Krishtlindje

Dhjetor 2021                                                                       


Kjo ishte ora që ndau historinë më dysh!

Deri në atë Krishtlindje të parë, Ai kishte qenë, që nga përjetësia e shkuar, Biri hyjnor dhe Personi i dytë i Hyjnisë. Ai ishte agjenti i vullnetshëm i Perëndisë në krijim (Gjoni 1:3, Kolosianëve 1:16, Hebrenjve 1:2), dhe që nga fillimi i kohërave e kishte mbajtur gjithësinë në çdo moment (Kolosianëve 1:17, Hebrenjve 1:3).

Më pas erdhi ndryshimi i madh–shtesa e bekuar–në vetë zemrën e realitetit. Fjala u bë mish (Gjoni 1:14), Perëndia u bë njeri. Vetë Krijuesi erdhi si një krijesë, Autori hyri në historinë e Tij si personazh. Pa braktisur asnjë tipar të të qenët Perëndi, Ai mori mbi vete gjithë sa do të thotë të jesh njeri.

“Pabraktisur asnjë tipar të të qenët Perëndi, Ai mori mbi vete gjithë sa do të thotë të jesh njeri.”

Këtë të vërtetë të mahnitshme, që e gjejmë në qendër të asaj që kremtojmë në Krishtlindje, ne e quajmë “mishërimi”, që do të thotë “veshja me mish” e Birit hyjnor–Perëndia Vetë mori mish dhe gjak njerëzor bashkë me gjithë karakteristikat e të qenët njeri. Krishtlindja është momenti kur Ai i shtoi natyrën njerëzore hyjnisë së Tij dhe e bëri këtë gjë që të na çlirojë nga rebelimi ynë që na shkatërron shpirtin, dhe të na tejmbushë me kënaqësinë e përjetshme për të cilën jemi krijuar.

Bashkim enigmatik

Kjo është një zbulesë e lavdishme dhe gjithashtu një mister i madh. Misteri më i madh në gjithë historinë është se si Perëndia Vetë u bë plotësisht njeri pa pushuar së qenët plotësisht hyjnor–pra, si Perëndi, në gjithë natyrën e Tij hyjnore, Ai e bashkoi Veten me gjithë natyrën njerëzore. Historia e kishës ka përdorur termin “bashkimi hipostatik” për të përshkruar bashkimin e dy natyrave të dallueshme në një person të pandashëm (“hipostatik” është thjesht një fjalë e madhe për të thënë “personal”, pra, një “bashkim personal”). Jezusi është plotësisht Perëndi dhe plotësisht njeri në një Person madhështor.

Ky bashkim i Perëndisë dhe i njeriut në Jezusin bën të mundur bashkimin tonë me Hyjninë përmes Tij. Gjithsesi, misteri më i madh nuk është mënyra si jemi bashkuar ne me Perëndinë përmes besimit (përmes hirit të pastër dhe veprës së Frymës), por mënyra se si Perëndia e bashkoi veten Tij me ne në personin e vetëm të Krishtit.

“Bashkimi është aq i përsosur,” thotë D. A. Carson, “saqë edhe pse Ai ka dy natyra, Ai është vetëm një Person.” Kjo është shumë e mirë për të qenë e vërtetë.

Prandaj: “Jezusi me të vërtetë ka të përbashkët me ne gjithçka që do të thotë të jesh njeri”, shton Russell Moore.

Ai është vërtet njeri

Kur e pyet Moore për personin e Krishtit, ajo që i vjen menjëherë në mendje është Hebrenjve 2:11-14, e cila flet për natyrën njerëzore të Jezusit.

“Natyra njerëzore e Jezusit është shpesh e vështirë për t’u kuptuar nga ungjillorët,” thotë ai. Ne jemi të shpejtë në përqafimin e hyjnisë së Krishtit–të paktën ne që kemi një doktrinë të vërtetë. Që nga dita e parë kemi mësuar se Jezusi është Perëndi: “Ne e kuptojmë hyjninë e Tij, por Ai gjithashtu ishte edhe një njeri real dhe i vërtetë, dhe ende vazhdon të jetë i tillë.”

Moore radhit “katër gardhe”, të cilat vijnë nga kuvendet e hershme të kishës dhe na mbrojnë nga gabimi, kur bëhet fjalë për këtë mister të madh të Krishtlindjes në personin e Krishtit: Ai është: 1) plotësisht Perëndi, 2) plotësisht njeri, 3) si një Person i vetëm në 4) dy natyra.

Ai e “zbrazi” Veten

Një vështirësi për mendjen njerëzore është që ne jemi të prirur të mendojmë për natyrën hyjnore dhe atë njerëzore me terma që e përjashtojnë njëra-tjetrën. Mund të spekulojmë duke thënë: Nëse Ai “u bë njeri”, në njëfarë kuptimi duhet të ketë pushuar së qenët Perëndi. Pastaj vijmë në tekste si Filipianëve 2:7, që thonë se Perëndia “e zbrazi veten”, dhe pyesim: A e zbrazi Ai veten nga atributet e hyjnisë? Carson përgjigjet:

Shprehja nuk do të thotë se Ai e zbrazi veten nga to; por kjo është një mënyrë shprehjeje për të thënë se Ai u bë një askush, e përuli veten plotësisht, jo vetëm për t’u bërë qenie njerëzore, por për të shkuar deri në pikën e fundit të poshtërimit, turpit dhe torturës së kryqit... Këtu po flitet për vetëpëruljen e mahnitshme, të pashoqe, të papërfytyrueshme dhe të papërshkrueshme për t’u bërë njeri dhe pastaj të shkonte aq larg sa jo vetëm të bëhej skllav, por një skllav që vdes në kryq.

