corona-cannot-prevail-against-her-09lf61qf-618c51faa6ebc19fccc9fd557669912a

Prill 2020


Këto mund të jenë ditë të pazakonta për jetën tonë, por nuk janë të pazakonta në jetën e kishës.

Kisha ka duruar vuajtje dhe pasiguri të tilla edhe më parë, madje më keq se kaq, thjesht nëse flasim për pandemitë, për të mos e përmendur përndjekjen. Në ditë si këto, në çdo stinë të jetës tonë, bëjmë mirë të kujtojmë sigurinë dhe vendin qendror që kisha zë në kujdesin e Krishtit të gjallë.

Për t’u treguar të qartë, kjo nuk është një fjalë për të qenë kisha në epokën e virusit korona. Kjo është epoka e kishës, jo epoka e një virusi. Kisha nuk ka për të kaluar. Virusi korona po.

Kjo është bota e Atit tonë. Kjo është bota e Krishtit. Dhe si Nusja e tij, kjo është me të vërtetë bota e kishës. Nuk është bota e mediave të lajmeve. As bota e statisticienëve dhe epidemiologëve. Nuk është bota e ekonomistëve dhe politikanëve. Kisha do t’i kalojë këto ditë, do t’i mbijetojë sprovës, dhe do të jetë edhe më e fortë për shkak të pikëllimit tonë të tanishëm i cili është thjesht kalimtar.

Historia kryesore në botën e sotme

Lajmi kryesor që po ndodh në botë tani nuk ka të bëjë me të dhënat rreth përhapjes së virusit, apo me ekonominë, lehtësimin dhe çeqet që do u jepen. Lajmi kryesor është kisha. Jezu Krishti, me gjithë autoritetin e tij në qiell dhe në tokë, është duke ndërtuar kishën e tij (Mateu 16:18). As portat e ferrit nuk kanë për ta penguar dot përparimin final të kishës së tij, dhe aq më pak një panik i përkohshëm dhe rënia e tregjeve financiare.

Kjo nuk do të thotë që të krishterët nuk do të sëmuren, dhe disa të vdesin. Disa tashmë janë sëmurur dhe kanë vdekur. Dhe jo që disa kisha të caktuara lokale do të vdesin. Disa do të vdesin. Disa kisha lokale i kanë mbyllur dyert e tyre të cilat nuk do të hapen sërish. Por Kisha globale qëndron e palëkundur, nuk ka asnjë kërcënim real ndaj saj, madje ajo do të jetë më e fortë se më parë.

Historia e Kishës globale, ndërsa të krishterët në dukje të izoluar i dërgojnë njëri-tjetrit mesazhe, e telefonojnë, bëjnë thirrje video dhe mësojnë sërish si të kujdesen për njëri-tjetrin, për fshatrat dhe qytetet tona, është gjëja kryesore që po ndodh në botë në këtë moment. As CNN dhe as Fox nuk po e ndjek këtë histori. Por ky në fakt është lajmi i parë dhe më i rëndësishëm. Në Krishtin, ne po jetojmë historinë e cila do të tregohet më shumë se çdo tjetër në epokat që do të vijnë.

Ne nuk jemi vetëm audienca dhe dëshmitarët okularë, por gjithashtu edhe pjesëmarrësit. Ndërsa mblidhemi në dhomat e ndenjes dhe adhurojmë si familje. Ndërsa pastorët dhe pleqtë e kishës takohen përmes platformës Zoom për t’i sjellë këshillë dhe kujdes tufës së tyre fizikisht të shpërndarë. Ndërsa i hapim Biblat tona me një uri dhe etje për ushqim që të mban dhe për udhëzim të cilin nuk e kemi ndjerë prej kohësh, apo si kurrë më parë. Ndërsa biem në gjunjë në dhomën tonë, dhe ulim kokat si familje. Kishat tona po siten dhe disa prej tyre kanë dalë të mangëta. Por Kisha është e gjallë dhe shëndoshë e mirë. Jo thjesht duke u mbajtur në fije të perit, por duke u rritur në forcë. Nusja e Krishtit do jetë edhe më e bukur për shkak se i ka duruar këto ditë.

Përmes Kishës

Jo vetëm që e ardhmja e kishës globale është e sigurt në fuqinë sovrane të Perëndisë përmes Krishtit, por qëllimet e tij sovrane për botën mund të themi se përqendrohen tek kisha e tij. Tabloja që Apostulli Pal na pikturon tek Efesianëve 3 për qendërsinë e kishës në punën e Perëndisë në botë nuk është asgjë më pak sesa një tablo marramendëse: Krishti e kanalizon lavdinë e tijj globale në mënyrë unike përmes kishës së tij.

Perëndia e bëri Palin shërbëtor të ungjillit dhe ai shkruan, “për t’ju shpallur johebrenjve pasuritë e pahulumtueshme të Krishtit” dhe

për t’u manifestuar të gjithëve pjesëmarrjen e misterit, i cili nga epokat më të lashta qe fshehur në Perëndinë, i cili krijoi të gjitha gjërat nëpërmjet Jezu Krishtit;  që nëpërmjet kishës, në kohën e tashme u manifestohej principatave dhe pushtetëve, në vendet qiellore, dituria e shumëllojshme e Perëndisë. (Efesianëve 3:8-10)

A e kapët çfarë thuhet? Perëndia po e bën të njohur diturinë e tij të shumëllojshme, jo vetëm në sferën fizike por edhe në atë frymërore – në mënyrë që ta shohë gjithësia. Si po e bën këtë? Përmes kishës. Pavarësisht se nga e kthejnë njerëzit shikimin e tyre, ushtritë e engjëjve dhe demonëve janë duke parë kishën. Perëndia është duke e kanalizuar punën e tij në këtë botë përmes kishës së tij.

Ky nuk është thjesht një kanal mes të tjerëve. Kisha është i vetmi kanal që përmendet këtu. Epidemologët dhe ekonomistët kanë pjesën e tyre për të luajtur, por gjëja kryesore që po ndodh në botë në këtë moment, dhe në çdo kohë tjetër, është ajo që Jezu Krishti është duke bërë në dhe përmes kishës së tij.

Në Kishë

Si populli i Perëndisë, të bashkuar në Krishtin, ne jemi pjesë e asaj lenteje kolektive përmes së cilës Perëndia është duke e fokusuar punën e tij në botë për vetë lavdinë e Birit të tij. Pali nuk është se e thotë një herë. Ai i kthehet kësaj gjëje edhe pas disa fjalish. Ai nuk po fliste në mënyrë të paqartë në vargun 10. Mos u përpiqni ta hidhni poshtë me sqarime. Ideja është po aq e qartë dhe goditëse edhe në një prej bekimeve më të mëdha të Biblës:

Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishën në Krishtin Jezus për të gjitha brezat, në jetë të jetëve. Amen. (Efesianëve 3:20-21).

Si po përlëvdohet Perëndia – ai i cili është në gjëndje të bëjë shumë më tepër nga sa mund të imagjinojmë – në botën tonë sot dhe në këtë kohë? Mahnituni: në kishën dhe në Krishtin Jezus. Përmes Krishtit, të ulur në vendet qiellore dhe përmes kishës së tij që e shfaq atë përreth botës në çdo qytet të madh dhe duke përparuar në çdo gjuhë, fis, popull dhe komb. Bashkëshorti, i cili është vetë imazhi i Perëndisë (Kolosianëve 1:15, 2 Korintasve 4:4) dhe fokusi i lavdisë së Perëndisë në histori, na dha ne, Nuses së tij, Frymën e tij në mënyrë që ne kolektivisht ta portretizojmë atë, dhe Atin tonë në këtë epokë.

Kjo është epoka e Kishës

Ne nuk jemi kisha në epokën e virusit korona. Ne mund të kalojmë një pandemi globale, por e bëjmë këtë si kisha në epokën e kishës. Ne nuk po jetojmë në një epokë pandemie, në një epokë digjitale, në një epokë pragmatike, apo në një epokë tjetër të çfarëdo-gjëje-që-dëshironi-të-theksoni. Kjo është epoka e kishës.

Dhe kisha nuk është thjesht një realitet tjetër mes realiteteve të tjera për t’i shkëmbyer si mbiemra që karakterizojnë kohët tona. Kisha është mbiemri. Kjo është epoka në të cilën jetojmë. Dhe në Krishtin le të mos i lejojmë mediet e mëdha, rrymat shoqërore, apo harresën tonë të na bëjnë të mendojmë ndryshe.

Ndërsa ditët bëhen javë dhe javët bëhen muaj, le të jemi kisha për njëri-tjetrin, sikurse na është premtuar në këto ditë të çmuara. Le të përfaqësojmë Krishtin, si Kisha, para fqinjëve tanë. Nuk ka plan B. Krishti nuk ka nevojë për një Plan B. Orët e karantinës që investohen në atë thelbin e asaj se çfarë do të thotë të jemi kisha në ditë të tilla të pazakonta nuk do të jenë një investim i kotë. Jezusi do ta ndërtojë Kishën e tij, pavarësisht se sa shumë bashkësi nuk do të mbijetojnë. Kisha, çdo anëtar besnik, do të ngadhënjejë – dhe do të shijojë përjetë një botë pa viruse, sëmundje, apo ndonjë lëngatë tjerët. Portat e ferrit nuk do të fitojnë kundër kishës së Krishtit që po përparon.

Le të jemi Kisha

Pavarësisht që mund të na duket e çuditshme, ditë si këto, kur nuk mund të mblidhemi dot në grupe të mëdha, janë saktësisht arsyeja pse ne nuk është se thjesht marrim pjesë por bëjmë premtime ndaj njëri-tjetrit në kishën lokale.

Kjo është arsyeja pse kemi besëlidhje të anëtarëve të kishës. Jo për kohët e lehta dhe të rehatshme. Gjithkush është në rregull me kohët e rehatshme. Por besëlidhja shërben për ditët e vështira dhe sfiduese. Është për kohët kërcënuese. Për stinët e pasigurta dhe (në dukje) të pazakonta. Për kohët kur njerëzit e cekët fokusohen përbrenda, shqetësohen vetëm për sigurinë, mbrojtjen dhe produktivitetin e tyre, në vend që të shkojnë dhe me zell (dhe në mënyrë digjitale) përtej largësisë shoqërore për të treguar interesim për të tjerët, të marrin informacionet e fundit dhe të luten, dhe nëse është e nevojshme, të ndihmojnë me ilaçe, furnizime dhe ushqime.

Në martesë ne i betohemi njëri-tjetrit në të mirë e në të keq, në pasuri dhe në varfëri, në kohë të mira dhe në të këqija për shkak se këto janë kohët kur objektiviteti i besëlidhjes hap krahët e vet, i jep jetë jetëve tona, dhe siguron drejtim të qartë në pasigurinë tonë të çorientuar, konfuze dhe subjektive. Besëlidhjet objektive shërbejnë për stinët e konfuzionit subjektiv. Kjo është një prej këtyre stinëve.

Era e këtyre ditëve mund të largojë tej shumë byk. Baticat po i përmbytin cektinat. Por kisha e Krishtit do të ngadhënjejë. Ajo do të shkëlqejë edhe më qartë. Kohët e vështira janë ditë të mira për të qenë i krishterë.

David Mathis është redaktori ekzekutiv për desiringGod.org dhe pastor i kishës “Cities Church” në Minneapolis/St. Paul. Ai është bashkëshort, baba i katër fëmijëve dhe autor i librit Habits of Grace: Enjoying Jesus through the Spiritual Disciplines.


Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim