priscilla du preez voeb66yoriw unsplash

Mars 2022


Nga shumë përshkrime që mund t’i bëhen një kalvinisti, asnjë nuk është më i tmerrshëm sesa: i zemëruar dhe i lig.

Si munden ata të cilët bashkohen rreth madhështisë së Perëndisë, të luajnë rolin e pulës së vogël (nga filmi vizatimor “Chicken Little”) në një kohë kur shoqëria po kalbet? Dhe si munden t’i trajtojnë të tjerët në mënyrë të pamëshirshme, ata të cilët nuk kanë turp për “doktrinat e hirit”? Ne, kalvinistët, besojmë dëshminë e qartë biblike se Perëndia është sovran në shpëtim dhe sovran mbi gjithçka. Si mund të mos e kuptojmë se të mos i respektosh të tjerët–sytë e të cilëve besojnë se Perëndia nuk i ka hapur ende–është njësoj si të mos të duam t’ia dimë për vetë Perëndinë?

“Kalvinistët duhet të jenë më zemërbutët dhe më të duruarit nga të gjithë njerëzit”, vuri në dukje pastori dhe autori i dashur i himneve, John Newton (1725–1807). Nëse me të vërtetë e besojmë atë që themi se besojmë, ne, si kalvinistë, duhet të jemi njerëzit më të qetë dhe më të dashur, pavarësisht se sa e zemëruar dhe e ligë bëhet bota rreth nesh. Ne duhet t’i mbajmë përgjegjës bashkëbesimtarët tanë, të cilët rrëfejnë një Perëndi të madh, kur ata shfaqin zemërim për shkak të mosbesimit apo keqdashjes, ndaj atyre të cilëve nuk ndajnë të njëjtën teologji me tonën për sa i përket shpëtimit me anë të hirit falas.

Megjithatë, nuk duhet të tronditemi kur kalvinistët nuk jetojnë sipas hirit që shpallin. Në fund të fundit, ne besojmë edhe në shthurjen totale. Ky nuk është justifikim, por gjithashtu nuk duhet të habitemi.

“Ne, njerëzit, kemi aftësinë të shtrembërojmë pothuajse çdo doktrinë të vërtetë dhe ta kthejmë atë në një formë të shëmtuar”, - thotë autori dhe profesori D.A. Carson, themelues i Koalicionit të Ungjillit. “Është e mundur që me një temperament të papërshtatshëm, t’i marrim këto doktrina dhe të fillojmë ta prezantojmë veten si sektin më të lartë. Kjo mund të ushqejë një lloj arrogance.”

A janë kalvinistët më të përgatitur për dhimbjen?

Një realitet për të ardhur keq është kalvinisti i zemëruar. Temperamentet e paqëndrueshme do të shfaqen në çdo epokë, por ne mund të jemi t prirur ndaj tyre veçanërisht në ditët tona të kalbëzimit të shoqërisë. Çështja bëhet edhe më urgjente, teksa kundërshtimi ndaj krishterimit biblik rritet.

Të besuarit se Perëndia është tërësisht i mirë dhe plotësisht në kontroll, duhet të na bëjë më zemërbutë dhe më të duruar, por a duhet të na bëjë gjithashtu më të qetë në mesin e trazirave kulturore? Pyeta Carson-in, nëse rishfaqja kalviniste e brezit të fundit duhet të na bëjë më të gatshëm për të përballuar presionin e ardhshëm, madje edhe përndjekjen kundër të krishterëve.

“Do të doja të mendoja kështu. Do të thoja se sigurisht që duhet. Sidomos duke besuar në mënyrë absolute në provaninë e Perëndisë në çështje të tilla, në mënyrë që të mos mendosh: ‘Oh, Perëndisë po i ikën nga duart kjo gjë”, ose diçka të tillë. Po, duhet të na bëjë më të gatshëm për presion dhe përndjekje.”

Sigurisht që kemi shumë më shumë për të thënë, sesa thjesht në këtë rast. Ne e njohim mëkatin tonë.

“Ngurroj shumë të them se për shkak se je kalvinist, ke pak më tepër imunitet ndaj presioneve të kësaj epoke”, shton Carson-i.  “Por në vend të kësaj, më mirë them: ‘Nëse e quan veten kalvinist, mëso t’i besosh mirësisë sovrane të Perëndisë.’ Kjo nuk është një kohë për triumfalizëm apo për t’u ndier se jemi më të mirë, por është një kohë pendimi dhe përgjërimi ndaj Perëndisë për mëshirë.”

Madhështia e Perëndisë mbush zbrazëtinë

Sipas Carson-it, një nga faktorët e rishfaqjes së teologjisë të madhështisë së Perëndisë, në ditët tona, ka qenë “teologjia ungjillore me emëruesin më të ulët të përbashkët dhe reagimi kundër saj... Thjesht Ungjilli u bë shumë i lehtë, shumë sipërfaqësor–‘Beso në Jezusin dhe pranoje Atë si Shpëtimtarin tënd personal, dhe gjithçka do të shkojë mirë.’ Njerëzit po kërkonin më shumë vërtetësi, diçka me më shumë fuqi, diçka që t’i transformonte ata–dhe jo atë që doli të ishte një besim aq i thjeshtë.”

