Marek Piwnicki Hedgpmtla7s Unsplash

Janar 2021


Kam lexuar shkrimtarë dhe kam dëgjuar folës, të cilët përpiqen ta kthejnë padijen tonë rreth udhëve të Perëndisë, në bazën kryesore të mahnitjes dhe adhurimit tonë. Ata zakonisht e bëjnë këtë gjë duke përdorur fjalën pozitive mister për t’iu referuar thellësive dhe lartësive të Perëndisë, prandaj duhet të pushtohemi nga mrekullimi dhe mahnitja, nga fakti se sa shumë nuk dimë rreth Perëndisë.

Kjo më është dukur gjithmonë si diçka çorientuese. Njerëzit që veprojnë kështu, nuk më tërheqin. Për shembull, përqasja e Palit është shumë ndryshe. Ai do të thoshte se Perëndia përlëvdohet më tepër kur ne shtangemi, admirojmë, adhurojmë dhe me gëzim i nënshtrohemi Atij, për shkak të asaj që dimë rreth Tij, dhe jo për shkak të asaj që nuk e dimë rreth Tij.

Admirimi dhe mahnitja jote për një vargmal mund të bazohet nga vështrimi që i hedh kalimthi rrëzë kodrave, ku ti sheh vargmalin që lartohet dhe humbet mes reve të ulëta. Ose mund të bazohet mbi vite ekspeditash në atë vargmal, kur gjithmonë zbulon që sa herë e pushton një majë jashtëzakonisht të lartë, një vargmal tjetër malesh ngrihet në lartësi para teje dhe mbi ty.

Nuk po i bën nder Perëndisë duke kaluar jetën rrëzë kodrave, duke shkruar ese dhe poema për sa shumë ti nuk di për çka është mbi re. Më mirë ta lësh Perëndinë ta vendosë dorën tënde mbi dorën e Palit—apo të çdonjërit prej shkrimtarëve të tjerë të frymëzuar—dhe pastaj të kalosh gjithë jetën duke u ngjitur bashkë me të në shtigjet e larta të zbulesës.

“Të pahulumtueshme dhe të pagjurmueshme”?

Një prej pjesëve më të keqkuptuara dhe më të keqpërdorura në shkrimet e Palit është pjesa madhështore dhe kulminante në fund të Romakëve 1-11:

O thellësi pasurie edhe e urtësisë dhe e diturisë së Perëndisë! Sa ta pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pagjurmueshme janë udhët e tij!

“Sepse kush e njohu mendjen e Zotit?
Ose kush u bë këshilltari i tij?
Ose kush i dha atij më parë,
që të ketë për të marrë shpagim?”

Sepse prej tij dhe me anë të tij dhe ndaj tij janë të gjitha. Lavdi atij përjetë. Amen! (Romakëve 11:33–36)

Ja cili është vazhdimi kyç: Pali nuk po e shkruan këtë admirim të lartë të pasurive të Perëndisë në vend që t’i zbulojë ato pasuri, por sepse ai sapo i kishte shpalosur ato pasuri në njëmbëdhjetë kapituj zbulese marramendëse. Ai fluturon për shkak të asaj që sapo ka zbuluar, jo për shkak të gjithë asaj që mbetet e mbuluar. Këto fjalë mahnitjeje vijnë në fund të njëmbëdhjetë kapitujve, në të cilat Pali na ka çuar në thellësitë dhe lartësitë e udhëve të Perëndisë, përtej asaj që ndonjëri prej nesh e mendonte si të mundur.

Thjesht leximi i tre vargjeve pararendëse, e mrekullojnë mendjen me udhët e Perëndisë. Jo për shkak se ato janë pas një reje të panjohur, por për shkak se ato janë zbuluar si krejtësisht të papritura, kundër intuitës, tronditëse dhe si Perëndi-lartësuese. Pali i përmbledh planet e Perëndisë për judenjtë dhe johebrenjtë me këto fjalë:

Sepse sikundër dhe ju [johebrenjtë] ishit dikur të pabindur ndaj Perëndisë, por tani fituat mëshirë për shkak të mosbindjes së tyre [judenjtë], kështu edhe këta tani u bënë të pabindur që, për shkak të mëshirës që u tregua për ju, të fitojnë edhe ata mëshirë. Sepse Perëndia i mbylli të gjitha në mosbindje, që të ketë mëshirë për të gjithë (Romakëve 11:30-32).

Kalo thjesht pesë minuta kohë reflektimi mbi këto vargje dhe largohesh prej tyre së pari i çuditur dhe pastaj i mahnitur, jo për shkak se mbetesh në errësirë, por për shkak se drita është aq verbuese sa mezi e beson atë që po shikon.

“Të pahulumtueshme”, por që janë nxjerrë në dritë

Pali e përshkruan zbulesën e tij, për udhët e Perëndisë edhe një herë tjetër, si të pahulumtueshme. Ideja nuk është se Ai na lë rrëzë kodrave pa njohuri.

Mua, më të voglit nga gjithë shenjtorët, m’u dha ky hir për të predikuar pasurinë e pahulumtueshme të Krishtit, dhe të ndriçoj të gjithë se ç’është bashkësia e misterit, i cili që prej jetëve qe fshehur në Perëndinë, që krijoi gjithçka nëpërmjet Jezu Krishtit (Efesianëve 3:8-9).

Ky tekst nuk do të thotë: “Më vjen keq miq, pasuritë e Krishtit janë në errësirën e misterit dhe nuk mund të zbulohen.” Teksti thotë të kundërtën: “Perëndia më thirri”, thotë Pali, “dhe më dha dhuntinë për ta nxjerrë këtë mister në dritë! Gjërat që po shkruaj për Krishtin janë pasuritë e pahulumtueshme të Krishtit!”

Ato janë të pahulumtueshme në tre kuptime: (1) Ato kanë qenë “të fshehura për shekuj në Perëndinë”, por nuk janë më të tilla! (2) Ato mund të njihen përmes zbulesës hyjnore, jo thjesht prej urtësisë njerëzore—dhe Pali është duke e shkruar atë zbulesë. (3) Gjithmonë do të ketë më tepër për të parë, ndërsa i ngjiteni kuptimit të zbulesës së frymëzuar dhe pastaj në vetë Himalajet e qiellit.

Të njohësh atë që ia tejkalon njohurisë

Kjo pikë e fundit konfirmohet në lutjen e Palit në kapitullin pasardhës të Efesianëve. Ai lutet që ne

të jemi në gjendje të kuptojmë me të gjithë shenjtorët se cila është gjerësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia, dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni në gjithë plotësinë e Perëndisë. (Efesianëve 3:18-19)

Kjo është! Për shkak të zbulesës marramendëse të Perëndisë për udhët e Tij në Krishtin—përmes shkrimeve të apostullit Pal, na jepet mundësia “të njohim dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri”. Ne ngjitemi lart e më lart në vargmalet e mrekullive të Perëndisë, në mënyrë që vërtet të njohim atë që ishte e panjohshme dhe pastaj të zbulojmë që malet ngrihen gjithnjë e më lart.

Alpinistë të sigurt Sherpa

Pali nuk ishte nga ata njerëz që kënaqen duke jetuar rrëzë kodrave të zbulesës duke mbajtur fjalime elokuente rreth vlerës së ‘misterit’ sipër reve të ulëta. Pali e dinte se Perëndia i kishte dhënë një thirrje për të mos i fshehur, por për t’i predikuar “pasuritë e pahulumtueshme të Krishtit”.

Ai e dinte se Perëndia nuk nderohet kur sorollatemi në luginë, duke e lartësuar pa fund vlerën e misterit të paeksploruar. Perëndia nderohet, kur e pranojmë ftesën e Tij për të na udhëhequr në gjykimet e Tij të pahulumtueshme dhe në udhët e Tij të pagjurmueshme—kur i trajtojmë autorët e Shkrimit si alpinistë të zotë Sherpa në Himalajet e zbulesës së Perëndisë.

 

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org, si dhe president i Kolegjit dhe Seminarit Betlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i Kishës Baptiste Betlehem, në Miniapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Tre prej librave të John Piper janë botuar edhe në gjuhën shqipe: Mos e shko dëm jetën, Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë dhe Virusi Korona dhe Krishti.

Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/climb-the-mountains-of-gods-mysteries
Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon  | Kryeredaktore: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim