catalin pop noydsjiwmsg unsplash

Maj 2022


“E di që nuk më beson, por kam nevojë për krishterimin që të jem i lumtur. Jam më i lumtur se shumica e të krishterëve që njoh.” Duke parë nga kafja e tij, ai buzëqeshi dhe më siguroi: “Jam i kënaqur që e ke gjetur lumturinë te Jezusi, por unë jam mjaft i kënaqur edhe pa të. E kam gjetur rrugën time të lumturisë dhe jam i gëzuar që ti ke gjetur një tjetër. Me sa duket kemi të njëjtin qëllim.”

Nuk dija çfarë të thosha.

E dija si ta ndaja Gëzimin e botës me të trishtuarit, me mjeranët, me të dëbuarit, por mbeta i shushatur nga ky njeri që më tha shumë qartësisht: “Unë nuk kam nevojë për Krishtin që të jem i lumtur.” A nuk ishte zemra e tij e shqetësuar derisa gjeti pushimin tek Ai? Ai më siguroi që nuk ishte. A nuk kishte një boshllëk me formën e Perëndisë në zemrën e tij? Ai u betua që nuk e kishte. Dhe për më tepër, ai dukej vërtet i lumtur, me aq sa dalloja unë.

E dija se Jezusi ishte Ngushëllues për ata që vajtojnë, një Dritë për ata në errësirë, Ylli i Mëngjesit për ata që endeshin në botë pa shpresë. Por në fakt, Nuk e dija çfarë ishte për ata që janë të lumtur në mënyrën e tyre.

A mund të jenë jobesimtarët vërtet të lumtur?

Do të doja të kthehesha në kohë dhe të flisja me këtë njeri. Në vend që të përpiqesha ta bindja me orë të tëra se nuk ishte vërtet i lumtur, që të ndaja për Krishtin me të, do të doja t’i kisha folur siç u drejtohet Pali atyre që gjeti në Listra.

Por [Perëndia] nuk e la veten e vet pa dëshmi duke bërë mirë, duke na dhënë shira prej qiellit dhe stinë të frytshme dhe duke i mbushur zemrat tona me ushqim dhe gëzim. (Veprat 14:17)

Pali nuk iu drejtua të shtypurve, të dëshpëruarve, të varfërve në shpirt. Këtu, ai u drejtohet atyre që hanin, pinin dhe kur e nesërmja vinte, vdisnin. Atyre që kishin mjaftueshëm ushqim dhe lumturi, saqë nuk shqetësoheshin për urinë shpirtërore. Për njerëz të tillë, Pali nuk e nisi duke shkruar receta për lumturinë që ata nuk mendonin se u duhej. Ai e dinte se po u fliste njerëzve të një grupi që unë nuk e njihja: lumturia pagane.

Pali thotë se Perëndia kënaqi zemrat e tyre me ushqim dhe gëzim. Gëzim. I vetmi vend tjetër në Dhiatën e Re ku kjo fjalë shfaqet është te citimi i Lukës nga një varg tjetër shumë i njohur: “Më dëfteve udhët e jetës, ti do të më mbushësh me gëzim me praninë tënde” (Veprat 2:28; duke cituar Psalmin 16:11). Te Psalmi 16, prania atërore e Perëndisë te fëmijët e tij jep një lloj lumturie në zemër (ajo që është e plotë, e përjetshme dhe e përhershme), por mirësia e hirit dhe ushqimit të zakonshëm jep një tjetër lumturi. Të dyja janë të vërteta.

Perëndia i bën armiqtë e Tij të buzëqeshin

Perëndia lejon që armiqtë e Tij të buzëqeshin. A e ke pyetur ndonjëherë veten për këtë?

Perëndia lejon që ata që e injorojnë, e refuzojnë, e përçmojnë lavdinë e Tij dhe e zvogëlojnë emrin e Tij, të marrim frymë nga ajri i Tij, të festojnë me ushqimin e Tij, të notojnë në ujërat e Tij, të ngjiten në pyjet e Tij, të bëjnë ski në malet e Tij, të qeshin, të këndojnë e të kërcejnë në tokën e Tij. Ai nuk i ka dëbuar akoma. Ai nuk ua ka hequr bukën nga pjata as ajrin e Tij nga mushkëritë e tyre. Në fakt–dhe vër re mirëdashjen e Perëndisë së universit–Ai “u jep të gjithëve jetë, frymëmarrje dhe gjithçka” (Veprat 17:25).

Asnjë dhuratë e mirë dhe e përsosur nuk vjen nga asnjë dorë tjetër veçse e Tija (Jakobi 1:17). Ai është një Perëndi që jep hir me bollëk, edhe për armiqtë e Tij. Perëndia që vazhdimisht tallet dhe injorohet “bën që dielli i tij të lindë mbi të pabesët.” Perëndia i Gjithëpushtetshëm “dërgon shiun e tij… mbi të padrejtët” që përçmojnë lavdinë e Tij (Mateu 5:45). Kjo mirësi i bën engjëjt të këndojnë për hirin dhe durimin e Tij.

Dhurata pa mirënjohje

Njeriu me të cilin fola, i merrte këto dhurata nga Perëndia, i shijonte dhe refuzonte ta falënderonte.

Njeriu është e vetmja krijesë, përveç engjëjve të rënë, që ka një përgjigje kaq të pabesë ndaj Perëndisë. Perëndia hap duart e Tij dhe kënaq dëshirat e çdo gjëje të gjallë (Psalmi 145:16). Ai hap duart e Tij për shqiponjat në majat e pemëve, antilopat në ara, peshqve në det dhe luleve në fushë. Ata shpallin lavdinë e Tij dhe vajtojnë për kthimin e Tij (Romakëve 8:19-23).