Teologjia e paholluar e Biblës për madhështinë e Perëndisë ka mbushur zbrazëtinë për shumë njerëz dhe shpresojmë t’i ketë përgatitur ata për fyerjet, keqdashjet dhe kundërshtimet që do të drejtohen ndaj të krishterëve besnikë në një epokë të udhëhequr gjithnjë e më shumë nga elitat laike. Teologjia e hirit falas të Perëndisë–pavarësisht mëkatit tonë në zgjedhje, në shlyerje, në kthim në besim, në këmbëngulje dhe në të gjitha gjërat–mund dhe duhet të na bëjë njerëzit më të sigurt, edhe kur bota rreth nesh duket se po shkundet.

Nuk ka asgjë romantike në lidhje me përndjekjen

Në provaninë e Perëndisë, rishfaqja kalviniste mund të ketë ardhur pikërisht në kohën e duhur, për t’u dhënë shumë të krishterëve ndihmën e nevojshme për stuhitë që po vijnë. Megjithatë, le të thuhet me zë të lartë dhe të qartë, se besimi në sovranitetin absolut të Perëndisë nuk na çon në romantizimin e përndjekjes. Carson-i e di më mirë nga përvoja personale, pasi është rritur si baptist i përndjekur, në pjesën frëngjishtfolëse të Kanadasë në mesin e shekullit të njëzetë, e cila ishte armiqësore ndaj protestantëve.

“Më kujtohet njëherë, në vendin ku u rrita, ishte një këpucar. Në atë kohë, këpucar nuk ishte dikush që shiste këpucë në një dyqan këpucësh, por ai, në fakt, i bënte vetë ato. Ai u merrte masën e këmbës njerëzve dhe u bënte gati këpucët. Këpucari jetonte në një fshat të vogël të Shën Kirilit. Ai ishte i njohur si biznesmen i vogël, i cili bënte punën e tij. Ky këpucar u kthye në besim në mënyrë publike dhe humbi 90% të biznesit të tij. Ai nuk ia kishte idenë se si mund t’ia dilte mbanë. Më pas, punishtes së tij të këpucëve i vunë zjarrin. Ai dhe familja e tij u shpërngulën nga provinca e Kebekut dhe u transferuan në Ontario.

“Bota iu përmbys. Atij i duhej të mësonte gjuhën angleze dhe në fakt, këpucari nuk kishte shumë njohuri më parë mbi këtë gjuhë. Edhe nga pikëpamja e kishës tonë, kjo ishte një humbje e madhe. Këpucari ishte një besimtar i sinqertë, të cilin, sipas nesh, Kanadaja franceze e humbi. Atje ndodhnin shumë gjëra të tilla, por ky ishte rasti më ekstrem, dhe ja që ndodhi.”

“Nëse e quan veten kalvinist, mëso t’i besosh mirësisë sovrane të Perëndisë.”

“Presioni me të cilin përballeni nga këto lloj gjërash, nuk ju mbush me gëzim ndërsa po i kaloni ato. Nga pozita ku ndodhesh, mund të hedhësh një vështrim mbrapa dhe të shohësh në tablonë e madhe se si Perëndia e përdori atë situatë për t’i forcuar njerëzit dhe për t’i përgatitur ata për periudhën e frytshmërisë së vërtetë, e cila erdhi dy ose tri dekada më vonë. Megjithatë kur hidhni vështrimin në ato dy ose tre dekada, në to nuk ka asgjë romantike.”

A të ka përulur teologjia jote?

Një realitet i dytë për të ardhur keq është kalvinisti i lig. Ia vlen të pyesim veten rregullisht, a po e pasqyrojmë me saktësi teologjinë, të cilën shpallim, në mënyrën se si i trajtojmë të tjerët? Pavarësisht nëse ndihet aq i madh sa presioni dhe trazirat shoqërore, ose duket i vogël sa dialogu i përditshëm me jobesimtarët dhe grupe të tjera të krishterësh, ne që shpallim sovranitetin e Perëndisë nuk duhet vetëm të kemi lirinë e paqes në lidhje me botën, por edhe të jemi të sjellshëm me njerëzit e saj.

Newton-i, në veçanti, tha disa fjalë të mira, por të dobishme për kalvinistët që tregoheshin të ashpër me ata të cilët nuk ndanin të njëjtën teologji me ta. Ai u kujtoi atyre: “Teologjia përulëse e kalvinizmit minohet nga fjalët e hidhura, përbuzëse dhe plot zemërim.” Ai gjithashtu u drejtonte atyre haptazi një pyetje: “A të ka përulur kalvinizmi yt?” Siç tregon Tony Reinke nga jeta e Newton-it: “Kalvinizmi, i kuptuar siç duhet, na përul dhe kjo duhet të jetë e dukshme për të tjerët.” 

Newton-i nuk e pati të vështirë të gjente në kohën e tij “një kalvinist krenar dhe të vetëkënaqur”, dhe paralajmëroi: “Kam frikë se ka kalvinistë, të cilët, ndërkohë që e konsiderojnë këtë si një provë të përulësisë së tyre, pra, se janë të gatshëm ta ulin me fjalë krijesën dhe t’ia japin Zotit të gjithë lavdinë e shpëtimit, ende nuk e dinë se çfarë fryme kanë.”

“Teologjia përulëse e kalvinizmit minohet nga fjalët e hidhura, përbuzëse dhe plot zemërim.”

Këshilla e Newton-it është e mprehtë dhe bindëse. Kur ti nuk bie dakord me një “person jo të kthyer në besim”, mbaj mend se “ai është objekti më i duhur i dhembshurisë tënde, dhe jo i zemërimit tënd”. Po për sa i përket atij, i cili është një bashkëbesimtar në Jezusin?

Edhe pak kohë edhe ju do të takoheni në parajsë; Ai atëherë do të jetë më i dashur për ty se sa dhe miku yt më i ngushtë që ke tani këtu mbi tokë. Prite atë epokë në mendimet e tua; dhe megjithëse mund ta shohësh të nevojshme ta kundërshtosh atë vëlla për gabimet e tij, shikoje personalisht si një shpirt të dashur, me të cilin do të jesh i lumtur përgjithmonë në Krishtin.

Sado e vërtetë që të ishte ajo këshillë në kohën e Newton-it, ajo është ndoshta më tepër profetike në kohën tonë, ku më pak vihen kufijtë midis besimeve, dhe më shumë mes besimit dhe mosbesimit.

Sepse Perëndia është mirëdashës

Megjithatë, në fund, nuk janë përfundimet e thjeshta teologjike ato që do të na bëjnë më të dashur. Të krishterët nuk bëhen më të dashur–jo me mirësinë e krijuar nga Fryma–thjesht duke medituar lidhjet abstrakte, por duke i ushqyer shpirtrat tanë dhe duke u motivuar nga vetë fjalët e Perëndisë.

Historia e kishës së hershme jo vetëm që kremton akte të vogla të mirësisë (Veprat 10:33; 24:4; 27:3; 28:2), por tekst pas teksti e karakterizon haptazi sjelljen e krishterë si qartësisht të dashur (2 e Korintasve 6:6; Kolosianëve 3:12; Titit 2:5). Udhëheqësit e zgjedhur në kishë jo vetëm që njihen si “të butë me të gjithë” (2 e Timoteut 2:24), por të gjithë të krishterët duhet të jenë “të mirë njëri me tjetrin” (Efesianëve 4:32). Mirësia është fryt i Frymës (Galatasve 5:22). Dashuria është e durueshme, plot mirësi (1 e Korintasve 13:4).

Ndaj, kur Perëndia, i cili sundon mbi çdo centimetër katror të gjithësisë, na udhëzon të kultivojmë mirësi, Ai po na nxit që ta imitojmë Atë më shumë. Ati ynë qiellor, thotë Jezusi, “është dashamirës me mosmirënjohësit dhe të ligjtë” (Luka 6:35). Në mirësinë e Tij, “ai bën të lindë diellin e tij mbi të këqijtë dhe mbi të mirët, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët” (Mateu 5:45). Kjo mirësi “të prin në pendim” (Romakëve 2:4). Një mirësi e tillë i sharton me anë të besimit edhe të huajt në pemën e tij shekullore të bekimit (Romakëve 11:22).

Për shkak se jemi shpëtuar përmes “mirësisë” së Perëndisë (Titit 3:4) dhe presim një përjetësi në të cilën do të shijojmë “pasurinë e pamasë të hirit të tij, me anë të mirësisë ndaj nesh” (Efesianëve 2:7), jemi çliruar që ta tejçojmë mirësinë e tij në jetën e të tjerëve.

Kalvinizmi duhet të na përgatisë mirë për të duarur kundërshtimet–dhe t’ua nxjerrë dufin të tjerëve. Ne themi se besojmë që përfundimisht vetëm Perëndia mund t’i ndryshojë zemrat dhe kjo duhet të na çlirojë të jemi njerëzit më të qetë dhe më të dashur nga të gjithë.

Siç thotë dhe Carson-i: “Nëse e quan veten kalvinist, mëso t’i besosh mirësisë sovrane të Perëndisë.”


David Mathis është redaktor ekzekutiv për desiringgod.org dhe pastor i kishës “Cities Church”. Ai është bashkëshort, baba i katër fëmijëve dhe autor i librit Rich Wounds: The Countless Treasures of the Life, Death, and Triumph of Jesus (2022).


Përktheu: Joana Muhameti | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje:  https://www.desiringgod.org/articles/calvinists-should-be-calmest-and-kindest  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim