dear pastor subtle enemy

Prill 2024


Ky artikull është pjesë e serisë “I dashur pastor”.

Vëllezër,

Krenaria është një nga mëkatet më të neveritshme dhe më të ashpra. Ky mëkat synon më të mirët, mirëpo në ne është më i urryer e i pajustifikuar se sa në njerëzit e tjerë. Krenaria i mbush mendimet e pastorit me aspirata, plane dhe dëshira. I kap ata me mendime të hidhura e lakmitare kundër atyre që iu zënë vendin, iu eklipsojnë lavdinë apo iu pengojnë përparimin e idhullit të tyre, reputacionit. Ah, sa shok i pandashëm, sa komandant tiran, sa armik dinak dhe i fshehtë është ky mëkat i krenarisë! I ndjek njerëzit te rrobaqepësi, te tregtari, te butiku, ku ua zgjedh rrobën, prerjen dhe stilin që do të kenë. I vesh që në mëngjes, të paktën nga jashtë. Shumë pastorë nuk do ta ndiqnin fare modën në flokë dhe veshje, po të mos qe komanda e këtij vesi tiran.

Ah sikur të ishte vetëm kaq, apo kjo të ishte më e keqja, por mjerisht krenaria na ndjek edhe në studime dhe ulet me ne kur përgatitim predikimin. Sa shpesh e zgjedh ajo temën dhe sa shpesh zgjedh fjalët e ilustrimet tona? Perëndia na kërkon të jemi sa më të qartë të jetë e mundur për të informuar të paditurit dhe sa më bindës e seriozë të jetë e mundur për t’i zbutur e ndryshuar zemrat e pandryshuara. Mirëpo, krenaria i kundërvihet dhe i kundërshton të gjitha këto. Ndonjëherë vë lodra e kotësira në të. Në vend që ta lustrojë, e ndot atë me pretendimin e ilustrimeve të pëlqyeshme, duke i çnderuar predikimet tona me lodra fëmijërore. Na bind ta lyejmë dritaren për t’ia zbehur dritën dhe t’i flasim popullit tonë gjëra që nuk mund t’i kuptojnë. Dhe pasi krenaria na ka krijuar predikimin, vjen me ne në podium. Ajo ndikon tonin tonë dhe gjestet tona. Na bën ta evitojmë atë që mund të mos i pëlqejë dëgjuesve, sado e domosdoshme qoftë, dhe na bën të kërkojmë një duartrokitje të kotë.

E gjithë kjo përmblidhet në këtë: krenaria i bën njerëzit që edhe në studim, edhe në predikim, të kërkojnë veten dhe të mohojnë Perëndinë, kur në fakt duhet të kërkojnë lavdinë e Perëndisë dhe të mohojnë veten. Nëse pastorët perceptojnë se njerëzit kanë konsideratë për ta, gëzohen se ia kanë dalë mbanë. Por nëse u duket se njerëzit i mendojnë të dobët apo të rëndomtë, nuk gjejnë rehat pasi iu ka ikur nga duart çmimi i ditës.

Mirëpo nuk përfundon me kaq; madje kjo nuk është asgjë. Ah, sikur pastorët e perëndishëm të përfliteshin për miratimin popullor dhe vlerësimin nga njerëzit, saqë të kishin zili dhuntitë dhe emrat e vëllezërve të tyre më të preferuar se të tjerët. Ata sillen sikur gjithë lëvdatat që u takonin atyre, po u jepen të tjerëve. Mbahen sikur Perëndia ua paska dhënë dhuntitë e Tij që t’u dalin njerëzve përpara sikur respektohen nga e gjithë bota, dhe të gjitha dhuntitë e Tij te personat e tjerë duhen shkelur e ulur, a thua se i zënë rrugën nderimit të tyre. A mundet vallë një shenjtor, një predikues i Krishtit, të lakmojë atë që ka shëmbëllimin e Krishtit dhe të përflasë dhuntitë e tij, të cilat duhet t’i lavdërojë, thjesht sepse ato dhunti duken sikur në të tjerët e pengojnë lavdinë e atij vetë? Çdo i krishterë i vërtetë është anëtar i trupit dhe si rrjedhojë, ndan me secilin anëtar bekimet e të gjithë trupit. Gjithsecili duhet të falënderojë Perëndinë për dhuntitë e vëllait të vet, sikurse këmba përfiton nga dhuntia e syrit, edhe për faktin se qëllimet e tij mund të arrihen po aq mirë nga dhuntitë e vëllait të vet sa edhe nga të tijat (1 e Korintasve 12:12-27). Nëse ai nuk ka për synim lavdinë e Perëndisë dhe gëzimin e kishës, ai nuk është i krishterë. A mundet që punëtori t’i bëjë keq kolegut të vet, thjesht sepse ai e ndihmon të kryejë punën e Zotërisë së tij? Mirëpo, mjerisht, ky krim i neveritshëm ndodh kaq rëndom midis udhëheqësve dhe të parëve në kishë!

