“…sipas pritshmërisë së ethshme dhe shpresës sime se në asgjë nuk do të turpërohem, por me çdo guxim, si gjithmonë edhe tani, do të madhërohet Krishti në trupin tim, qoftë nëpërmjet jetës e qoftë nëpërmjet vdekjes.” FILIPIANËVE 1:20
Trupi juaj, dhe ajo që bëni me të, kanë rëndësi.
Apostulli Pal shprehu interesim të madh për trupat e njerëzve më shumë se një herë në shkrimet e tij. Për shembull, ai i pyet korintasit: “Apo nuk e dini se trupi juaj është shenjtërore e Frymës së Shenjtë në ju, të cilin e keni nga Perëndia?”. Më pas, ai vazhdon duke thënë: “… dhe nuk i përkisni vetvetes. Se ju u bletë me një çmim. Lëvdoni, tani, Perëndinë në trupin tuaj” (I Korintasve 6:19-20). Me fjalë të tjera, trupat tanë i përkasin Perëndisë që i krijoi dhe që i mban gjallë. Kjo mënyrë të menduari është në qendër të teologjisë së Palit.
Pali gjeti gëzim të madh në të diturit se Jezusi do të nderohej ose do të lartësohej në trupin e tij. Qëllimi dhe lutja e tij kryesore ishin që, në shërbesën e vet, të kishte guxim dhe besnikëri për ta bërë këtë. Për Palin, të lartësosh Krishtin, do të thoshte të lartësosh emrin e Tij të madh: t’i japësh Atij lavdi. Këtë qëndrim e shohim të shprehur nga Gjon Pagëzori, i cili tha këtë për Jezusin: “Ai duhet të rritet, ndërsa unë të zvogëlohem” (Gjoni 3:30). Në mënyrë të ngjashme, nuk do të shihni asnjëherë që Pali ta tërheqë vëmendjen te vetja. Ai e shihte veten vetëm si një përcjellës që të çonte te Krishti.
Prandaj, nuk është për t’u habitur që, kur donte të tregonte kredencialet e tij si apostull, Pali nuk thoshte: “Asnjë të mos më mundojë”, thjesht sepse ishte një apostull i fuqishëm ose ngaqë u përdor nga Perëndia për të predikuar ungjillin. Jo — ai tha: “…asnjë të mos më mundojë, sepse unë mbaj shenjat e Jezusit në trupin tim” (Galatasve 6:17, theksimi i shtuar). Angazhimi i tij u zbulua përmes trupit të tij. Ai po abuzohej gjithnjë e më shumë për përkushtimin e tij ndaj Krishtit. Në fund, ai shkoi në varrin e tij i plagosur, i brutalizuar dhe i shpërfytyruar — megjithatë, gjatë sprovave të tij, thirrja e tij mbeti kjo: “Unë do të gëzohem.”
Perëndia ishte Zot mbi të gjithë jetën e Palit: mbi trupin e tij, mbi kohën e tij, mbi gjithçka të tijën. Vetëm kjo mund t’i sillte atij një gëzim të tillë. Vetëm kjo mund të na sjellë neve një gëzim të tillë.
Përfundimi është që ju nuk i përkisni vetes. Asgjë nga gjërat që keni, nuk është juaja. Çdo gjë e keni në administrim, pavarësisht nëse Perëndia ju ka dhënë shumë apo pak. Ju i përkisni Perëndisë, Krijuesit dhe Shpenguesit tuaj. Një ditë, Ai do të na ringjallë me trupa të përlëvduar dhe të pavdekshëm (I Korintasve 15:42-44, 51-54). Tani për tani, në këtë jetë, Ai na thërret që t’i shërbejmë Atij në këtë trup. Prandaj, në çdo gjë që bëni me të, qoftë trupi juaj një ofertë që do ta vendosni me gëzim përpara Perëndisë!
