gezimi nuk eshte fakultativ

Maj 2021


Pse lumturia jote ka rëndësi për Perëndinë

Gëzimi është thelbësor për jetën e krishterë. Shkrimet janë të qarta: populli i Perëndisë urdhërohet që të gëzohet dhe të karakterizohet prej ngazëllimit.

Ati ynë qiellor nuk është indiferent ndaj lumturisë tonë. Gëzimi nuk është garnitura në pjatën e jetës së krishterë. Gëzimi nuk është si sheqeri mbi kek, por është një përbërës thelbësor në tërësinë e brumin.

Nuk është se ka vetëm gëzim, por që edhe në humbjet dhe vuajtjet tona më të dhimbshme, ne zbulojmë se sa të thellë janë rezervuarët e gëzimit të krishterë. Vetëm këtu, në mes të vështirësive dhe errësirës, kemi mundësi të shijojmë esencën e një gëzimi të tillë—i cili nuk është i dobët dhe i pavlerë, por është i fortë, i plotë dhe me përmbajtje.

Gëzimi është i mundur

Të dëgjosh që gëzimi nuk është fakultativ tingëllon plot premtim dhe shpresë për disa veshë. Nëse gëzimi është thelbësor, atëherë kjo duhet të ketë kuptimin që gëzimi është i mundur. Në një botë mëkati dhe vuajtjeje, rrëmuje dhe mjerimi, lajmi i mirë është të dëgjosh që gëzimi është i mundur.

Së pari, gëzimi është urdhërim gjithandej në Bibël. Gëzimi ishte urdhërim për popullin e parë të besëlidhjes së Perëndisë, Izraelin, ndoshta në mënyrë të veçantë te Psalmet. "Le të ngazëllohet Izraeli tek ai që e ka bërë, le të ngazëllohen bijtë e Sionit te Mbreti i tyre" (Psalmi 149:2). "Jakobi do të ngazëllojë, Izraeli do të gëzohet" (Psalmi 14:7). "Ngazëllohuni tek Zoti" (Psalmi 97:12). "I shërbeni Zotit me gaz" (Psalmi 100:2). "Gëzohuni te Zoti dhe ngazëlloni, o njerëz të drejtë; lëshoni britma gëzimi, ju të gjithë, o njerëz me zemër të drejtë" (Psalmi 32:11). Ka edhe qindra raste të tjera përgjatë Dhiatës së Vjetër.

Perëndia nuk urdhëron vetëm Izraelin, por të gjitha kombet që të ngazëllojnë në Krijuesin e tyre ("Kombet do të gëzohen dhe do të ngazëllojnë," Psalmi 67:4), dhe madje urdhëron edhe botën natyrore që të bashkohet në gëzim ("Le të zhurmojë deti dhe gjithçka gjendet në të" Psalmi 96:11).

Në Dhiatën e Re, vetë Perëndia, në natyrë të plotë njerëzore, nuk e ndryshon thirrjen e tij pasi është bërë "njeriu i vuajtjeve" në botën tonë të rënë (Isaia 53:3), por na urdhëron të gëzohemi sa edhe kushdo tjetër, dhe madje na jep edhe më tepër arsye për t'u ngazëlluar: "Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej" (Mateu 5:12). "Gëzohuni atë ditë dhe kërceni" (Luka 6:23). "Gëzohuni më shumë se emrat tuaj janë shkruar në qiej" (Luka 10:20). Po, gëzimi është i mundur, një gëzim aq real dhe i pasur sa mund t'u drejtohemi miqve dhe fqinjëve e t'u themi: "Gëzohuni bashkë me mua" (Luka 15:6, 9).

Nëse nuk do të ishte mjaft e qartë deri tani, apostulli Pal e thekson edhe më fort këtë gjë në letrat e tij drejtuar kishave. "Të gëzuar në shpresë... Gëzohuni me ata që gëzohen" (Romakëve 12:12, 15). "Së fundi, o vëllezër, gëzohuni" (2 e Korintasve 13:11). "Jini gjithmonë të gëzuar" (1 e Thesalonikasve 5:16). Dhe pastaj kemi dallgën e gëzimit të Filipianëve: "Gëzohuni dhe ngazëllohuni bashkë me mua" (Filipianëve 2:18). "Gëzohuni në Zotin" (Filipianëve 3:1). "Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni" (Filipianëve 4:4). Nuk është se ne tregohemi të pandjeshëm ndaj dhimbjeve të shumëllojshme të jetës në këtë epokë, por në Krishtin ne kemi hyrje në një gëzim të thellë, i cili është i fshehur dhe njëkohësisht më i thellë se trishtimi ynë më i madh - ne jemi "si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar" (2 e Korintasve 6:10).

