nuk eshte vone

Mars 2021


Shpresë për betejën kundër pornografisë

Mund ta dalloja dhimbjen në sytë e tij, edhe frikën gjithashtu.

Pyetja e tij kishte të bënte me mungesën e sigurisë së shpëtimit dhe ishte e lehtë ta dalloja që kjo nuk ishte diçka filozofike ose thjesht teorike. Ishte trazim i shpirtit për shkak të një mëkati të bezdisshëm.

Gjithçka që u desh ishte vetëm një pyetje qartësuese për të zbuluar burimin: faj për shkak se ai person vazhdonte t’i kthehej pornografisë në internet. Ishte gjë e mirë që ai ndihej fajtor, sikurse i thashë shumë shpejt. Kjo ishte një shenjë e hirit të Perëndisë.

Një skenar i tillë nuk është kurrë suprizë në shërbesën me studentët. Në këtë universitet të krishterë, çështja pastorale, që kishte dalë në pah më tepër se çdo çështje tjetër, ishte siguria e shpëtimit. Pas një hutimi fillestar dhe disa bisedash të gjata, shkaku tipik shumë shpejt u bë i qartë. Pornografia dhe masturbimi.

Epidemia e këtij brezi

Siguria e shpëtimit mund të jetë në nivelin më të ulët mes të krishterëve, me epideminë e përdorimit të pornografisë, përmes qasjes së gjithëpranishme në internet. Nganjëherë kjo gjë merr formën e ankthit ekzistencial dhe konfuzionit epistemologjik, por shpesh mungesa e sigurisë është produkt i një mëkati që ka zënë rrënjë thellë. A mund të shpëtohem me të vërtetë nëse vazhdoj t’i kthehem të njëjtit mëkat, për të cilin jam betuar aq shumë se nuk do t’i kthehem më kurrë?

Kohët e fundit anketuam 8,000 lexues të Desiring God. Studimi ynë zbuloi që pornografia e vazhdueshme jo vetëm që është tmerrësisht e zakonshme, por gjithnjë edhe më e lartë mes të rinjve. Më shumë se 15% e burrave të krishterë mbi moshën gjashtëdhjetë vjeçare pranuan se përdorin vazhdimisht pornografi. Për burrat në të pesëdhjetat e tyre ishte më shumë se 20%, për ata në të dyzetat 25%, dhe 30% për ata në të tridhjetat. Pothuaj 50% prej atyre që e shpallin veten të krishterë në moshën 18-29 vjeç e pranuan që përdorin vazhdimisht pornografinë. (Anketa gjeti një prirje të ngjashme mes grave, por në një shkallë më të ulët: 10% e femrave të moshës 18-29; 5% e femrave në të tridhjetat; dhe gjithnjë e më pak për ato në të dyzetat, pesëdhjetat dhe gjashtëdhjetat e sipër.)

Dëgjoje zërin e Tij sot

Edhe pse çështja e shikimit online të pornografisë mund të jetë gjë e re për këtë brez—dhe gjithnjë e më shkatërrimtare për ata që janë ekspozuar ndaj kësaj gjëje që në vegjëli—ftesa për t`u penduar nga ky mëkat i bezdisshëm është e lashtë dhe e lavdishme. Ndoshta asnjë tekst biblik nuk është më domethënës rreth përleshjeve të ditëve të sotme sesa Hebrenjve kapitujt 3 dhe 4.

Duke qenë vetë dymijë vjeçar, libri i Hebrenjve na drejton edhe më herët në të shkuarën, në ftesën e Perëndisë për pendim në Psalmi 95:7-8: “Sot, po të jetë se dëgjoni zërin e tij, mos e fortësoni zemrën tuaj” (Hebrenjve 3:7, 8; 13; 15; 4:7). Edhe pse kjo ofertë prehjeje kalon përgjatë shekujve, zbatimi aktual për individët besimtarë kufizohet tek ata që ende nuk e kanë ngurtësuar plotësisht zemrën e tyre në mosbesim dhe të kenë kaluar përtej mundësisë së pendimit.

Letra e Hebrenjve iu shkrua një grupi të krishterësh judenj të përndjekur, të cilët ishin tunduar ta braktisnin adhurimin e tyre të Jezusit si Mesia (kjo ishte arsyeja për përndjekjen e tyre) dhe të ktheheshin në judaizmin që dikur e ndiqnin, por të ndarë nga Jezusi. Jo vetëm që një lëvizje e tillë është shkatërrimtare nga ana teologjike (për sa i përket mënyrës si e kuptojmë Perëndinë dhe zbulesën e Tij), por kjo gjë është gjithashtu shkatërrimtare nga ana personale dhe e përjetshme. Këta të krishterë të hershëm po përjetonin të njëjtën ngurtësi zemre, që shoqëron mëkatin e përsëritur dhe mosbesimin e pakundërshtuar mes atyre që rrëfejnë se janë të krishterë në kohën e sotme.

