pastor

Maj 2022


Këshillim për gratë në shërbesë

Do të doja që dikush të më kishte treguar. Do të doja që një grua pastori, më e madhe se unë në moshë, të më kishte ndihmuar duke më drejtuar në planet idealiste dhe ëndrrat e bukura, që unë kisha për të ardhmen, si një bashkëshorte në shërbesë. Do të doja që ajo të më kishte mësuar si t’i shërbeja Mbretit tonë në mënyrën më të mirë dhe ta doja bashkëshortin tim më së miri ndërsa ishim së bashku në shërbesë.

Kushedi? Ndoshta do ta kisha dëgjuar; ndoshta jo. Por ja ku erdhi mundësia ime. Tani është privilegji im i shenjtë të kthehem dhe të jap këshilla. A jeni e martuar me një student, i cili do të bëhet pastor dhe po përgatiteni që të shërbeni së bashku? Ose ndoshta ju dhe bashkëshorti jeni duke i shërbyer Krishtit në një kishë, të cilën e doni shumë? Pas gati pesëdhjetë vitesh martese në shërbesë, kam një këshillë që do të doja ta kisha kuptuar që në ditët e para të martesës me pastorin tim të dashur: jini të gatshme të rrezikoni reputacionin tuaj.

Pushteti i gjuhës

Udhëheqësit janë gjithmonë objekt bisede. Por unë e kisha të vështirë të jetoja me këtë fakt, sepse shumë herë nuk bija dakord me bisedën aktuale. Do të doja që dikush të më kishte mësuar se si është kur ia dorëzon reputacionin tënd, Atij të Cilit e përuli veten e Vet nga dashuria për ne (Filipianëve 2:7-9).

Për shkak të pozicionit dhe ekspozimit të bashkëshortit tënd, ai—dhe familja e tij—do të jenë subjekt i shumë bisedave. Disa prej këtyre bisedave do të të vijnë edhe ju në vesh. Herë pas here mund të të pushtojë dhimbja dhe zemërimi, saqë gati-gati heqin edhe motivimin tënd për të shërbyer. Për pak sa nuk ndodhi dhe me mua. Siç dhe thotë Solomoni: “Vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e gjuhës” (Fjalët e Urta 18:21).

Duke hedhur një vështrim në pesë dekadat e fundit, të këshilloj me të vërtetë që të keni kujdes nga vetëmbrojtja. Mund të kthehet në epiqendrën e vetvetes, atje ku hidhërimi shtohet lehtësisht, teksa ti mediton për padrejtësinë dhe fjalët e pavërteta të njerëzve për ty dhe bashkëshortin tënd.

Gjatë një kohe shumë të vështirë të shërbimit tonë si pastorë, një anëtar i stafit dha dorëheqjen me dëshirën e tij. Pak muaj më vonë, ai u kthye përsëri dhe i kërkoi Ray-t, bashkëshortit tim, që ta falte, sepse ai kishte përhapur gënjeshtra për të në kishën dhe komunitetin tonë. Sigurisht që Ray e fali, por dëmi tashmë ishte bërë. Me sa di unë, ai burrë nuk bëri asnjë përpjekje për të rregulluar gabimin e përhapjes së shpifjeve në qytetin ku jetonim.

Inati dhe zemërimi më kishin mbytur. Madje dhe tani është e vështirë ta shkruaj këtë ngjarje pa ndier të njëjtin lëndim. Burimet e mia njerëzore ishin (e mbeten) të kufizuara, dhe përsëri humba energji të çmuar emocionale dhe shpirtërore, për shkak të humbjes së një reputacioni të mirë në sytë e disa njerëzve. Kisha nevojë t’ia dorëzoja reputacionin tim Krishtit.

Dorëzoja reputacionin tënd Krishtit

Përgjatë viteve, Krishti më ka udhëhequr me durim drejt të qenët tolerante ndaj atyre që dëmtojnë reputacionin tonë si shërbëtorë të Tij (Kolosianëve 3:12–13). Ai më ka mësuar dy gjëra rreth dorëzimit të reputacionit tek Ai.

E para, Ai më bëri të ktheja shikimin drejt atyre që i shpërfillën fyerjet në jetët e tyre misionare në shërbim të Jezu Krishtit. Shko tek ata të cilët kanë duruar kritika të rënda, thashetheme mizore dhe shpifje të ashpra—si për shembull, shenjtorët Susannah Wesley, Sarah Edwards dhe Amy Carmichael. Unë përpiqem të lexoj një biografi të krishterë çdo vit, në mënyrë që të modelohem sipas shembullit të një shenjtori të matur. Besimi im nxitet gjithmonë ndërsa konsideroj sprovat e tyre më të vështira dhe Perëndinë, i Cili i forcoi dhe i shpërbleu ata.

