untitled 1

Prill 2024


R.C. Sproul 

Në vitin 451, kisha mblodhi Këshillin e madh të Kalkidonës, një prej koncilëve më të rëndësishëm ekomomikë të asaj kohe. Ky këshill u thirr për të luftuar disa herezi, më e rëndësishmja prej të cilëve ishte herezia monofizite. Termi “monofizit” ka një parashtesë dhe një rrënjë. Parashtesa, “mono”, do të thotë “një”, ndërsa rrënja, 'phusis', përkthehet si “natyrë”. Kështu që 'monophusis' ose 'monofizit' ka thjesht kuptimin e “një natyrë”.

Monofizitët pretendonin se Jezusi nuk kishte dy natyra, pra, një natyrë hyjnore dhe një njerëzore, por një natyrë të vetme. Kjo natyrë e vetme nuk ishte as plotësisht hyjnore dhe as plotësisht njerëzore. Në varësi të këndvështrimit prej nga shihej, ajo mund të konsiderohej ose si një natyrë njerëzore e hyjnizuar ose një natyrë hyjnore e humanizuar. Kjo herezi ishte shumë e rëndë, për dy arsye. Nga njëra anë, mohonte hyjninë e plotë të Krishtit. Nga ana tjetër, mohonte anën e vërtetë njerëzore të Jezusit. Pikërisht kundër kësaj herezie, Këshilli i Kalkidonës shpalli se Krishti ishte 'vere homo, vere Deus', domethënë, “vërtet njeri dhe vërtet Perëndi”, duke pasur dy natyra në një person të vetëm.

Krishti ishte 'vere homo, vere Deus', domethënë, “vërtet njeri dhe vërtet Perëndi”, duke pasur dy natyra në një person të vetëm.

Si ta kuptojmë bashkimin mes natyrës njerëzore dhe asaj hyjnore? Bibla thotë se në ngjarjen e mishërimit, personi i dytë i Trinisë mori mbi Vete një natyrë njerëzore. Megjithatë, kur mori mish dhe një natyrë njerëzore, Jezusi nuk e hyjnizoi atë natyrë njerëzore. Natyra e Tij njerëzore mbeti njerëzore.

Këshilli i Kalkidonës, teksa e trajtoi misterin e mishërimit dhe pohoi dy natyrat e Jezusit, u shpreh se të dyja natyrat e Tij janë të bashkuara aq përsosmërisht, në një mënyrë të tillë saqë ato as ngatërrohen dhe as përzihen, as ndahen dhe as veçohen. Nuk mund t'i përziejmë ato siç bënin monofizitët, duke hyjnizuar mishin ose duke e humanizuar shpirtin. Në të njëjtën kohë, nuk duhet të guxojmë kurrë që t’i ndajmë ato. Ato janë përherë dhe kudo bashkë. Katër mohimet e Kalqedonit saktësohen më tej me anë të këtyre fjalëve: “Secila natyrë ruan atributet e veta”. Kjo do të thotë se në mishërim, Biri nuk hoqi dorë nga asnjëri prej atributeve të Tij. Natyra hyjnore është ende e përjetshme, e pafundme, e gjithëdijshme, e gjithëpranishme dhe e gjithëfuqishme. Ajo shfaq të gjitha atributet që i përkasin hyjnisë. Perëndia nuk pushoi së qenë Perëndi kur mori natyrën njerëzore në Jezusin. Njëherësh, natyra njerëzore i ruajti atributet e veta, duke qenë e fundme, e kufizuar, e paaftë për të qenë në më shumë se një vend në të njëjtën kohë, me njohuri dhe fuqi të limituar. Të gjitha ato atribute të njerëzimit mbetën atribute të anës njerëzore të Jezusit.


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/does-jesus-have-two-natures-or-one 
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez 2024


EtiketaLigonier

Postime të ngjashme

Cili është emri i Perëndisë?
A ka nivele mëkati?
Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë
Si duket pendimi?
>