Misteri që zbulon: Tre mësime

Mishërimi mbetet një mister i madh, por Shkrimi nuk e lë gjithçka enigmatike. Nga intervista jonë prej 17 minutash me Carson dhe ajo prej 14 minutash me Moore, ja ku janë tre mësime të rëndësishme që na zbulon kjo doktrinë e mistershme:

1. Natyra hyjnore dhe natyra njerëzore nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën

“Dy natyrat nuk e dobësojnë njëra-tjetrën,” thotë Carson. “Ai është vërtet njeri, me gjithë tiparet e natyrës njerëzore, dhe është vërtet Perëndi, me gjithë tiparet e natyrës hyjnore. Këto dy natyra e ruajnë dallueshmërinë, por në të njëjtën kohë, ne këmbëngulim se ato janë aq të bashkuara saqë Ai është një person i vetëm... Një gjuhë e tillë nevojitet për të ruajtur të gjithë zërat e ndryshëm kontribuues të Dhiatës së Re për të shpjeguar në mënyrë të mjaftueshme, dhe në një formë të përmbledhur, atë që Bibla thotë për Jezusin si Perëndia-njeri.”

Ky mësim për personin e Krishtit, pra, që natyra e plotë hyjnore dhe natyra e plotë njerëzore mbështesin njëra-tjetrën, na jep një pamje të vogël edhe për realitetet e tjera me shumë dimensione dhe që na lënë pa mend, si për shembull, autorësia hyjnore-njerëzore e Shkrimit, dhe tensioni hyjnor-njerëzor mes sovranitetit të Perëndisë dhe përgjegjësisë së njeriut.

2. Natyra njerëzore ka rëndësi, sikurse edhe jetët tona të zakonshme

Moore flet për tri dekadat e jetës së Jezusit si “një argat mëditës në një vend krejt të largët”. Çdo vit i jetës së Tij të qetë, para se të niste “shërbesën e Tij publike”, shërben si një afirmim dhe shenjtërim i jashtëzakonshëm i jetëve tona të zakonshme dhe të panjohura.

Fakti që Ai u bë njeri thekson gjithashtu vlerën, privilegjin dhe dinjitetin e mahnitshëm të njerëzve, si krijesat më të larta të Perëndisë, madje më të lartë se engjëjt. Këto “gjëra, që po ju predikohen tani nga ata, që ju kanë shpallur ungjillin” janë “gjëra në të cilat engjëjt dëshirojnë të vëzhgojnë” (1 e Pjetrit 1:12). Mbi fronin e qiellit, tani nuk është ulur një engjëll, por një njeri (Hebrenjve 2:9). Sa hir i mahnitshëm që Jezusi nuk turpërohet të na quajë vëllezër (Hebrenjve 2:11)!

3. Jezusi është fokusi i lutjes dhe adhurimit

Kur u bë njeri, Jezusi u bë për ne imazhi i dukshëm i Perëndisë së padukshëm (Kolosianëve 1:15).  Jezusi është shkëlqimi i lavdisë së Atit të Tij (Hebrenjve 1:3). “Drita e njohurisë së lavdisë së Perëndisë” vjen te ne “në fytyrën e Jezu Krishtit” (2 e Korintasve 4:6), dhe Ai është “llamba” e vetme që lëshon dritën e lavdisë së Perëndisë në një krijim të ri, i cili nuk ka nevojë për diell apo për hënë (Zbulesa 21:23).

“Prandaj,” thotë Moore, “lutja ‘në emrin e Jezusit’ nuk është një yshtje magjike.” “Jezusi është i vetmi njeri, i cili ka të drejtën t’i afrohet Perëndisë.” Kush do t’i ngjitet malit të Zotit?, është pyetja e Psalmit 24 dhe përgjigjja përfundimtare është se Jezusi është i vetmi, që e përmbush plotësisht këtë vizion. Ai është i vetmi në të cilin mund të ngjitemi edhe ne.

Misteri më i madh i Krishtlindjes është gjithashtu edhe zbulesa e saj më e madhe. “Perëndia e ka bashkuar veten e Tij me ne përgjithmonë,” thotë Moore. “Ai është identifikuar përjetësisht me ne.”

David Mathis është redaktori ekzekutiv për desiringGod.org dhe pastor në Cities Church në Mineapolis/St. Paul. Ai është bashkëshort, baba i katër fëmijëve dhe autor i librit Habits of GraceEnjoying Jesus Through the Spiritual Disciplines.


Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/christmas-is-the-greatest-mystery  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021


Postime të ngjashme