5 things you should know about david 2560

Maj 2024  


Davidi, mbreti i Izraelit, është i famshëm për shumë gjëra: për besimin e tij të mahnitshëm përpara Goliathit, për mëkatet e tij të tmerrshme kundër Bath-Shebës dhe bashkëshortit të saj, si dhe për psalmet e tij të ndiera të adhurimit dhe të pendimit. Më poshtë renditen pesë gjëra rreth Davidit, të cilat duhet t’i dini edhe ju gjithashtu.

1. Davidi e kishte prejardhjen prej johebrenjve.

Davidi ishte i biri i Isait nga fisi i Judës, por prejardhja e tij nuk ishte edhe aq gjakpastër. Njëlloj si Jezusi, edhe ai kishte disa mëkatarë të mëdhenj, dhe madje një gruaje johebreje, në pemën e tij gjenealogjike (Zanafilla 38; Ruthi 4:17). Gruaja johebreje ishte stërgjyshja, Ruthi, ajo moabitja e famshme që i tha vjehrrës së saj izraelite: “Populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im” (Ruthi 1:16). Kjo gjë na kujton se të qenët i madh në shtëpinë e Perëndisë nuk është një gjë që vlen vetëm për ata që janë gjakpastër, ashtu siç nuk garantohet për ata që janë tashmë gjakpastër.

2. Davidi ishte një mbret i papritur.

Mbreti i parë i Izraelit dallohej mes të gjithëve për pamjen e tij fizike, faktikisht Sauli ishte shtatgjatë (1 i Samuelit 9:2), por Davidi nuk ishte edhe aq i dallueshëm sa ai. Ai ishte më i vogli i tetë bijve, dhe kur Samueli erdhi te shtëpia e Isait për të vajosur një mbret të ri në vend të Saulit, ai ishte i sigurt se ky do të ishte vëllai i madh i Davidit, Eliabi (1 i Samuelit 16:6). Mirëpo, Perëndia i tha që të mos shikonte gjatësinë apo pamjen e jashtme, sepse Ai nuk i zgjedh mbretërit në bazë të këtyre tipareve. Ai shikon zemrën dhe Davidi dallohej nga gjithë të tjerët, sepse ishte “një njeri sipas zemrës së Tij [Perëndisë]” (1 i Samuelit 13:14). Pavarësisht nga kjo, Isai i kaloi që të shtatë vëllezërit e Davidit përpara Samuelit dhe i pa ata të refuzoheshin prej këtij të fundit përpara se ta thërriste Davidin që po kulloste delet (1 i Samuelit 16:10-13).

3. Davidi kishte një zemër bariu.

Zanati i Davidit përpara se të bëhej ushtar në ushtrinë e Saulit ishte kullotja e deleve të të atit. Në mënyrë mjaft të mrekullueshme, ai kishte vrarë luanë e arinj në mbrojtje të tufës së vet dhe nuk e kishte bërë këtë nga larg me hobe, por disa herë duke i kapur “për krife” dhe duke i goditur (1 i Samuelit 17:35). Duket se ai i njihte me të vërtetë nevojat e deleve të veta dhe kujdesej për to me gjithë zemër, një gjë kjo që vazhdoi të ishte tipari i tij kryesor edhe kur kaloi në detyrën e përkujdesjes për njerëzit (Psalmi 78:70-72). Zemra dhe përvoja baritore e Davidit shërbyen si një metaforë e përkujdesjes së përsosur të Perëndisë për delet e Tij, të cilën Davidi e ngërthen në një mënyrë shumë prekëse te Psalmi 23. Po ashtu, shohim se kur profeti Nathan ballafaqohet me Davidin për mëkatin e këtij të fundit me Bath-Shebën, ia bën të qartë Davidit, duke i treguar shëmbëlltyrën e një njeriu të varfër dhe të vetmit qengj femër që kishte (2 i Samuelit 12).

4. Davidi u përpoq të ndërtonte tempullin e Solomonit.

Me t’u vendosur përfundimisht si mbret në Jerusalem, ai e kuptoi se po jetonte në një shtëpi prej kedri, por arka e Perëndisë gjendej në një çadër. Kështu që u bë gati t’i ndërtonte një shtëpi Perëndisë, por Perëndia e ndaloi. Përkundrazi, Ai i thotë Davidit se do t’i ndërtojë atij një shtëpi, pra, natyrisht, jo një ndërtesë fizike, por një dinasti që do ta arrijë pikën e saj kulmore me Perëndinë, që do të sundojë përjetë e mot (2 i Samuelit 7:1-17). Kështu që detyra e ndërtimit të tempullit i kaloi të birit të Davidit, Solomonit. Më pas, mësojmë se Perëndia nuk e kishte lënë Davidin që t’ia ndërtonte tempullin, sepse ishte njeri lufte dhe se kishte derdhur shumë gjak (1 i Kronikave 28:2-3). Pavarësisht nga kjo, Davidi e përgatiti pothuajse gjithë lëndën e parë që nevojitej, për ndërtimin e kësaj vepre (1 i Kronikave 22:5).

5. Davidi priste një Bir më të madh.

Davidi e priti premtimin që i bëri Perëndia për një shtëpi të përjetshme, me shumë gëzim e mirënjohje (2 i Samuelit 7:18-29). Ai e kuptoi me kalimin e kohës se një prej pasardhësve do të ishte edhe Zoti i tij, gjë të cilën e shprehu te Psalmi 110: “Zoti i thotë Zotërisë tim: ‘Ulu në të djathtën time, derisa t’i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua’”. Jezusi e citoi këtë psalm si dëshmi të të kuptuarit të Davidit se një prej bijve të tij sipas mishit, në të ardhmen do të ishte edhe “Zoti” i tij (përveç Zotit Perëndisë së tij) dhe për pasojë, më i madh sesa çdo pasardhës tjetër thjesht natyror i tij (Marku 12:35-37).


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/5-things-david 
Autori: Tyler Kenney  
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez 2024


EtiketaLigonier

Postime të ngjashme

Sakrifica dhe mirëkujdestaria
5 gjëra që duhet t’i dini për Besoret
>