“…nuk keni, për shkak se ju nuk kërkoni. Ju kërkoni dhe nuk merrni, prejse kërkoni keqas, me qëllim që të shpenzoni në qejfet tuaja.” JAKOBI 4:2-3
Ti po vjen te një Mbret,
Sill kërkesa të mëdha;
Askush tepër nuk kërkon,
Nga sa hiri i Tij ofron.
Ky himn i John Newton-it na kujton fjalët e Jezusit: “…Për të gjitha sa luteni dhe kërkoni, besoni se i morët, dhe do të bëhen për ju” (Marku 11:24). Diku tjetër, Jezusi u mësoi dishepujve të Tij këtë: “Pra, nëse ju, ndonëse jeni të ligj, dini t’u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, sa më tepër Ati juaj që është në qiej do t’u japë të mira atyre që ia lypin atij?” (Mateu 7:11). Ne mund të shkojmë te Perëndia dhe t’i kërkojmë Atij gjëra të mira. Ne kurrë nuk mund të kërkojmë më tepër se duhet nga Perëndia. Megjithatë, siç thotë Jakobi, shumë prej nesh nuk i marrin këto dhurata nga Ati ynë, sepse nuk kanë guximin për të vepruar sipas mësimeve të Jezusit dhe thjesht të kërkojnë. Ose, ne vërtet kërkojmë, por kërkojmë gjëra që nuk janë në përputhje me vullnetin e Tij, por, përkundrazi, ne duam t’i marrim prej Tij, në mënyrë që t’i “[shpenzojmë] në qejfet [tona]” — që t’i përdorim për të përmbushur përparësitë tona dhe jo për t’i shërbyer Atij.
Kur marrim parasysh se çfarë na mëson fjala e Perëndisë për lutjen, ne zbulojmë se duhet të kërkojmë — dhe të kërkojmë me përulësi, sinqeritet dhe dashuri, dhe me një kuptueshmëri se Perëndia është sovran dhe se ajo që dëshirojmë më shumë, është që të bëhet vullneti i Tij. Kur Jezusi ishte në Kopshtin e Gjetsemanit, Ai u lut: “Abba, o Atë, të gjitha janë të mundshme për ty; hiqe tutje këtë kupë nga unë! Porse, jo çfarë dua unë, por çfarë do ti!” (Marku 14:36). Shihni baraspeshimin që tregohet këtu. Jezusi kishte besim absolut në fuqinë e Perëndisë: Ai kishte guximin që t’i kërkonte Perëndisë të bënte diçka të pamundur nga ana njerëzore. E megjithatë, Ai, gjithashtu, tregoi nënshtrim të plotë ndaj vullnetit të Atit. Ishte vetëm qëllimi sovran i Perëndisë që nuk lejoi që kupa të hiqej tej ndërsa Krishti lutej. Nuk ishte për shkak se Krishti nuk “besoi mjaftueshëm” për ta bërë këtë. Po kështu, guximi, besimi si një fëmijë dhe entuziazmi që shfaqim kur i kërkojmë Perëndisë të bëjë të pamundurën, nuk minohen nga sovraniteti i Tij; ato kontrollohen me mëshirë prej atij sovraniteti.
Si fëmijë i Perëndisë, ju mund të shkoni me guxim përpara Atit tuaj, duke i besuar Atij që të përmbushë gjithçka që ju nevojitet dhe gjithçka që kërkoni në përputhje me vullnetin e Tij. Duke ndjekur shembullin e Jezusit, mund t’ia dorëzoni dëshirat tuaja sovranitetit plot dashuri të Atit tuaj. Ndërsa i besoni Perëndisë për gjënë e duhur në mënyrën e duhur, mund të jeni të sigurt se Ai gjithmonë do të japë përgjigjen e duhur. Ju nuk mund të kërkoni dot kurrë diçka që është tepër e madhe për Perëndinë dhe të cilën Ai të mos mundet ta bëjë dot. Prandaj, thjesht kërkoni!
