priscilla du preez wwd93icc30y unsplash

Dhjetor 2021                                                                       


Të caktosh kohë për disiplinën shpirtërore

Të gjithë kemi kaluar periudha të tilla. Ndoshta për ty, sot është një prej atyre ditëve. Ditë e çmendur! Flasim të paktën nga ana shpirtërore. 

Shpresoj se po zhvillon rutinën tënde të rregullt, “zakone hiri” për t’u arritur dhe po gjen vende, kohën dhe mënyrën për të kërkuar bashkësi me Perëndinë çdo ditë. Ndoshta ke qenë në këtë gjendje për aq gjatë saqë kur të bie alarmi në një ditë normale, ke modele dhe ritme të zgjimit, ngrënies së mëngjesit dhe përgatitjes, të cilat lidhen me një sezon të shkurtër por thelbësor të “hyrjes në Fjalën”, për të rifreskuar mendjen, për të rimbushur zemrën dhe për të rikalibruar këndvështrimin përpara se të zhytesh në ditën e re.

Gjithsesi, pastaj vijnë ditët e çmendura. E duket se këto shfaqen më shpesh nga ç’e presim. Mund të jetë një bisedë e orëve të vona, e rëndësishme, por e lodhshme dhe që të bën ta fikësh alarmin vazhdimisht në mëngjes. Ose ndoshta ke ndenjur vonë me të afërmit, sepse kanë ardhur të flenë në shtëpinë tënde. Ose për prindërit mund të jetë fëmija (ose fëmijët) që i ka mbajtur zgjuar gjatë natës, apo është zgjuar shumë herët sepse do të hajë, ose thjesht do vëmendje. Apo ndoshta është thjesht kjo periudhë e jetës, e duket sikur çdo mëngjes ka nga një çmenduri të vetën. Armiku duket sikur ka nga një skemë të re dhe kreative çdo ditë për të të shmangur nga “koha vetëm me Perëndinë”.

Cilado qoftë rrethana që të prish rutinën, mëngjeset e çmendura ngrenë pyetjen: “Si duhet të mendoni dhe të angazhoheni në (nëse fare) mjetet e hirit të meditimit dhe lutjes së Biblës kur sovraniteti i mirë, por shpesh i papërshtatshëm i Perëndisë, lëkund rutinën tuaj?”

  1. Kujto për çfarë janë “zakonet e hirit”

Një pikënisje e mirë është pamja e madhe e rutinës tënde shpirtërore në mëngjes. Meditimi biblik nuk ka të bëjë me plotësimin e kutive, por me bashkësinë me Krishtin e ngritur në dhe përmes fjalës së Tij. Të ecurit në hirin e Tij, sot nuk varet nga ndjekja e plotë e rutinës së përkushtimit, në fakt nuk varet nga asnjë rutinë. Modeli i rregullt i bashkësisë me Krishtin është jetësor, jo koha shtesë në një ditë të caktuar. 

Mund të lexosh të gjitha pasazhet, të kalosh kohë shtesë në meditim dhe lutje, të përpiqesh shumë të mësosh përmendësh vargje dhe të kalosh menjëherë në një ditë ku ecën me forcat e tua, dhe nuk vdes për interesat egoiste për të plotësuar nevojat e të tjerëve. Në fakt, ka të ngjarë që ditët kur ndihesh më i fortë personalisht dhe më i arrirë shpirtërisht, janë ditët kur je më i prirur të ecësh me forcat e tua, dhe jo me forcën që Perëndia siguron (1 e Pjetrit 4:11).

  1. Konsidero udhën e dashurisë

Është dashuri (ndaj të tjerëve) të kesh bashkësi të rregullt me Perëndinë. Ka efekte të mira horizontale kur shpirtrat tanë janë të themeluar dhe të lulëzuar vertikalisht. Do të jesh bashkëshort, prind, mik, kushëri dhe fqinj më i mirë, nëse shpirti yt formësohet dhe mbahet vazhdimisht nga një marrëdhënie e vërtetë me Perëndinë në fjalën e Tij dhe në lutje. 

Ndonjëherë, gjëja më e dashur që mund të bëjmë është të largohemi nga njerëzit për disa minuta, ta ushqejmë shpirtin në Perëndinë dhe mirësinë e Tij, dhe të kthehemi te familjet e komunitetet tona me energji të reja për të plotësuar nevojat e të tjerëve. Sidoqoftë, në raste te tjera, shtegu i dashurisë kalon përmes vdekjes ndaj dëshirave tona për kohë personale—madje edhe në gjëra të tilla të mira si lutja dhe meditimi i Biblës—për t’i kushtuar vëmendje fëmijës së sëmure apo që u zgjua herët, për të përgatitur e për t’i shërbyer mëngjesin një familjeje që na kanë ardhur nga një qytet tjetër, ose për të ndihmuar bashkëshorten apo një mik që po kalon vetë një mëngjes të ngjeshur.

  1. Zhvillo një rutinë mëngjesi që është e përshtatshme

Mbaj në mendje mëngjeset e çmendura, kujto që do të vijnë dhe ji gati për to, e kjo do të të ndihmojë të zhvillosh zakone që përshtaten lehtësisht. Përpiqu të krijosh një rutinë që mund të zgjerohet në më shumë se një orë, nëse e ke, apo që mund të përmblidhet në vetëm dhjetë minuta, ose më pak, kur dashuria e kërkon. 

Për shembull, mund të mendosh për një rutinë të tillë: Fillo me leximin e Biblës, kalo në meditim, lustroje me lutje. Në ditët që ke më tepër kohë, mund të lexosh dhe të meditosh më gjatë, mund të mbash shënime dhe të kalosh kohë për t’u pasuruar përmes mësimit përmendësh, dhe mund të zgjatesh në lutje, nga adhurimi në rrëfim, në falënderim e pastaj përgjërim. Sidoqoftë, në mëngjeset e çmendura, mund t’i kalosh lexim-meditim-lutje në disa minuta të shkurtra, nëse është e nevojshme.

Në vend që të lexosh të gjithë pasazhet e caktuara në planin tënd të leximit të Biblës, merr një psalm të shkurtër apo një përshkrim të vogël të ungjillit, ose një pjesë nga një letër. Kërko manifestim të mirësisë së Perëndisë në pasazh dhe medito rreth saj në Jezusin e përpiqu ta marrësh atë të vërtetë në zemër. Pastaj lutu që ajo e vërtetë të ndriçojë ditën tënde dhe gjithashtu lutu edhe për kërkesa të tjera spontane që ke atë mëngjes. 

Nëse je vërtet keq me kohën, të paktën lutu dhe kërko të mbash frymën e lutjes dhe të varurit nga Perëndia gjatë ditës. Krishti mund të të takojë edhe kur je duke lëvizur. Shprehi Perëndisë se duket sikur rrethanat dhe thirrja për dashuri po të drejtojnë në jetë sot. Prano që nuk mund ta fitosh ndihmën e Tij me një kohë të gjatë meditimi dhe lutjeje, dhe kërkoji që të të shfaqet sot duke qenë forca jote kur ndihesh i dobët shpirtërisht. 

Ka efekte të mira horizontale kur shpirtrat tanë janë të themeluar dhe lulëzojnë vertikalisht.

Në fakt, zakonisht në ditët e çmendura ndihem më i varur te Perëndia dhe ndjesia e dobësisë është e mirë që Perëndia të më tregojë forcën e Tij. “Hiri im të mjafton sepse fuqia ime përsoset në dobësi” (2 e Korintasve 12:9). 

  1. Kërko sigurimin e Perëndisë përmes të tjerëve

Mjetet e hirit nuk janë thjesht personale. Ato janë thellësisht bashkëpunuese. Edhe meditimi, edhe lutja personale janë të formësuar thellësisht nga jeta jonë në komunitet, dhe prej atyre që na kanë mësuar qëllimisht. Meditimi dhe lutja personale mund të jenë të fuqishme–dhe janë zakone të hirit që ia vlen t’i kërkosh çdo ditë–por po ashtu mund të jetë edhe një kujtesë e hirit të Perëndisë nga bashkëshorti/ja, një mik apo një besimtar. Mos e neglizho fuqinë e bashkësisë si mjet i hirit të Perëndisë. 

Nëse koha vetëm me Jezusin nuk ndodh në këto mëngjese të çmendura, tregohu i vëmendshëm për të marrë “një kafshatë” të ungjillit nga bisedat me dikë që e do Jezusin. Nëse është ditë e ngarkuar për të dy, ndoshta një bisedë e shpejtë, që drejton secilin te Krishti dhe te mirësia e Tij ndaj nesh, do të prodhojë ndopak ushqim për të dy, që nuk do ta merrnit ndryshe.

  1. Vlerëso më vonë ç’mund të mësosh për herën tjetër

Kur mëngjesi dhe dita e çmendur ka kaluar, përpiqu të mësosh si të rritesh në parapritjen dhe trajtimin e këtyre rasteve në të ardhmen. Nëse qëndron deri vonë për të parë një film apo një serial, mësimi mund të jetë, shumë thjesht, të planifikosh më mirë herën tjetër. Edhe pse shpesh nuk mësojmë asgjë. Kështu është jeta në këtë kohë që jetojmë.  

Ditët e çmendura do të vijnë. Ka periudha në jetë gjithashtu–si një i porsalindur në shtëpi–ku gjithçka lëviz shumë shpejt dhe është një periudhë e çmendur. Ndaj me pak qëllimshmëri, dhe me një plan modest, mund të mësosh të jetosh përmes këtyre ditëve, madje të ecësh në varësi më të madhe ndaj Perëndisë, duke ditur mirë se nuk ka të bëjë me ekzekutimin e zakoneve të mëngjesit që na sigurojnë hirin dhe bekimin e Tij. 

Mund të kesh bashkësi me Krishtin në këto ditë të çmendura.


Kategoria: Artikuj Crossway
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/5-ways-to-commune-with-christ-on-a-busy-day/  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021


EtiketaCrossway

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi inkurajimin
10 vargje kyç mbi besimin te Perëndia
I dashur pastor… bariut tënd nuk i intereson sa e madhe është kisha jote
>