Në një kontekst të tillë, Hebrenjve i drejtohet Psalmit 95 dhe nxitjes së qartë që ai na ofron: “Sot, po të jetë se dëgjoni zërin e tij, mos e fortësoni zemrën tuaj.” Kjo është një fjalë, të cilën brezi ynë ka nevojë të thellë për ta dëgjuar.

Nëse ende e dëgjon Atë

Theksi mbi fjalën “sot” është thelbësor. E nesërmja nuk është e garantuar. Ajo që ke është vetëm e tashmja.

Nëse e dëgjon zërin e Perëndisë sotqë të thërret te Krishti dhe shenjtëria e Tij—dhe e refuzon atë zë, zemra jote do të ngurtësohet më tepër, dhe mos e merr për të mirëqenë se do të kesh javën e ardhshme, muajin e ardhshëm, një vit nga tani, apo madje të nesërmen për të gjetur pendim.

Çdo herë që e shpërfillim zërin bindës të hirit, po hedhim një hap më afër gjykimit. Çdo përqafim i vetëdijshëm i padrejtësisë e errëson shpirtin dhe ia shton kallot zemrës. Në një pikë të caktuar, nuk do të mbetet më asnjë masë ngrohtësie apo butësie. Atëherë, sikurse për Esaun, i cili “nuk gjeti vend pendimi” (Hebrenjve 12:17), do të jetë tepër vonë.

Ndaj, sot—sotnëse ende e dëgjon zërin e Tij të hirshëm në shtysat e Frymës së Tij, nëse ende e ndien fajin, nëse ende e ndien turpin, nëse ende përjeton një neveri ndaj papastërtisë së mëkatit—bëj që sot të jetë pika jote e kthimit. “Të mos refuzojmë të dëgjojmë Atë që flet prej qiellit” (Hebrenjve 12:25).

Është gjë e mirë që ndihesh keq për mëkatin tënd të vazhdueshëm. Ky është efekti i hirit. Ti ende ke mundësi të kthehesh nga ftohtësia e mëkatit te ngrohtësia e Krishtit që fal. Nëse zemra jote do të ishte tashmë e ngurtë, përtej pikës ku nuk ka kthim, nuk do të bezdiseshe nga mëkati. Bindja jote është mirësia e Tij.

Për sa kohë është akoma sot

Bëje të sotmen të ketë vlerë për një iniciativë të re në këtë luftë. Hiq dorë prej mëkatit, ndërsa ende ke një zemër për ta bërë këtë gjë. Përfshi një mik të krishterë në përleshjen tënde, përkrah të cilit mund të jetoni hirin e pashoq të Hebrenjve 3:12-13:

Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë, por nxitni njëri-tjetrin çdo ditë, derisa thuhet: “Sot”, që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit.

Zgjidh sot drejtësinë. Çdo përqafim konkret i shenjtërisë ka rëndësi. Çdo zgjedhje kundër së ligës, çdo akt drejtësie në zemër, mendje dhe trup ka rëndësi. Çdo refuzim i mëkatit të përgatit, të paktën në një masë të vogël, për të zgjedhur drejtësinë herës tjetër. “Gjithnjë e më tepër ne bëhemi ata që do të jemi” (Joe Rigney, Live Like a Narnian, 52) dhe e sotmja vërtet që ka rëndësi. E tashmja ka vlerë.

Ku e gjejmë shpresën tonë

Gjëja më e rëndësishme është t’i ngulësh sytë sërish sot në Avokatin dhe Kryepriftin tënd të madh, i Cili është në gjendje të “identifikohet me dobësitë e tua” dhe “që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar” (Hebrenjve 4:15). Ai është i gatshëm të të japë mëshirë dhe të të dërgojë hir “për të pasur ndihmë në kohë nevoje” (Hebrenjve 4:16). Ne i themi jo mëkatit duke i thënë po gëzimit në Jezusin.

Aty, në dorën e djathtë të Perëndisë është ulur shpresa jonë përfundimtare. Jo në llogaridhënien tonë, as në vendosmërinë tonë dhe sigurisht që nuk është në fuqinë e vullnetit tonë. Shpresa jonë nuk është në historinë tonë në të shkuarën, nuk është në aftësinë tonë në të tashmen dhe as në potencialin tonë për të ardhmen. Shpresa jonë e madhe nuk gjendet në veten tonë, por jashtë nesh, në Krishtin, i Cili ka ngadhënjyer dhe në të cilin edhe ne do të ngadhënjejmë.

David Mathis është redaktori ekzekutiv për desiringGod.org dhe pastor në Cities Church në Minneapolis/St. Paul. Ai është bashkëshort, baba i katër fëmijëve dhe autor i librit The Christmas We Didn’t Expect: Daily Devotions for Advent.

Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/its-not-too-late
Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon | Kryeredaktore: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim