nick van den berg 1to5r82576i unsplash

Korrik 2022


Kur bëhet fjalë për ungjillëzimet e mëdha, ne kemi një problem me Jezusin.

Nuk kemi problem se kush është Jezusi, patjetër. Jezusi është përgjigjja për pyetjet dhe dëshirat tona më të thella. Ai është i mëshirshmi që kërkon të thyerin, falësi për të cilin ka nevojë njeriu me të meta, i forti tek i cili mund të qajë i dobëti, sfiduesi që kërkon i vetëdrejtësuari.

Në ungjillëzim, si edhe në shërbesë, nëse nuk flasim për Jezusin, po humbasim thelbin dhe fuqinë.

Imagjino Jezusin

Cili është problemi? Është fjala e thjeshtë “Jezusi”. Sapo e lexon këtë fjalë, në fund të fjalisë së parë të këtij postimi, ke një skicë të këtij njeriu në mendjen tënde. Ti e mbush fjalën “Jezus” me një sërë idesh të tuat.

Imazhi yt për Jezusin është (shpresoj!) i informuar nga Shkrimi. Ai është Biri i Perëndisë i mishëruar, i kryqëzuar, i ngritur dhe sundimtar–Jezusi origjinal i historisë.

Por ky nuk është imazhi, që shumica e njerëzve kanë për të. Kur thua “Jezus”, ata kanë një identitet të tij në kokën e tyre, thjesht nuk është ai i vërteti.

Ky është një funksion i kohës, në të cilën po jetojmë. Unë punoj dhe (përpiqem) të dëshmoj në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që pjesa më e madhe e trendeve shkojnë drejt lindjes përgjatë Atlantikut. Fatkeqësisht, eksporti kryesor kulturor i MB-së në SHBA (përveç Downton Abbey) është largimi nga krishterimi.

Në këtë kuptim, të gjithë po zhvendosemi në kontekstin e botës pagane të shekullit të parë–pluraliste dhe jo e krishterë.

Krishti post-kristian

Ndryshimi është se kisha e hershme jashtë Izraelit po dëshmonte një shoqëri para-kristiane. Në Athinë, kur Pali fliste për Krishtin e ngritur, ata nuk kishin dëgjuar kurrë për të. Ata e tallnin apostullin, sepse “shpallte zot të huaj” (Veprat 17:18).

Ne i flasim një shoqërie gjithnjë e më tepër post-kristiane. Kjo do të thotë se Jezusi nuk është i huaj; ai është i zakonshëm. Ai është dikush, jo askush–dhe madje mund të zgjedhësh versionin, që të pëlqen nga ai. Ka disa “Krisht” kulturorë, dhe ti thjesht zgjedh “Jezusin”, që i përshtatet më mirë mendësisë dhe stilit tënd të jetesës, dhe mban atë. Nëse ndonjëherë do të të duhet ta shkëmbesh me një tjetër, mund ta bësh.

Pra, të duhet një mësues i mirë, këshillën e të cilit mund ta pranosh ose injorosh? Mirë se erdhe, mësues i mirë Jezus.

Po kërkon një luftëtar për liri, që të ketë një pankartë të bardhë, ku shkruan sloganin tënd (revolucion i dhunshëm ose ulje taksash apo më shumë mbrojtje, apo më pak luftëra)? Do të të pëlqejë shumë Jezusi Luftëtari i Lirisë.

Do të doje ta refuzoje Jezusin si të dalë nga moda e të harruar, dhe të vazhdosh të jetosh si të të pëlqejë? Ke nevojë për Gjykatësin Jotolerant Jezus.

Të vetmin Jezus që kultura jonë nuk e ofron dhe nuk e përtyp dot, është ai origjinali–ai që nuk mund të ndryshohet, por që na thërret të ndryshojmë.

Prandaj kemi problem me Jezusin në ungjillëzim.

Sapo të thuash “Jezus”, njerëzit dëgjojnë “Gjykatës jotolerant”, “Histori fëmijësh”, “Perëndi i largët”, e kështu me radhë. Pastaj ata dëgjojnë çfarëdo të thuash ti–shpjegimin e mrekullisë së kryqit, gëzimin e varrit bosh apo realitetin e gjykimit–brenda asaj kategorie të rreme që kanë për Jezusin. Prandaj ungjilli nuk ka shumë kuptim dhe nuk duket tërheqës. Edhe pse është e vetmja gjë, që ka plotësisht kuptim dhe është pafundësisht e mrekullueshme! Në një bisedë ku dy njerëz flasin për Jezusin, ata në fakt, shpesh po flasin për dy njerëz të ndryshëm.

Të bësh lidhjen

Çfarë do të thotë kjo për dëshminë tonë? Së pari, kemi nevojë të pranojmë se mënyra si dëshmojmë (edhe pse jo përmbajtja) duhet të ndryshojë siç ndryshon shoqëria. Prandaj duhet të marrim kohë për të bërë pyetje dhe për t’i dëgjuar mirë njerëzit, që të dimë se cili imazh u vjen në mendje kur dëgjojnë emrin: “Jezus”.

Pastaj mund ta lidhim imitimin e tyre të zbehtë të Jezusit me lavdinë e plotë, shumëngjyrëshe dhe HD të Zotit Jezus. Jo duke jua treguar sa gabim janë, por duke e lidhur imazhin, që ata kanë, me një nga këto dy mënyra:

Jezusi është më i mirë nga çfarë kishit menduar. “Po. Jezusi është një mësues i mirë. Por shiko, ai është mësuesi i mirë, që qetësoi stuhinë. Pra, ai s’mund të jetë thjesht një mësues i mirë–ai është Perëndia, që na mëson. Kjo e vendos Jezusin në një kategori tërësisht të re, më emocionuese apo jo?”

Ajo që mendon për Jezusin, është më e mirë nga ajo që kishit menduar. “Po, Jezusi është një gjykatës jotolerant. Ai është shumë jotolerant ndaj së keqes–a nuk je dhe ti? Ai do t’i gjykojë keqbërësit–dhe mendoj se thellë brenda teje do të doje që ai t’i gjykonte. Në fakt, është lajm i mirë që Jezusi është një gjykatës jotolerant, por është e lajm shqetësues gjithashtu…”

Tako Jezusin, Origjinalin

Kur bëhet fjalë për ungjillëzimin, ne kemi një problem me Jezusin, por kemi edhe një mundësi të mrekullueshme. Në çdo aspekt, Jezusi i historisë dhe i qiellit është shumë më i vërtetë dhe sjell më tepër gëzim se Krishti i rremë i kulturës sonë. Është privilegji ynë t’i themi dikujt: “Lejomë të të them diçka për Jezusin tim. Ai është më i mëshirshëm, më kundërshtues, më bindës nga sa e ke imagjinuar ndonjëherë. Dhe është i vërtetë. A nuk do të doje ta njihje më shumë?

Carl Laferton është autori i disa librave për fëmijë, përfshirë bestseller-in The Garden, the Curtain and the Cross. Libri i tij më i ri, The God Contest, u tregon fëmijëve se si Perëndia ka vërtetuar se është Perëndia i vërtetë. Carl është bashkëshorti i Lizzie, babai i Benjamin dhe Abigail, dhe shërben si dhjak në Grace Church Worcester Park në Londër, Mbretëria e Bashkuar,  dhe punon për EVP Publishing e The Good Book Company.


Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje nga DesiringGod:  https://www.desiringgod.org/articles/the-problem-with-jesus       
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim