blessed are the pure in heart 620

Prill 2024 


R.C. Sproul 

Jezusi tha se ata që janë të pastër në thelbin e qenies së tyre, ata do ta shohin Perëndinë. Te letra e parë e apostullit Gjon, shohim premtimin e vegimit të bekuar: “Shikoni ç’dashuri të madhe na ka dhënë Ati, që të quhemi bij të Perëndisë” (1 e Gjonit 3:1a). Gjoni e hapi këtë pjesë të letrës së tij me një shprehje mahnitjeje apostolike. Gjëja më e pabesueshme dhe më mbresëlënëse është se ata që nuk janë të pastër në zemër birësohen në familjen e Perëndisë. Edhe pse nuk i përmbushim kushtet për të hyrë në atë marrëdhënie, në sajë të karakterit tonë, prapëseprapë, quhemi bij të Perëndisë.

Gjoni shkruan më tej:

Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur atë. Të dashur, tani jemi bij të       Perëndisë, dhe ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim atë sesi është. Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai. (3:1b-3)

Njerëzit shpeshherë pyesin se si do të jenë gjërat në qiell. Si do të jemi ne? A do ta njohim njëri-tjetrin? A do të dukemi me të njëjtën moshë që kishim kur ndërruam jetë? Apo do të kemi trupa të përlëvduar që duken si pa moshë? Si do ta kalojmë kohën? Pyetje të tilla përherë na bëjnë të mendojmë, dhe Gjoni kishte të njëjtin problem si ne, sepse tha: “Ende nuk është shfaqur ç’do të jemi”. Na janë dhënë thjesht disa pamje fluturake të asaj se si do të jetë qielli, pra, nuk kemi një tablo të plotë të asaj që do të shohim kur të kalojmë në anën tjetër. Gjoni ishte i vetëdijshëm për caqet e njohurisë sonë, si dhe për caqet e zbulesës që ai mori në lidhje me këto çështje prej Zotit, por Ai nuk na lë që të ecim kuturu në errësirë. Ende nuk e dimë se ç’do të jemi, por atë më kryesoren e dimë: do të jemi si Ai, pra, si Krishti.

Kur Dhiata e Re flet gjetkë për përmbushjen e pushtetit mbretëror të Krishtit me kthimin e Tij, përdoret gjuha e apokalipsit që do të thotë “të zbulosh”. Në këtë pikë, Krishti do të shfaqet; Ai do të shfaqet me gjithë lavdinë e Tij. Kur Bibla thotë se do ta shohim Atë sërish, na thuhet se kur Ai të shfaqet në këtë zbulim, jo vetëm ne, por edhe çdo sy do ta shohë Atë. Kështu që forca e këtyre vargjeve duhet ta drejtojë vëmendjen tonë te shpresa e shikimit të Krishtit në plotësinë e lavdisë së Tij.

Sipas përkufizimit teologjik të Trinisë, Ati, Biri dhe Fryma i Shenjtë janë tre si persona, por një në substancë apo qenie. Kjo e vërtetë na jep një premtim edhe më të madh, nëse mund të imagjinohet, sesa edhe shikimi i Krishtit sy më sy në plotësinë e lavdisë së Tij. Nuk do të shohim veç shprehjen e imazhit të përsosur të Perëndisë, por do të shohim vetë Perëndinë në vetë qenien e Tij, sy më sy. Natyrisht, kjo përbën një pyetje të vështirë filozofike dhe teologjike: Nëse Perëndia është frymë, atëherë si mund të thotë Bibla se do ta shohim Atë në pastërtinë e thelbit të Tij, kur vetë substanca e Tij e pastër është frymërore dhe e padukshme?

Jonathan Edwards-i ka shprehur disa mendime interesante lidhur me këtë temë. Mendimet e tij natyrisht janë hamendësuese, por sërish më ngazëllejnë kur mendoj rreth tyre. Ne i japim shumë rëndësi faktit nëse kemi ndonjë dëshmitar okular, pra, dikë që thotë se një gjë është e vërtetë, sepse e pa me sytë e vet. E dimë se sa i rëndësishëm është shikimi dhe se çfarë do të jepte një i verbër për të parë sërish. Kështu që na duhen sy funksionalë për të parë, si dhe një tru që i interpreton saktë imazhet. Mirëpo, aftësia për të parë nuk mjafton, sepse na nevojitet edhe drita. Nuk shohim dot në errësirë. Edwards-i thoshte se përjetimet që ne i mendojmë si të përvojuara prej një dëshmitari okular të drejtpërdrejtë, në të vërtetë janë përvoja të tërthorta e të ndërmjetësuara. Ato kalojnë përmes hapave të ndërmjetëm të dritës, ndjesive, stimulimit të nervave, e kështu me radhë. Sipas Edwards-it, shikimi përfundimtar i Perëndisë është ai që do të ndodhë pa ndihmën e syve. Ky do të jetë një i kuptuar i drejtpërdrejtë dhe i menjëhershëm nga ana e shpirtit njerëzor i vetë thelbit të Perëndisë, pra, një mënyrë perceptimi plotësisht dhe jashtëzakonisht e përtejbotshme. Të gjitha barrierat që na pengojnë për ta parë Perëndinë, do të bien, dhe shpirtrat tanë do të mbushen me të kuptuarit e drejtpërdrejtë e të menjëhershëm të qenies së Perëndisë.

Jezusi tha: “Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë”. Gjëja që na pengon për ta parë Perëndinë tani është papastërtia jonë, mëkati ynë. Gjoni tha se kur ta shohim Atë, do të bëhemi si Ai, sepse do ta shohim ashtu siç Ai është. Pyetja që mbetet është nëse Perëndia do të na përlëvdojë në qiell, duke na bërë të mundur që ta shohim Atë ashtu si është, apo do të na e shfaqë Veten dhe kështu ne do të pastrohemi. Nuk e dimë përgjigjen e kësaj pyetjeje, por është interesante të meditosh rreth saj, sepse nuk mund të ketë një faktor më të madh pastrimi sesa shikimi i drejtpërdrejtë dhe i menjëhershëm i natyrës së Perëndisë. Gjoni tha se madje edhe premtimi i këtij shikimi të ardhshëm është kaq funksional, sa që e fillon pastrimin tonë që tani. Prandaj, mbajeni këtë gjithmonë para jush si premtimin përfundimtar për plotësinë e shpirtit tuaj.


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/blessed-are-pure-heart-they-shall-see-god   
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez 2024


EtiketaLigonier

Postime të ngjashme

Cili është emri i Perëndisë?
A ka nivele mëkati?
A ka Jezusi një apo dy natyra?
Si duket pendimi?
>