E kështu, njerëzit madhërojnë mendimet e tyre dhe kritikojnë këdo që ka mendim ndryshe për çështje dytësore, a thua se është njësoj sikur këta të mendonin ndryshe nga Perëndia vetë. Ata presin që të gjithë njerëzit të përputhen me gjykimet e tyre, sikur ata të ishin përcaktimi i besimit të kishës. Sigurisht, ne jemi tepër modestë për t’u shprehur në këtë mënyrë. Bëjmë sikur duam që njerëzit thjesht t’i nënshtrohen provës së të vërtetës që shfaqet në arsyet tona dhe që zelli ynë është për të vërtetën e jo për veten tonë. Por meqë kjo duhet marrë si e vërteta jonë, edhe arsyet tona duhen pranuar si të tilla. Shkakun e gabimeve tona e marrim sikur është thënë kundër nesh personalisht, dhe sikur jemi fyer tmerrësisht, ngaqë argumentet na u hodhën poshtë, ato me të cilat ne vetë fyem të vërtetën dhe mendjet e njerëzve!

Kaq me të lartë mbahemi, saqë kur dikush tjetër është i detyruar të na qortojë apo të na kundërshtojë, zakonisht nuk durojmë dot as çështjen e as mënyrën si na qaset ajo. Duam atë njeri që thotë atë që ne themi, të ketë të njëjtin mendim, të promovojë reputacionin tonë, edhe pse ai nuk është aq i denjë për dashurinë tonë në aspekte të tjera. Kurse ai që na kundërshton apo mendon ndryshe, që na i thotë troç gabimet dhe na tregon të metat që kemi, është i papëlqyeshëm për ne. Krenaria i bën shumë prej nesh të mendojnë se na urrejnë të gjithë ata që nuk na admirojnë apo gjithçka që ne themi, që nuk e nënshtrojnë gjykimin e tyre nën gabimet tona më të dukshme. Aq të butë jemi, saqë dhe po na preku dikush, lëndohemi direkt. Aq të paepur e hundëpërpjetë jemi, saqë vështirë se mund të na flasë njeri.

Krenaria i bën njerëzit që edhe në studim dhe në predikim, të kërkojnë veten dhe të mohojnë Perëndinë, kur në fakt duhet të ndjekin lavdinë e Perëndisë dhe të mohojnë veten.

E pranoj se jam çuditur që ky mëkat kaq i neveritshëm të trajtohet si normal për një zemër e për një jetë të shenjtë, kur mëkate shumë më të vogla i shpallim të mallkuara për njerëzit tanë! Jam mahnitur kur shoh sa dallojnë mëkatarët e paperëndishëm dhe predikuesit e perëndishëm në këtë aspekt. Kur flasim për pijanecë, njerëzit e botës, apo njerëz të paditur e të pakonvertuar, i turpërojmë sikur janë në gjendjen më të keqe. U flasim sa më troç të jetë e mundur për mëkatin, turpin dhe mjerimin e tyre. Presim që jo vetëm ta durojnë këtë me qetësi, por edhe të na falënderojnë. Shumica e atyre me të cilët kam pasur të bëj, kanë qenë vërtet të duruar; dhe shumë mëkatarë të mëdhenj do t’i dëgjojnë predikuesit më të ashpër. Ata thonë se nuk duan të dëgjojnë dikë që nuk ua thotë troç mëkatet. Mirëpo, po t’u drejtohemi pastorëve të perëndishëm për gabimet apo çfarëdo mëkati të tyre, edhe pse i nderojmë, i respektojmë dhe flasim sa më butësisht të jetë e mundur, e marrin si fyerje të padurueshme, veçse kur duartrokitja që i paraprin është aq e fortë saqë ia mbyt forcën çdo qortimi apo kundërshtimi.

Vëllezër, e di që ky është një rrëfim i trishtë e i ashpër. Mirëpo duhet të na hidhërojë më shumë fakti që e gjithë kjo është pjesë e jona, sesa fakti i të folurit për të; dhe unë dëshiroj të shqyrtoj nga afër edhe zemrën time po aq sa tuajën. A nuk kemi shkak shumë prej nesh për të hetuar nëse sinqeriteti ynë do të zbulojë një krenari të një mase të tillë?

Puna mund t’i takojë Perëndisë, megjithatë ne nuk e bëjmë për Perëndinë, por për veten tonë. Rrëfej që e ndiej kaq shumë rrezikun e vazhdueshëm në këtë pikë, saqë po nuk u ruajta; do të studioj për veten, do të predikoj për veten dhe do të shkruaj për veten e jo për Krishtin, atëherë puna ime patjetër që do të shkojë dëm. Ju lutem të kini parasysh se çfarë kurthesh gjenden në punën e shërbesës që e joshin njeriun të jetë egoist, domethënë, mishëror e jo i devotshëm, edhe në veprat më të larta të devotshmërisë. Fama e një njeriu të perëndishëm është po aq kurth sa edhe fama e një dijetari: mjerë ai që kapet pas reputacionit të perëndishmërisë dhe jo pas perëndishmërisë vetë. “...me të vërtetë ju them se tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre” (Mateu 6:2, 5).

Ky artikull është përshtatur nga një pjesë e librit “The Reformed Pastor: Updated and Abridged” i shkruar nga Richard Baxter dhe i përshtatur për anglishten moderne nga Tim Cooper.


Richard Baxter (1615-1691) ka qenë një pastor me mjaft ndikim, një udhëheqës i puritanëve anglezë, një shkrimtar prodhimtar dhe folës i pashoq. Ka shkruar rreth 140 libra me tematika nga më të ndryshmet. Veprat e tij më të mirënjohura janë: “The Saints’ Everlasting Rest” (Prehja e përhershme e shenjtorëve, 1650) dhe “The Reformed Pastor” (Pastori i reformuar, 1656).

Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/dear-pastor-pride-is-a-subtle-enemy/
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2024

EtiketaCrossway

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
10 vargje kyç mbi lakminë
>