“Të lumë jeni ju, kur njerëzit t’ju urrejnë dhe kur t’ju mënjanojnë, dhe t’ju shajnë, dhe ta hedhin poshtë emrin tuaj si të lig, për shkak të Birit të Njeriut! Gëzohuni në atë ditë dhe kërceni, sepse, ja, shpërblimi juaj është i madh në qiell; sepse po të njëjtat gjëra ua bënin etërit e tyre profetëve.” LUKA 6:22-23
Është një e vërtetë shumë e qartë, pothuajse për të gjithë ne, që është tejet e rëndësishme që të tjerët të na pëlqejnë. Prandaj tronditemi me të vërtetë kur mësojmë se Jezusi i mëshoi fort mësimit në lidhje me bekimin që do të përjetojmë kur të tjerët të na urrejnë, të na mënjanojnë dhe të na ofendojnë “për shkak të Birit të Njeriut”.
Ky dënim vjen për shkak të marrëdhënies sonë me Jezusin. Në fakt, Jezusi përshkroi diçka që do të jetë e vërtetë për çdo besimtar: kur të qëndrojmë me Krishtin, bota do të na refuzojë. Jezusi e shpalos këtë të vërtetë edhe në vende të tjera në Shkrim. Për shembull, një natë para se të vdiste, Ai u kujtoi dishepujve të Tij që bota e urreu Atë para se t’i urrente ata dhe se, duke qenë shërbëtorë të Tij, ata (dhe ne) duhet të presim të njëjtën përndjekje që përjetoi edhe Zoti ynë (Gjoni 15:18-20).
Ju mund të keni përjetuar një përndjekje të tillë në shkollë; ndoshta u përpoqët të mbronit Biblën dhe krejt papritur e gjetët veten të izoluar nga grupi i bashkëmoshatarëve tuaj. Mund të keni përjetuar dhimbjen që vjen nga përjashtimi prej një grupi miqsh ose nga anashkalimi për një ngritje në detyrë, për shkak se i kishit shpjeguar dikujt se kush është Jezusi, pse vdiq Ai dhe se çfarë kuptimi ka kjo. Ju, madje, mund të keni përjetuar edhe dhimbjen e të qenët i përçmuar nga vetë familja juaj për shkak të besimit tuaj. Nëse çoheni dhe mbani anën e Krishtit, atëherë edhe pse në mënyrë pothuajse të padallueshme, e megjithatë shumë të qartë, urrejtja nis të shfaqet dhe ndjesia e përçmimit është pothuajse e papërballueshme.
Nuk ka asgjë të lehtë ose të kënaqshme kur njerëzit flasin keq për ne ose na përjashtojnë për shkak se po jetojmë në bindje ndaj Perëndisë. Në fakt, refuzimi shoqërohet me një dhimbje të thellë zemre. Prandaj, si mund të gjejmë bekim dhe ngushëllim në mes të një situate të tillë?
Ne duhet të mbahemi fort pas së vërtetës për të cilën flet Jezusi këtu: që kur të përjetojmë urrejtjen e botës si reagim ndaj besnikërisë sonë ndaj Birit të Njeriut, asgjë nuk ka shkuar keq: në fakt, ne jemi në vendin ku do të përjetojmë bekimin. Me fjalë të tjera, ky lloj keqtrajtimi është provë e prekshme e besimit tonë të vërtetë dhe e marrëdhënies sonë me Zotin. Për më tepër, Jezusi premton se, po ta pranojmë Atë përpara njerëzve, Ai, gjithashtu, do të na pranojë përpara Atit të Tij në qiell (Mateu 10:32).
Burri apo gruaja që jeton një jetë të shenjtë — që është i përgatitur të flasë fjalën e Perëndisë dhe t’i bindet asaj me guxim, që nuk pranon të gjejë udhën e mesme ndërmjet një jete në bindje dhe një jete të pëlqyer nga të gjithë, udhë e cila, në fakt, nuk ekziston — në fund do të përjetojë një përplasje me të paperëndishmit dhe do të përballet me armiqësinë e botës. Në çfarë aspekti je thirrur që të rrezikosh përballjen me mohimin, në mënyrë që të flasësh për Krishtin ose të jetosh për Të? Mos të të lëshojë zemra! Përkundrazi, reago me ngazëllim ndaj shpifjeve që bëhen kundër teje, ose ndaj mospëlqimit që njerëzit tregojnë ndaj teje për shkak të ungjillit, “sepse, ja, shpërblimi juaj është i madh në qiell”. Bota nuk mund të na ofrojë dot asgjë që i afrohet kësaj ose që mund të krahasohet me këtë.
