photo

Dhjetor 2021                                                                       


Ju mund t’i besoni premtimet e Perëndisë dhe të humbisni

Është e mundur t’i besosh premtimet e Perëndisë dhe të kesh sigurinë e shpëtimit, e megjithatë të humbasësh përgjithmonë. 

Njerëz që rrëfejnë se janë të krishterë dhe kanë një siguri të rreme

Kjo mundësi nënkuptohet te Mateu 7:22: “Shumë do të më thonë në atë ditë: ‘Zot, Zot, a nuk profetizuam në emrin tënd, dhe i dëbuam demonët në emrin tënd dhe kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?’” Këta njerëz besuan se ishin të sigurt në lidhje me Krishtin. Ata e quajtën Atë “Zot” dhe morën nga fuqia e mbinatyrshme në emrin e Tij.

Ndoshta këta të krishterë kishin edhe më shumë “siguri shpëtimi” se shumë nga ata që përleshen sot (të cilët janë vërtet të shpëtuar), sepse fuqia e mbinatyrshme rridhte përmes duarve të tyre. Prandaj, kur e lexuan premtimin: “Do të jem me ty; nuk do të të lë, as nuk do të të braktis” (Jozueu 1:5), e besuan se ishte i vërtetë për ata, por jo, nuk ishte.

Kjo është arsyeja pse këta njerëz do të tronditen kur Jezusi t’u thotë: “S’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju, që keni bërë paudhësi” (Mateu 7:23). Ata janë të humbur, por menduan se ishin të shpëtuar.

Ajo që Jezusi po thekson, është se jeta e tyre mëkatare tashmë dëshmonte për gjendjen e tyre të humbur. Sidoqoftë, unë po theksoj një pikë tjetër, e cila qëndron poshtë veprave të tyre mëkatare. Dua të di se çfarë na thotë siguria e rreme e këtyre njerëzve për mënyrën se si ta besojmë me të vërtetë një premtim të Perëndisë.

Ne besojmë se Bibla na mëson që jemi “drejtësuar nëpërmjet besimit, ndarë nga veprat e ligjit” (Romakëve 3:28). Prandaj, kur Jezusi i refuzon ata njerëz për shkak se “kanë bërë paudhësi”, e dimë që problemi më i thellë është një besim i mangët. Në gjykimin e fundit, nëse dënohemi për veprat tona mëkatare, kjo do të ndodhë sepse ato janë prova të një besimi të rremë.

Besimi shpëtues dhe besimi i vdekur

Pyetja ime, pra, është kjo: Nëse mund të besojmë të paktën disa nga premtimet e Perëndisë, sikurse bënë edhe këta njerëz dhe ende të humbasim, çfarë e bën besimin e premtimeve një besim vërtet shpëtues?

“Është e mundur t’i besosh premtimet e Perëndisë dhe të kesh sigurinë e shpëtimit, e megjithatë të humbasësh përgjithmonë.”

Charles Hodge na jep një ide. Në vitin 1841, Hodge shkroi një libër të shkurtër dhe të njohur për jetën e krishterë të titulluar The Way of Life. Në kapitullin “Besimi”, ai tregon se Bibla e përdor fjalën besim për lloje të ndryshme të gjendjes së mendjes, duke përfshirë edhe të qenët i vdekur: “Sepse, sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur” (Jakobi 2:26).

Çfarë e shkakton ndryshimin mes besimit të vdekur dhe besimit shpëtues? Nuk po pyes se si këto dy besime tregojnë që janë të ndryshme. Kjo është ajo që po thotë Jakobi (dhe ajo që thotë Jezusi te Mateu 7:21-23). Ato e tregojnë veten që janë të ndryshme përmes frytit të tyre. Po bëj një pyetje tjetër: Si ndryshojnë ato në thelbin e tyre? Cili është përjetimi i vërtetë i besimit dhe cili është përjetimi i rremë i besimit?

Ja se çfarë thotë Hodge: “Mund ta besojmë dëshminë e njerëzve, të cilëve ua vlerësojmë vërtetësinë dhe gjykimin, që dikush për të cilin nuk dimë asgjë, ka një virtyt të lartë moral. Gjithsesi, nëse e shohim me sytë tanë çfarë viryti ka ky person, atëherë besojmë për arsye të tjera, dhe ndryshe”.

Kjo mënyrë “ndryshe” është ajo që e bën besimin e vërtetë një besim shpëtues. Nuk ka asgjë të gabuar me të besuarit te Krishti apo të besuarit te premtimet e Tij nga dëshmia e të tjerëve. Në fakt, të gjithë ne, kështu erdhëm në besim. Ne u mbështetëm te dëshmia e apostujve dhe e profetëve, por të jesh i bindur se mirësia, besueshmëria dhe bukuria e Krishtit bashkë me premtimet e Tij janë fakte, jo besim shpëtues.

Kjo është arsyeja pse ata që rrëfejnë se janë të krishterë do të tronditen në ditën e fundit kur ta dëgjojnë Jezusin t’u thotë: “Nuk ju kam njohur kurrë.” Ata do të kundërshtojnë duke thënë: “Zot, Zot.” Nuk ka dyshim që të besuarit se Krishti dhe premtimet e Tij janë të vërteta, bazuar mbi një dëshmi, është pjesë e nevojshme e besimit, por ky nuk është thelbi shpëtues i besimit.

Kuptimi frymëror i së vërtetës

Ajo çfarë e bën besimin të jetë besim shpëtues, është kjo mënyrë “ndryshe” e të besuarit, e cila vjen nga kuptimi ndryshe (jo në mënyrë alternative, apo kontradiktore) i realitetit që po besohet. Kjo është ajo që Hodge e quan një “kuptim frymëror i së vërtetës”. Ai thotë: “Ky është një besim, i cili mbështetet mbi manifestimin e shkëlqesisë, bukurisë dhe përshtatshmërisë së të vërtetës nga Fryma e Shenjtë... Kjo vjen prej kuptimit frymëror të së vërtetës, apo nga dëshmia e Frymës bashkë dhe përmes të vërtetës në zemrat tona” (156).

“Të jesh i bindur se diçka është e vërtetë, nuk është e njëjta gjë me kuptimin e bukurisë dhe vlerës së të vërtetës.”

Për të ilustruar të kuptuarit frymëror, që përbën një pjesë thelbësore të besimit shpëtues, Hodge citon tre tekste:

  • Luka 10:21, Perëndia ua ka fshehur “këto të urtëve dhe të mençurve” dhe ua ka zbuluar fëmijëve të vegjël. Si të mençurit, ashtu edhe fëmijët po dëgjojnë të njëjtët avokatë dhe po shohin të njëjtat prova. Sidoqoftë, ka një ndryshim. Jezusi thotë se ndryshimi është diçka që Perëndia e “zbuloi”. Me fjalë të tjera, kjo shkon përtej asaj që shohim dhe dëgjojmë me sytë dhe veshët tanë fizikë, dhe që e kuptojmë me arsyen e natyrshme.
  • Mateu 16:17: “I lum je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej.” Shumë njerëz panë atë që Simon Pjetri pa, por nuk po shihnin “Krishtin, Birin e Perëndisë së gjallë” (Mateu 16:16). Kjo pamje është diçka ndryshe.
  • 2 e Korintasve 4:6: “Perëndia...ndriti në zemrat tona për të na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit.” Ka një njohje të lavdisë së Perëndisë në ungjill, e cila është e ndryshme nga besimi i fakteve, apo edhe nga të besuarit që faktet do të na shpëtojnë. Ekziston ajo të cilën Pali e përshkruan te 2 e Korintasve 4:4, “të parët e dritës së ungjillit të lavdisë së Krishtit”. Kjo nuk është një dritë fizike, por është një bukuri e perceptuar nga sytë e zemrës (Efesianëve 1:18).

Me fjalë të tjera, edhe pse është thelbësore që të përdorim mendjen dhe shqisat për të dëgjuar, për të parë dhe për të kuptuar dëshminë njerëzore të mishëruar dhe të frymëzuar të së vërtetës, të jesh i bindur në mendje që diçka është e vërtetë, nuk është e njëjta gjë si të kuptosh bukurinë dhe vlerën e të vërtetës. Pa këtë, bindja jonë mund të jetë asgjë më shumë se siguria e kotë që djalli ka për Jezusin si udha, e vërteta dhe jeta. Edhe ai e “beson” këtë gjë, por nuk e sheh si të bukur, si të çmuar, si të mrekullueshme dhe të përshtatshme për të arritur qëllime të mira dhe të shenjta.

Çfarë do të thotë të besosh një premtim?