Por njerëzit dhe djajtë nuk e bëjnë këtë. Djajtë (demonët) kanë frikë kthimin e Perëndisë duke thënë: “Ç’ka midis nesh dhe teje, Jezus, Biri i Perëndisë? A ke ardhur këtu të na mundosh para kohe?” (Mateu 8:29). Dhe një njeri sheh tjetrin në sy dhe thonë se nuk kanë nevojë për Krishtin; në fakt, kush është Krishti që ata t’i binden? Perëndia hap dorën e Tij për këtë krijesë–që është në gjendjen më të mirë për t’i kthyer atij mirënjohje dhe dashuri–dhe ai as nuk e merr mundim të ngrejë sytë lart. Ai nuk e nderon atë, as nuk e falënderon (Romakëve 1:21).

Do të doja të kisha ndarë me këtë njeri se arsyet e tij të lumturisë–familja, miqtë, shëndeti, ushqimi i mirë, pijet e mira, sportet e mira–nuk janë e vërteta. Do të doja ta kisha sfiduar të mendonte për mënyrën si Perëndia e shikon, çdo ditë dhe çdo natë, ndërsa ai bën paradë me dhuratat e tij e në të njëjtën kohë e ul Atë.

Çfarë dëshmojnë kënaqësitë tona

Në vend që t’i tregoja se isha i sigurt që ai në të vërtetë nuk ishte i lumtur thellë brenda tij, apo të përpiqesha të debatoja me të për faktin nëse e ndjen boshllëkun në zemër që ka formën e Perëndisë (që ai vazhdon ta ketë), çfarë duhet t’i kisha thënë?

Duhet ta kisha pyetur për të gjitha arsyet e lumturisë së tij dhe pastaj t’i thoja hapur se ishin të gjitha dhurata nga Perëndia, dhe që duhet ta drejtonin tek Ai. Dhe se, për më tepër, dështimi i tij për ta bërë këtë ishte një krim serioz që duhej shlyer, prandaj duhet të drejtohej te Krishti, dhurata më e madhe e Perëndisë në botë. Mëkati, jo vetëm përjetimi i tij psikologjik i gëzimit, e bënte Jezusin plotësisht të rëndësishëm për të. Ai kishte një problem me mëkatin, për të mos përmendur problemin e gëzimit të ndier. Ai jo vetëm që qëndronte si një shermend larg hardhisë; ai qëndronte si një shermend gati për t’u hedhur në zjarr (Gjoni 15:6).

Pali u tha paganëve të lumtur se Perëndia nuk e kish lënë veten pa dëshmitarë edhe për ekzistencën edhe për mirësinë e tij. Dhe cila ishte dëshmia e këtyre? Pendimi. “Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe zemërgjerësisë së tij, duke mos ditur që mirësia e Perëndisë të prin në pendim?” (Romakëve 2:4). Familjet e bukura pëshpëritin, pendim. Karrierat e mira thërrasin, pendim. Perëndimet te fotot e pushimeve lëngojnë, pendim. Të gjitha këto deklarojnë se Perëndia është i mirë, i dashur dhe i duruar me armiqtë e Tij, dhe se Ai i thërret të largohen nga mëkati dhe të kthehen te falja e gjetur në Krishtin.

Fjalë për paganët

Nëse do të mund të kthehesha pas në kohë dhe të flisja me këtë njeri, mund t’i thoshaa diçka të tillë.

Besimi i krishterë nuk është thjesht për lumturinë e njeriut, edhe pse Perëndia jep më tepër gëzim nga ç’mund të imagjinosh. Krishterimi drejton se si njerëzit dhe fëmijët mëkatarë mund të pajtohen me krijuesin e tyre dhe të jetojnë jetë të lumtur për lavdinë e Tij. Perëndia ka vendosur dhurata të mira në jetën tënde për të të drejtuar te dhurata më e madhe: Birin e Tij, Jezu Krishtin. Ai erdhi të shpëtonte një popull që nuk duhej ta shpëtonte. Të jetonte një jetë që ne nuk mund ta jetonim. Të vdiste në vdekjen që ne meritonim. Dhe të ngrihej, që të thërriste të gjithë njerëzit, kudo, të kthehen nga mëkati dhe të besojnë në veprën e Tij të përfunduar në kryq për mëkatarët.

Telefoni në xhepin tënd ka të bëjë me këtë Perëndi. Muzika që ju masazhon veshët, ngjyrat që derdhen para syve të tu, kënaqësia e zemrës dhe dashuria që ndien, janë mirësi të Perëndisë që mbajnë një mesazh në buzët e tyre: “Pendohu dhe beso.”

Në vend të justifikojmë një jetë larg Perëndisë, duke zëvendësuar Dhënësin me dhuratat, dhuratat e gëzimit të madh jepen për të na drejtuar te Dhënësi. Mirësia e Tij e dhënë në variante të shumta, durimi i Tij mbresëlënës, zemërgjerësia e Tij, bëjnë vend për besimin. Edhe tani, ai drejton drejt saj. Edhe tani, ai fton. Eja, dalloje mesazhin në çdo dhuratë të mirë të dhuratës së përsosur të Perëndisë–Jezu Krishti–dhe jeto!

Greg Morse është pjesë e stafit tekstshkrues të desiringGod.org dhe është diplomuar në Kolegjin Bethlehem College & Seminary. Ai dhe gruaja e tij, Abigail jetojnë në St. Paul me vajzën e tyre.


Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje nga DesiringGod:  https://www.desiringgod.org/articles/for-anyone-happy-without-god  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim