” Pastaj i tregoni atij personi lajmin e mirë të kryqit. Nëse thjesht e rinovoni berberanën dhe shpallni mbretërinë që po vjen, ke dështuar në shpalljen e ungjillit. Ungjilli i mbretërisë është shpallja e mbretërisë bashkë me mënyrën për të hyrë në të.

Së shtati, sikurse kam argumentuar edhe më parë, besoj që shumë persona në të ashtu quajturën kishë emergjente – pavarësisht gjithë këmbënguljes së tyre sesa mahnitës dhe surprizues që është ungjilli – u ka shpëtuar krejtësisht ajo që është vërtet e mahnitshme rreth ungjillit.

Fakti që Jezusi është mbret dhe ka inauguruar një mbretëri dashurie dhe dhembshurie në fund të fundit nuk është vërtet aq mahnitëse. Çdo Jude e dinte që kjo do të ndodhte një ditë. Ajo çfarë është vërtet e mahnitshme rreth ungjillit është që Mbreti Mesianik vdes për të shpëtuar popullin e tij – që Biri hyjnor i Njeriut tek Danieli, Mesia Davidik, dhe Shërbëtori i Përvuajtur tek Isaia dalin që janë i njëjti njeri. Për më tepër, kjo është përfundimisht mënyra sesi i lidhim bashkë Ungjillin e Mbretërisë dhe Ungjillin e Kryqit. Jezusi nuk është thjesht Mbret, ai është Mbreti i Kryqëzuar. Përveç kësaj, ajo që shumë nga kisha emergjente e paraqesin si një ungjill mahnitës nuk është aspak mahnitëse. Është thjesht e mërzitshme.

Së teti, gjithçka që kemi thënë deri tani na çon drejt konkluzionit që theksimet ungjillëzuese, misiologjike dhe pastorale në këtë epokë i përkasin ungjillit të kryqit – i përkasin burimit, portës së ungjillit më të gjerë të mbretërisë. Kjo është për shkak se gjithë të tjerat janë të paarritshme dhe në fakt lajm i keq nëse nuk i drejtojmë njerëzit këtu. Jo vetëm kaq, por kjo është epoka në të cilën urdhri madhor i Perëndisë drejtuar çdo njeriu mbi tokë është “Pendohu dhe beso.”

Ka vetëm një urdhërim që në fakt përfshihet në vetë ungjillin (qoftë ky në kuptimin e gjerë apo atë të ngushtë): Pendohu dhe beso. Ky është detyrimi parësor i qenieve njerëzore në këtë epokë, dhe prandaj duhet të jetë edhe theksimi ynë parësor në predikimin tonë.

Në mënyrë shumë të qartë Jezusi predikon Ungjillin e Kryqit (për shembull tek Marku 10:45) edhe nëse nuk e përdor hapur fjalën “ungjill” në fjalët e tij të regjistruara. Një vërejtje më e përgjithshme, ndërsa pranojmë dobinë e studimit të fjalëve është që nuk duhet ta lidhim përkufizimin tonë të ungjillit dhe identifikimin tonë me të në tekst shumë fort me shfaqjet e fjalës “ungjill.” Ndryshe, do na duhet të themi që Gjoni nuk flet kurrë për ungjillin, pasi nuk e përdor kurrë këtë fjalë në të gjitha shkrimet e tij në Dhjatën e

__CONFIG_colors_palette__{"active_palette":0,"config":{"colors":{"c162b":{"name":"Main Accent","parent":-1}},"gradients":[]},"palettes":[{"name":"Default","value":{"colors":{"c162b":{"val":"var(--tcb-skin-color-0)"}},"gradients":[]},"original":{"colors":{"c162b":{"val":"rgb(19, 114, 211)","hsl":{"h":210,"s":0.83,"l":0.45,"a":1}}},"gradients":[]}}]}__CONFIG_colors_palette__
I mëparshmi
__CONFIG_colors_palette__{"active_palette":0,"config":{"colors":{"c162b":{"name":"Main Accent","parent":-1}},"gradients":[]},"palettes":[{"name":"Default","value":{"colors":{"c162b":{"val":"var(--tcb-skin-color-0)"}},"gradients":[]},"original":{"colors":{"c162b":{"val":"rgb(19, 114, 211)","hsl":{"h":210,"s":0.83,"l":0.45,"a":1}}},"gradients":[]}}]}__CONFIG_colors_palette__
Pasuesi

Postime të ngjashme

>