Çfarë do të thotë ky realitet për bindjen tonë se të besuarit e premtimeve të Perëndisë është pjesë thelbësore e besimit shpëtues dhe shenjtërues? Ja argumenti im në librin Future Grace: Besimi shpëtues, i cili gjithashtu shenjtëron, nuk është thjesht një shikim mbrapa i themeleve të besimit në veprën e Jezusit. Besimi shpëtues është gjithashtu shikimi përpara me sigurinë që hiri i ardhshëm, të cilin Krishti e bleu, në fakt do të dalë në realitet që është i vërtetë–për botën, dhe për mua.

“Besimi shpëtues në premtimet e Perëndisë përfshin kënaqësinë frymërore në Perëndinë e premtimeve.”

Gjithsesi tani shohim që duhet thënë më shumë për këtë besim të orientuar nga e ardhmja. Tani shohim që kjo gjë duhet të përfshijë një perceptim frymëror të bukurisë së Perëndisë dhe të planit të Tij në bërjen e këtyre premtimeve–një bukuri të cilën do ta shijojmë plotësisht, teksa ato premtime do të plotësohen.

Me fjalë të tjera, besimi shpëtues në premtimet e Perëndisë përfshin kënaqësinë frymërore në Perëndinë e premtimeve. Nuk dua të duket sikur po e teproj. Vetëm po them se besimi shpëtues duhet të përfshijë këtë kënaqësi. Të kënaqurit me lavdinë e Perëndisë nuk është tërësia e besimit, por pa këtë gjë besimi është i vdekur. 

Përkufizimi i besimit si prehje nuk është i mjaftueshëm

Nuk është mjaft, edhe nëse themi se të besuarit e premtimeve të Perëndisë është një prehje në Perëndinë dhe në ndihmën e Tij. Duhet ta qartësojmë natyrën frymërore të kësaj prehjeje, që ta bëjmë të dallueshme nga “prehja” e mashtruar e Mateut 7:22. Ata njerëz që rrëfejnë se janë të krishterë kanë një lloj “prehjeje” në sigurinë e Perëndisë. Për prehjen mund të themi se në mënyrë që ajo të jetë një prehje shpëtuese, duhet të ketë ndjesinë e sigurisë së shpëtimit nga ferri, por edhe ndjesinë e kënaqësisë në bukuritë e Perëndisë (Psalmi 16:11). Ne prehemi në siguri dhe në ëmbëlsi.

Kjo kënaqësi mungon në zemrat e atyre që rrëfejnë se janë të krishterë te Mateu 7:22. Nëse kënaqësia e vetë Perëndisë do të ishte atje, ata do të kishin gjetur kënaqësi mbi tokë në përsosmëritë hyjnore që priten nga kjo kënaqësi, por përkundrazi ata ishin “veprues paudhësish”.

Rrjedhoja për mënyrën se si ta mundni mëkatin

Ky realitet ka një rrjedhojë masive që do të thotë se nuk është vetëm siguria e premtimeve që na çliron nga motivet për të mëkatuar, por është gjithashtu kënaqësia e zemrës në ëmbëlsinë e Perëndisë tek ato premtime. Kur e perceptojmë dhe e shijojmë bukurinë frymërore të asaj që është premtuar, jo vetëm që çlirohemi nga pasiguria e lakmisë dhe nga frika, të cilat e nxitin kaq shumë mëkatin, por gjithashtu formohemi në vlerat tona nga ajo që çmojmë në premtim (1 e Gjonit 3:3).

Ky është ndikimi, të cilin nuk e kishin ata që rrëfyen se ishin të krishterë te Mateu 7:22, dhe që gjithashtu shpjegon pse sjellja e tyre nuk përputhej fare me Perëndinë. Ata donin pushtetin, iu pëlqente që Perëndia iu dha fuqi, por nuk e deshën Perëndinë.

Një mënyrë tjetër për ta thënë këtë do të ishte se në të gjitha veprimet e besimit shpëtues, Fryma e Shenjtë na aftëson jo vetëm të perceptojmë dhe të afirmojmë të vërtetën e fakteve, por gjithashtu të kapim dhe të përqafojmë bukurinë frymërore. Është ky “përqafim i bukurisë frymërore”, i cili gjendet në thelbin qendror të besimit shpëtues. Ky përqafim është ajo që do t’i japë formë jetës tonë më thellë dhe do të marrë vlerësimin “të lumtë” në ditën e fundit.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/you-can-believe-the-promises-of-god-and-be-lost  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim