image002

Shkurt 2025  


Ky artikull është pjesë e serisë I dashur pastor

Pyetje: Cili është lajmi i mirë për predikuesit e munduar?

Përgjigje: Ungjilli është i vërtetë dhe gjithmonë për ne, veçanërisht të hënave.

Dhe ne e kemi këtë thesar në enë prej balte, që epërsia e pashoqe e kësaj fuqie të jetë e Perëndisë dhe jo prej nesh. — 2 e Korintasve 4:7

Hiri dhe adrenalina

Për predikuesin, e hëna është ditë qeni. Pyesni kë predikues të doni. Në dritën e ftohtë të ditës, ne shohim se sa larg jemi nga ajo që donim apo shpresonim. Pasi e kemi dhënë veten të dielën, tani duam vetëm të zhdukemi, duke qenë të lodhur dhe (shpesh) nervozë. Ndihemi të shpenzuar, dhe të tillë jemi.

Ne shpenzohemi, sepse predikimi është krejtësisht konsumues. Është gëzim, por sjell edhe rreziqe të mëdha. Shumica e predikuesve e pëlqejnë thirrjen e tyre. Është gëzim i madh, por dhe përgjegjësi e madhe. Shumë nga ne pastorët nuk duam të dalim në pension pa vazhduar të predikojmë. Dhe kjo nuk është aq shkak për t’u merakosur: pasi fakti që predikuesi gjen kënaqësi në shërbesën e tij, nuk do të thotë domosdoshmërisht që po përpiqet të tregojë sa i zoti është. Predikuesit më të mirë dëgjojnë me gëzim të tjerët që predikojnë. Nuk kanë nevojë të predikojnë për t’u drejtësuar nga predikimi i tyre. Predikimi është thjesht dëshira konsumuese e jetëve të tyre.

Njerëzit në kishat ungjillore shpesh kapin një copëz të punës dhe çmimit që ka predikimi, dhe thuajse gjithnjë habiten dhe shpesh tronditen. “Sa kohë të duhet të përgatitësh predikimet?” Kërkoji një të riu premtues në kishë nëse dëshiron të japë predikimin e tij të parë, dhe vetëbesimi i tij shpejt do t’i lërë vendin një shprehie meraku dhe peshe të përbotshme me afrimin e të dielës së predikimit. Njoh burra që kanë pasur pozita pune nën presion në botën e biznesit dhe që tani shërbejnë me kohë të plotë në predikim. Ata më thonë se sa të veçanta janë përgjegjësitë e trajtimit të Fjalës së Perëndisë dhe sa të lodhin javë pas jave. Mbase askush tjetër nuk e kupton sa përgjegjësi e rëndë është detyra e predikimit përveç predikuesit.

Dy gjëra më furnizojnë të dielën — hiri dhe adrenalina. Zgjohem herët të dielën me një ndjesi acarimi se pse të mos isha postier apo biolog detar, apo çfarëdo qoftë tjetër? Shkoj herët në studio për t’u lutur dhe për të parë shënimet. Predikoj në kishë aq mirë sa mundem, sa hiri më lejon. Nëse predikoj sërish pasdite, shpeshherë më ngelet një humor i mirë, prehje në mbylljen e një tjetër dite të Zotit, mirënjohje për privilegjin, gëzim për shenjat e angazhimit nga dëgjuesit dhe (zakonisht) një padurim për ta nisur punën e përgatitjes sërish për javën tjetër.

Ne predikuesve na pëlqen një slogan i vjetër. Pastori amerikan Phillips Brooks tha shprehjen e famshme: “Nëse ke mundësinë të thirresh për të predikuar, mos e ul veten për t’u bërë mbret”. Më pëlqejnë këto fjalë, sepse e di që pohojnë detyrën e lartë të predikuesit. Unë besoj me pasion që predikimi është thirrja më e lartë dhe më e mirë në këtë anë të lavdisë.

Kujtesa e së hënës për të dobëtit

Ç’mund të themi për të hënat? Disa predikues (dhe librat që ata kanë lexuar për predikimin), thjesht i anashkalojnë kolapset tona të të hënave. Arsyetimi është ky: ti je i lodhur. Djalli po të mundon. Sidoqoftë, duhet të pushosh. Harroje dhe vazhdo përpara. Dhe kanë pjesërisht të drejtë. Predikuesi ka shfrytëzuar rezerva të mëdha energjie mendore. Adrenalina arrin pikun në tru dhe trup para, gjatë dhe pas predikimit. Dalja nga podiumi dhe ndërveprimi me ata që kanë dëgjuar predikimin i vënë kërkesa të mëtejshme predikuesit. Jemi si të hutuar teksa përpiqemi të bisedojmë duke pirë kafe. Mendjet tona janë ende të acaruara. Ose jemi krenarë nëse na duket se kemi bërë punë të mirë, ose të shfryrë nëse na duket se nuk kemi qullosur gjë. Sidoqoftë, janë pasojat e predikimit kërkues. E hëna është dita ku më në fund biem poshtë, dhe kjo nuk është gjë e bukur.

Martyn Lloyd-Jones tha se as në anën tjetër të rrugës nuk do të shkonte të dëgjonte predikimin e vet. Eric Alexander-i rrëfeu që impulsi i tij i parë kur zbriste nga podiumi ishte të thoshte: “Zot më fal”. 1

Disa nga ne duam t’i arratisemi kujtimit të shërbesës të së dielës sa më shpejt, duke kërkuar falje me të madhe ndërsa e bëjmë këtë.

Ai u thye për ne. Edhe për ne predikuesit madje. Ai e ka gjithë hirin që na nevojitet.

Megjithatë, të mos nxitojmë për t’ia lënë fajin e rënies pas predikimit uljes së adrenalinës dhe lodhjes mendore. Mbase humori i keq i të hënave mund të na mësojë më shumë sesa thjesht për lodhjen e predikimit. A mos vallë humori i keq dhe mërzia mund të na kujtojnë se çfarë duhet të mbajmë mend më shumë; se jemi gjithnjë njerëz të dobët dhe mëkatarë, në nevojë të vazhdueshme për një Shpëtimtar? Mbase ndihemi kaq poshtë të hënave, pikërisht sepse poshtë jemi. Të hënat kanë mësime hiri për ne.

Kemi nevojë për ungjillin e së hënës. Po të jemi vetë, jemi të gjithë pa shpresë. Mëkati dhe mjerimi bëhen cikle të jetës sonë. Mëkati dhe mjerimi do të ishin rrjedha e jetës sonë edhe si predikues. Jetojmë në një botë të rënë, dhe ndonëse shpesh përpiqemi ta mohojmë këtë, ne jemi njerëz të rënë. Porosia jonë për të predikuar është një thirrje për ta parë këtë rënie nga afër, në jetët tona dhe në jetët e dëgjuesve tanë.

Por ungjilli na këndon mesazhin e shpresës. Ka një shpengimtar, Krishti erdhi për të zgjedhurit e Perëndisë në plotësinë e hirit shpëtues. Ai jeton, ai shpëton dhe e do popullin e tij. Për ne, ai duroi ferrat dhe gjembat e një bote të regjur nga mëkati. Të gjitha përpjekjet tona të pamenda për të qenë të pavarur prej Perëndisë iu ngarkuan atij mbi kokë në kryq. Ai u thye për ne. Edhe për ne predikuesit madje. Ai ka gjithë hirin që na nevojitet.

Këtu predikuesit duhet të ndalen e të reflektojnë pak. Dëgjojeni humorin e së hënës suaj. Mos u nxitoni ta paragjykoni rënien tuaj pas predikimi, thjesht si lodhje mendore dhe fizike. Të lodhur jeni, me siguri; por jeni edhe mëkatarë. A ju kujtoi predikimi juaj që, pavarësisht përpjekjeve tuaja më të mira për ta mbuluar këtë, ju jeni thjesht një mëkatar që ka nevojë për hir? Nëse po, ky është zbulim i madh. Në të vërtetë, bashkësia e dinte këtë që me kohë. Dhe ende të do. Tani që e kujtove, mahnitu me dashurinë e tyre dhe mahnitu me dashurinë e Perëndisë në Jezu Krishtin edhe më shumë. Ai erdhi, punoi, vdiq, u ngjall, u ngrit dhe po ndërmjetëson për predikues si ti.


Ky artikull është përshtatur nga libri The Preacher's Catechism i autorit Lewis Allen.


Shënime:

  1. Cituar në librin e Derek J. Prime dhe Alistair Begg, On Being a Pastor: Understanding Our Calling and Work

Lewis Allen (PhD, University of Oxford) ishte pastor në kishën “Gunnersbury Baptist” për dymbëdhjetë vjet, dhe që nga viti 2010 shërben si pastor kryesor i kishës “Hope” në Huddersfield, West Yorkshire, Angli. Ai ka shkruar disa libra, përfshirë këtu “Resilient Faith: Learning to Rely on Jesus in the Struggles of Life” dhe “The Glory of Grace: An Introduction to the Puritans in Their Own Words”. Allen është i martuar dhe ka pesë fëmijë të rritur.

Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/dear-pastor-you-need-the-monday-gospel/

Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?