Një arsye pse Bibla është kaq e paepur kur këmbëngul për gëzimin tonë, është për shkak të mirësisë së Perëndisë. Urdhërorja për gëzimin në ne është bazuar mbi dëftoren e të mirës në të. "Do të gëzoheni... për të mirat që ZOTI, Perëndia yt, të ka dhënë ty" (Ligji i Përtërirë 26:11). Gëzimi në zemrën e krijesës korrespondon me mirësinë në zemrën e Krijuesit. Gëzimi është reagimi i duhur brenda marrësit ndaj mirësisë së Dhuruesit.

Por unë nuk jam i gëzuar

Në urdhërimin e gëzimit disa njerëz dëgjojnë mundësi, kurse të tjerët dëgjojnë probleme. Të dyja këto reagime janë të justifikuara. Ne jemi mëkatarë, frymërisht të vdekur prej natyrës tonë (Efesianëve 2:1-3). Shpesh ne kemi mospërputhje emocionale dhe jemi të pandjeshëm nga ana frymërore. Edhe në Krishtin, ne përjetojmë lëkundjen mes zemrave tona letargjike dhe shpirtit të gjallëruar, dhe pastaj i kthehemi sërish thatësirës.

Ne që e njohim veten, dhe po mësojmë të tregohemi të ndershëm me realitetin, e pranojmë se sa pak vërtet të gëzuar jemi, dhe i lutemi herë pas here Atit tonë: "Kthemë gëzimin e shpëtimit" (Psalmi 51:12).

Për njerëz të tillë kaq të plogësht dhe të vetëdijshëm, të dëgjuarit që gëzimi nuk është fakultativ mund t'u tingëllojë më shumë si dënim sesa si mundësi. Kjo mund të jetë një peshë e re për t'u mbartur mbi supe, të cilët tashmë janë të mbingarkuar.

Por mungesa jonë e gëzimit nuk është fundi i historisë. Ekuacioni ka edhe një pjesë tjetër pafundësisht të fuqishme.

Perëndia është tërësisht i përkushtuar ndaj gëzimit tënd

Është lajm jashtëzakonisht i mirë që vetë Perëndia është tërësisht i përkushtuar ndaj gëzimit tonë të përjetshëm në të, duke pasur parasysh dështimin tonë të pafund. Në fakt, ka një kuptim sipas të cilit ai është aq i përkushtuar ndaj gëzimit tonë në të, sa është edhe ndaj qëllimit të tij përfundimtar në gjithësi: që ai të nderohet dhe të përlëvdohet. Kjo ndodh për shkak se gëzimi ynë është i lidhur me lavdinë e tij. Për ta thënë me fjalët e refrenit poetik të John Piper: Perëndia përlëvdohet më tepër në ty kur ti kënaqesh më tepër në të.

Perëndia është i drejtë dhe për pasojë nuk është indiferent ndaj lavdisë së tij. Lajmi i mirë për ata prej nesh që kapemi pas gjakut dhe drejtësisë së Birit të tij është që ai nuk është indiferent ndaj gëzimit tonë. Ky nuk është "gëzimi" i dobët, i pavlerë dhe bosh që mund të na sjellin thjesht rrethanat e jashtme në një botë të rënë, por gëzimi i fortë, i plotë, i pasur dhe me përmbajtje, i cili është më i thellë dhe më i gjerë se të gjitha situatat pa gëzim në jetë.

Në Krishtin, jo vetëm që Perëndia nuk është më kundër nesh me një zemërim të gjithëpushtetshëm, por tani ai është për nepër gëzimin tonë të thellë dhe të qëndrueshëm—në gjithë dashurinë e tij të gjithëpushtetshme. Premtimi i tij përmes Jeremias merr kuptim për ne në Krishtin: "Do të ndiej gëzim duke u bërë të mirë dhe do t'i mbjell në mënyrë të qëndrueshme në këtë vend me gjithë zemrën time dhe me gjithë shpirtin tim" (Jeremia 32:41).

Gëzimi ynë nuk do të përsoset në këtë jetë; ne gjithmonë do të sforcohemi dhe përleshemi. Do të kemi shqetësimet dhe ankthet tona. Do të kemi ngritje dhe rënie. Megjithatë, edhe këtu kemi shijime. Jo vetëm që gëzimi i pashtershëm po vjen, por edhe tani ne shijojmë ëmbëlsinë e tij, në mënyrë të veçantë në vuajtje. "Të cilin, megjithëse ju nuk e keni parë, e doni, duke besuar në të, megjithëse tani nuk e shihni, dhe ngazëlloheni me hare të patregueshme dhe të lavdishme" (1 e Pjetrit 1:8).

Është lajm i mirë që gëzimi ynë në jetën e krishterë nuk është fakultativ, për shkak se pesha përfundimtare nuk bie mbi shpinën tonë, por mbi supet e gjithëpushtetshme të vetë Perëndisë.

David Mathis është redaktori ekzekutiv për desiringGod.org dhe pastor në "Cities Church" në Minneapolis/St. Paul. Ai është bashkëshort, baba i katër fëmijëve dhe autor i librit Habits of Grace: Enjoying Jesus Through the Spiritual Disciplines.

Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/joy-is-not-optional  
Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

Postime të ngjashme