Perendia,dashuri

Maj 2022


Vër re se fjala “demonstron” është në kohën e tashme dhe fjala “vdiq” në kohën e shkuar. “Perëndia e demonstron dashurinë e Tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.”

Koha e tashme nënkupton se ky demonstrim është një veprim i vazhdueshëm që vazhdon të ndodhë edhe sot. Dhe do të vazhdojë të ndodhë nesër.

Fjala “vdiq” në kohën e shkuar nënkupton se vdekja e Krishtit ndodhi një herë e përgjithmonë dhe nuk do të përsëritet. “Sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia” (1 e Pjetrit 3:18).

Pse Pali përdori kohën e tashme (“Perëndia e demonstron”)? Unë do të prisja që Pali të thoshte: “Perëndia e demonstroi (koha e shkuar) dashurinë e Tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.” A nuk ishte vdekja e Krishtit demonstrim i dashurisë së Perëndisë në çastin kur ndodhi? A nuk ndodhi ky demonstrim në të shkuarën?

Mendoj se përgjigjja na jepet disa vargje më përpara. Pali sapo ka thënë se “shtrëngimi prodhon durimin, durimi përvojën dhe përvoja shpresën. Por shpresa nuk turpëron” (Romakëve 5:3-5).

Me fjalë të tjera, synimi i gjithçkaje përmes së cilës Perëndia na kalon, është shpresa. Ai do që përmes të gjitha shtrëngimeve, ne të ndiejmë një shpresë të palëkundshme.

Si është e mundur kjo për ne?

Pali përgjigjet në rreshtin vijues: “Sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë” (Romakëve 5:5). Dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona. Koha e kësaj foljeje tregon se dashuria e Perëndisë u derdh në zemrat tona në të shkuarën (në çastin e kthimit tonë në besim) dhe është ende e pranishme dhe aktive.

Perëndia e demonstroi dashurinë e Tij për ne duke e dhënë Birin e Tij që të vdiste në të shkuarën një herë e përgjithmonë për mëkatet tona (Romakëve 5:8). Megjithatë, Ai e di gjithashtu se kjo dashuri në të shkuarën duhet të përjetohet si një realitet i tashëm (sot dhe nesër), nëse do të kemi durim, karakter dhe shpresë.

Prandaj, Ai jo vetëm që e demonstroi dashurinë e Tij në Kalvar; por Ai vazhdon ta demonstrojë atë tani në zemrat tona, me anë të Frymës. Ai e bën këtë duke na i hapur sytë e zemrës për të soditur dhe shijuar lavdinë e kryqit dhe garancinë që ai na jep se asgjë nuk mund të na ndajë dot nga dashuria e Perëndisë në Krishtin Jezus (Romakëve 8:38-39).


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>