E dyta, në vend që të harxhoja energji emocionale dhe shpirtërore duke u zhgënjyer nga ligësia e thashethemeve të tyre, dhe nga ndikimi që ato kishin në shërbesën tonë, Krishti më ndihmoi të bëhesha një grua në shërbesë, e cila shkonte tek Ai dhe Fjala e Tij për paqe dhe forcë. Gra të reja në shërbesë, lejoje dashurinë që Perëndia ka për ty të mbulojë të gjitha fyerjet që të tjerët kanë bërë ndaj teje dhe pastorit tënd (Fjalët e Urta 17:9). Secila prej nesh, në shërbesë, do të thirremi në një moment për të dashur ata që na kanë fyer.

Përulësia do të fitojë

Ndërsa Perëndia përmbush premtimet e Tij të hirshme ndaj nesh, ne do të ndihemi kaq të përulur në dashurinë e Tij shpëtuese, saqë shpifjet dhe thashethemet nuk do të mundin të na rrëzojnë emocionalisht dhe shpirtërisht. Përulësia na mëson të mos shtangemi për atë çfarë të tjerët thonë, sepse nëse do të na njihnin pak më mirë, do të kishin edhe më shumë për të folur rreth nesh.

Hiri i Perëndisë jo vetëm që do të na thellojë në përulësi, por gjithashtu do të na ndihmojë të kemi aq shumë siguri në Krishtin, saqë dashuria dhe kujdesi i Tij për ne, për bashkëshortin dhe familjen tonë do ta tejkalojnë nevojën që kemi për të marrë lavdërime njerëzore në këtë botë. Ne do të mundemi t’u rezistojmë shqyrtimeve të vazhdueshme, kritikave të padrejta apo thashethemeve të pavërteta, sepse shpirti ynë ka mësuar të gjejë prehje vetëm te Perëndia (Psalmi 62:1). Hiri i Tij do të na lejojë të zbatojmë thirrjen që na drejtohet te 1 e Pjetrit 3:9: “pa e kthyer të keqen me të keqe ose fyerjen me fyerje, po, përkundrazi, bekoni, duke e ditur se për këtë u thirrët, që të trashëgoni bekimin.”

Pra, cili është bekimi i Perëndisë? Kur qëllimet e Tij të përmbushen dhe kur të gjitha gabimet të ndreqen, Perëndia do të japë një dëshmi të vërtetë për shërbëtorët e Tij. Kur miqtë, studentët, familja apo dhe anëtarët e kishës të braktisin, ti nuk je vetëm, sepse dhe të tjerë kanë ecur në këtë shteg. Mendo për Jeremian, Palin, për shenjtorë të tjerë—si dhe për vetë Jezusin. Mbaj mend se është Perëndia, Ai i Cili do të thotë fjalën e fundit për ty, familjen tënde, bashkëshortin dhe shërbesën e tij. Ai do të të japë një dëshmi të vërtetë për zemrën tënde të përulur dhe për vlerën tënde të vërtetë në Krishtin Jezus.

Ku na çon kjo gjë?

Këshilla ime për ty? Kërkoji Perëndisë të të ndihmojë të kontrollosh gjuhën tënde dhe të durosh akuzat e pavërteta ashtu siç bëri dhe apostulli Pal: “duke qenë të fyer, bekojmë; duke qenë të përndjekur, durojmë; duke qenë të sharë, lutemi” (1 e Korintasve 4:12-13).

Jezusi veproi po njësoj. Në fakt, ishin dëshmitarët e rremë ata që me dëshmitë e tyre e dënuan Atë me vdekje (Mateu 26:57–62). Edhe gjatë agonisë së Tij në kryq, Ai nuk foli ashpër, por u dorëzua tek Ai që gjykon drejtësisht (1 e Pjetrit 2:23). Këtë mund ta bësh edhe ti. Perëndia të zgjodhi nga përjetësia e shkuar që të jesh një ushtare e guximshme në planin e Tij të madh të shpëtimit të kësaj bote nevojtare. Pjesë e këtij plani është dhe shërbesa jote krahë për krahë bashkëshortit tënd tokësor me një përkushtim të plotë ndaj Krishtit, pavarësisht çdo rrethane (Kolosianëve 3:23).

Shumë shpejt do të të vijë radha për të ndihmuar brezat e rinj të grave në shërbesë pas jush. Ashtu si Jezusi, mos e harxho energjinë tënde në atë çfarë të tjerët mendojnë apo flasin për ty. Duaje Krishtin duke e shkëlqyer aq fort Atë, sa të gjithë ata që do të jenë afër teje, do ta shohin Atë më qartë. Më pas eja dhe bashkohu me mua në qiell, atje ku do të thuhet e vërteta e shërbesës tonë dhe ku do t’i shërbejmë Mbretit të dashur përjetë së bashku.

Jani Ortlund është bashkëshortja e Ray Ortlund. Ajo shërben si zëvendëspresidente e "Renewal Ministries", dhe mund ta dëgjoni në podkast te He Restores My Soul. Ajo është autorja e librit Help! I Am Married to My Pastor: Encouragment to Ministry Wives and Those Who Love Them.


Përktheu: Joana Muhameti | Redaktoi: Vilma Dina
Botuar me leje:  https://www.desiringgod.org/articles/when-your-husband-is-your-pastor  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim