“Dhe duke bërtitur e duke e shkundur shumë djalin, fryma doli; dhe ai u bë porsi i vdekur, aq sa shumica të thoshin: ‘Vdiq!’. Por Jezusi, duke kapur dorën e tij, e çoi; dhe ai u ngrit.” MARKU 9:26-27
Nuk ka asnjeri të cilin Jezusi nuk mund ta ndihmojë.
Te Marku 9, lexojmë për ndërveprimin e Jezusit me një fëmijë që ishte pushtuar prej kohësh nga një frymë e papastër. Ky djalë kishte jetuar me këtë problem që kur ishte i vogël. Ai ishte shurdhmemec. Kur demoni e pushtonte, e përplaste përdhe, e bënte të shkumonte nga goja, të kërcëllonte dhëmbët dhe të ngrinte në vend (Marku 9:18). Ky djalë i ri kishte ngecur në një rrethanë të tmerrshme, realisht i bllokuar brenda trupit të tij, duke mos pasur mundësi për të dëgjuar ndonjë fjalë ngushëllimi që mund t’ia thoshte babai, familja ose miqtë e tij, dhe duke mos pasur mundësi për të shprehur dhimbjen dhe frikën e tij. Jeta e tij u dëmtua nga tentativa për të shtrembëruar dhe për të shkatërruar imazhin e Perëndisë që mbante ai si njeri.
Përballë një situate të tillë të pashpresë, Jezusi ndërhyri, duke i dhënë frymës së ligë një fjalë hyjnore qortimi. Nëpërmjet një qortimi kaq të fuqishëm, Krishti i dha fund zemërimit të pafuqishëm të armikut, dhe fryma e ligë, pasi bëri më të keqen, e la djalin porsi të vdekur. Pastaj Jezusi e çoi në këmbë.
Kjo është ajo që bën Jezusi. Ai i merr njerëzit, jetët e të cilëve janë shkatërruar — ata që janë duke shkuar drejt shkatërrimit — dhe Ai bën atë që vetëm Ai mundet ta bëjë: Ai hyn në atë jetë, e merr personin për dore, e ngre lart… dhe personi qëndron në këmbë.
Jezusi është i vetmi që mund të thotë me të vërtetë: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe po të vdesë, do të jetojë. Dhe kushdo që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë, përjetë…” (Gjoni 11:25-26). Ai është i vetmi që mund ta marrë dikë që duket absolutisht i pafuqishëm dhe plotësisht i paaftë për të sjellë ndryshim në vetvete, dhe t’i japë atij njeriu një jetë të re.
Prandaj, sot, Jezusi vjen te ti dhe të thotë: Pse nuk m’i sjell mua barrët e tua? Nuk mund të dalësh dot nga dhimbja dhe pikëllimi yt përmes edukimit. Terapia nuk do të të japë përgjigje përfundimtare për të gjithë lëndimin dhe pështjellimin tënd. Në të vërtetë, është mirë që e di se nuk mund ta bësh dot vetë këtë gjë. Silli barrët e tua tek Unë.
Jo vetëm kaq, por Ai mund të vijë te të tjerët nëpërmjet teje. Sot nuk do të takosh asnjë që të mos ketë nevojë për ndihmën e Jezusit dhe të cilin Jezusi të mos mundet ta ndihmojë dot. Sado e shkëlqyer që mund të duket jeta e dikujt, zakonisht nën sipërfaqe ka keqardhje dhe ankth, dhe gjithmonë është mëkati që po e tërheq ngadalë secilin prej nesh drejt shkatërrimit — veçse në ndërhyftë Jezusi dhe derisa Ai të ndërhyjë. Kur mëson t’i shohësh kështu njerëzit përreth vetes, ti dëshiron fort që t’u tregosh atyre për Krishtin; sepse nuk ka asnjeri të cilin Jezusi nuk mund ta ndihmojë dot.
