29 Prill 2026

“Prandaj dhe Perëndia atë e mbilartësoi…”FILIPIANËVE 2:9

Filipianëve 2:5-8 është një deklaratë e bukur në lidhje me natyrën njerëzore dhe atë hyjnore, me shërbesën dhe poshtërimin e Krishtit. Ku ju shkon mendja pasi e keni gjurmuar përulësinë e Birit të mishëruar të Perëndisë deri në vdekjen e Tij në një kryq? Natyrshëm, ne mendojmë për ringjalljen. Por jo Pali. Ai na çon në mbilartësimin e Krishtit.

Pali thotë se ka një lidhje logjike mes poshtërimit të Jezusit dhe mbilartësimit të Tij: “Prandaj dhe Perëndia atë e mbilartësoi” (v. 9, theksimi i shtuar). Ç’është ky mbilartësim? Është fakti që Ati i ka dhënë Birit të Tij fronin dhe e ka urdhëruar këtë botë që një ditë “në emrin e Jezusit çdo gju të përkulet, i qenieve qiellore dhe tokësore, dhe nëntokësore, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë” (v. 10-11).

Por pse është me vend mbilartësimi i Tij? Shkrimi na jep disa përgjigje. Së pari, mbilartësimi i Krishtit është me vend sepse përmbush profecinë e Besëlidhjes së Vjetër dhe tregon se Perëndia e mban fjalën e Tij. Njohja mbarëbotërore e Jezusit si Zot do të ndodhë, sepse Perëndia premtoi se do të ndodhte. Gjashtëqind vjet përpara se Jezusi të dilte në skenën e historisë njerëzore, Isaia regjistroi këto fjalë nga Perëndia: “Ja, shërbëtori im do të begatohet, do të ngrihet dhe do të lartësohet shumë” (Isaia 52:13). Prandaj, Krishti erdhi për të mbajtur dhimbjen dhe mëkatin e botës, duke përmbushur rolin e Shërbëtorit të përvuajtur, i ngritur lart në kryq dhe më pas i ringjallur për t’u mbilartësuar në fronin e Tij. Siç shkroi Pali diku tjetër: “Se gjithë sa janë premtime të Perëndisë, ‘po’-ja e tyre është në të…” (II Korintasve 1:20).

Së dyti, mbilartësimi i Krishtit është me vend sepse Ai është Perëndi. Bibla na mëson se Biri është një me Atin. Për shkak të hyjnisë së Tij, mbilartësimi është një domosdoshmëri; nuk ka vend tjetër ku të ulet Perëndia! Asnjë ndenjëse tjetër nuk është e përshtatshme për Birin, përveçse ajo në të djathtë të Atit të Tij.

Së fundi, mbilartësimi i Krishtit është me vend, sepse Ai është Biri i dashur i Atit të Tij. Perëndia Atë e pa Birin duke shkuar me bindje në kryq, për të përmbushur besëlidhjen e shpengimit, dhe e dëgjoi të thërriste me dhimbje: “O Perëndia im, o Perëndia im, përse më braktise?” (Mateu 27:46). Ati e dinte se Biri e duroi atë agoni nga dashuria për Atin dhe nga dashuria për popullin e Tij. Ati nuk do ta linte Birin e Tij të përsosur në atë gjendje të rëndë. Ç’gjë tjetër mund të bënte dashuria e Atit, përveçse ta mbilartësonte Birin nga gjendja e Tij e përulur?

S’ka dyshim që poshtërimi i Krishtit për ne dhe mbilartësimi e Tij mbi ne janë të mjaftueshëm për të na sjellë deri në pikën ku i përulemi Atij me nënshtrim të gëzueshëm. Ata na tregojnë se ekziston dikush që e ka statusin për të kërkuar bindjen tonë dhe karakterin për të merituar adhurimin tonë. Ata na kujtojnë se gjëja më e mirë në qiell do të jetë personi më i lavdishëm në qiell:

Nuk do t’sodis lavdinë, por Mbretin tim të hirit;
Jo, s’do të shoh kurorën, por atë të shpuar dorë;
Se Qengji është lavdia e tokës së Emanuelit.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

VEPRAT E APOSTUJVE 13:16-43