ankthi

Maj 2021                                                 Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Hidhni tej merakun tuaj

Perëndia na e përsërit vazhdimisht në Shkrim që të mbështetemi tek Ai për ato gjëra të cilat forca dhe zgjuarsia jonë nuk mund t’i arrijnë. Kur jeta dhe fatkeqësitë e saj të mbysin inkurajohu nga këto pasazhe të Shkrimit me komente të përshtatura nga Bibla e Studimit ESV.

Mateu 6:25–34

Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj, për atë që do të hani ose do të pini, as për trupin tuaj, për atë që do të vishni. A nuk është vallë jeta më me vlerë se ushqimi dhe trupi më me vlerë se veshja? Vini re zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në hambare; megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju shumë më tepër sesa ata? Dhe cili nga ju, me gjithë kujdesin e tij, mund t'i shtojë shtatit të tij qoftë edhe një kubit të vetëm? Pse shqetësoheni për veshjen tuaj? Vini re si rriten zambakët e fushës: ata nuk lodhen dhe nuk tjerrin; dhe unë, pra, po ju them se Salomoni vetë, me gjithë lavdinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë nga ata. Tani nëse Perëndia e vesh kështu barin e fushës, që sot është dhe nesër hidhet në furrë, vallë nuk do t'ju veshë shumë më tepër ju, njerëz besimpakë? Mos u shqetësoni, pra duke thënë: "Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?" Sepse janë paganët ata që kërkojnë të gjitha këto gjëra; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t'ju shtohen. Mos u brengosni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet.''

Nëse dikush bën zgjedhjet e duhura (shih Mateu 6:19–24), nuk ka (“prandaj”) arsye për t’u shqetësuar. Jezusi jep dy shembuj a fortiori (“sa më tepër”)—“vini re zogjtë e qiellit” (Mateu 6:26), “vini re zambakët e fushës” (Mateu 6:28)—për të treguar se, meqenëse Perëndia kujdeset edhe për zogjtë e zambakët, sa më tepër do të kujdeset për të vetët. Atëherë, të qenët i shqetësuar, tregon mungesë besimi te Perëndia, i cili premton se do të kujdeset “për të gjitha këto gjëra” (Mateu 6:33; krahaso me Romakëve 8:32). Shih gjithashtu Filipianëve 4:5–6.

Qeniet njerëzore janë më të vlefshme se kafshët (Mateu 10:31; Mateu 12:12), sepse vetëm njerëzit, nga të gjitha krijesat e Perëndisë, janë krijuar “sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë” (Zanafilla 1:27), sepse Perëndia i dha racës njerëzore sundim mbi të gjithë tokën dhe krijesat e saj (Zanafilla 1:28), dhe për arsye se Perëndia e deshi aq shumë njeriun “sa dha Birin e tij të vetëmlindur” që të vdiste për mëkatet tona (Gjoni 3:16).

Bari ishte një burim natyror për zjarrin dhe një metaforë e zakonshme biblike, që nënkupton brishtësinë njerëzore (p.sh., Psalmi 37:2; 102:4). Besimi i pakët nënkupton më shumë mangësi, sesa mungesë besimi (krahaso me Mateu 8:26).

1 e Pjetrit 5:6–7

Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur, dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju.

Në vuajtjet e tyre, populli i Perëndisë duhet të dorëzohet plotësisht tek ai, duke iu nënshtruar udhëzimeve të Tij të mençura për jetët e tyre. “Dora e fuqishme e Perëndisë” sjell në mendje eksodin, ku Zoti e çliroi Izraelin nga Egjipti “me dorë të fuqishme” (p.sh., Eksodi 3:19; 32:11; Ligji i Përtërirë 4:34; 5:15; Danieli 9:15). Në të njëjtën mënyrë ata që vuajnë mund të kenë të njëjtën siguri se ditët e poshtërimit nuk do të zgjasin përgjithmonë. Qoftë më vonë gjatë kësaj jete tokësore apo në ditën e fundit, Perëndia do të lartësojë popullin e Tij në kohën e duhur.

Folja “hidheni” plotëson foljen e fjalisë kryesore “përuluni” nga 1 e Pjetrit 5:6. Shqetësimi është një formë krenarie, sepse nënkupton të marrësh shqetësime mbi veten, në vend që t’ia besosh Perëndisë. Besimtarët mund t’i besojnë Perëndisë sepse, si Ati i tyre, Ai kujdeset për ta.

Mateu 11:28–30

Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t'ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!''.

“Ejani tek unë” është një ftesë për t’i besuar Jezusit personalisht, jo thjesht për t’i besuar disa fakteve historike rreth Tij. “Ju të gjithë të munduar dhe të rënduar” i referohet në kontekstin e afërt atyre që ishin shtypur nga barra e legalizmit fetar, që u ishte imponuar njerëzve nga skribët dhe farisenjtë. Por aplikimi i gjerë është që Jezusi jep “prehje për shpirtrat tuaj” (Mateu 11:29) – që do të thotë, pushim i përjetshëm për të gjithë ata që kërkojnë falje për mëkatet e tyre dh për çlirim nga barra legaliste shtypëse dhe nga faji i të përpjekurit për të fituar shpëtimin nga veprat e mira.

Zgjedha është skeleti i drurit që bashkon dy kafshët (zakonisht qetë), sepse mbajtja e peshave të rënda ishte metaforë për nënshtrimin e një personi ndaj një tjetri dhe një metaforë e zakonshme në judaizëm për ligjin. Interpretimi fariseik i ligjit, me listën e zgjatur të gjërave që ndaloheshin, ishte bërë barrë e rëndë (Mateu 23:4), por nga njerëzit besohej se kishte origjinë hyjnore. Nga ana tjetër zgjedha e Jezusit për dishepujt e Tij, sjell pushim përmes përkushtimit të thjeshtë ndaj Tij (krahaso 1 e Gjonit 5:3).

Psalmi 55:22

Hidh mbi Zotin barrën tënde,
 dhe ai do të të mbajë;
ai nuk do të lejojë kurrë
që i drejti të lëkundet.

Psalmisti i drejtohet secilit prej këngëtarëve të tij (tënde, Psalmi 55:22), dhe pastaj Perëndisë (ti, o Perëndi, Psalmi 55:23). Arsyeja përse njeriu besnik mund të hedhë barrën mbi Zotin, është sepse mund t’i besojmë Atij se do të sjellë gjykim mbi ata që bëjnë të keqen. Psalmi nuk thotë se kur do ta bëjë; njeriu besnik do të presë kohën e mirë të Perëndisë.

“Hidh barrën tënde.” Përkthimi i Biblës në latinisht e përkthen kështu “hidh shqetësimet e tua,” dhe 1 e Pjetrit 5:7 i nxit të krishterët në një besim të ngjashëm përballë përndjekjes: lëkundet.

Filipianëve 4:6–7

Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.

Pali rithekson mësimin e Jezusit te Predikimi në Mal (shih Mateu 6:25–34) që thotë se besimtarët nuk duhet të shqetësohen, por ta besojnë jetën e tyre në duart e Atit qiellor, paqja e të cilit do t’i ruajë në Krishtin Jezus. Fjala që Pali përdor, “ruajë”, mund të reflektojë burgosjen e tij ose statusin e Filipisë si një koloni romake me një ushtri romake që e ruante. Cilido qoftë rasti, nuk janë ushtarët romakë që ruajnë besimtarët–por paqja e Perëndisë së Plotfuqishëm. Për shkak se Perëndia është sovran dhe nën kontroll, të krishterët mund t’ia besojnë Atij të gjitha vështirësitë e tyre, Atij që sundon mbi gjithë krijimin dhe që është i mençur e i dashur në tërë rrugët e Tij (Romakëve 8:31–39). Një qëndrim falënderues ndikon drejtpërdrejt në këtë paqe të brendshme.

Psalmi 23:4

Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër.

Hija e vdekjes mund të jetë ajo që sjell vdekja, ose, siç përshkruhet te shënimet e ESV-së “errësirë e thellë”. Ndoshta ideja është se në një luginë në shkretëtirë (wadi) në Judë mund të gjenden hije të thella, dhe askush nuk mund të dijë me siguri se cilët (banditë) apo çfarë (kafshë, përmbytje) mund t’u afrohet; edhe në këto periudha pritjeje dhe rreziku, njeriu besnik gjen siguri se Perëndia është me të, prandaj nuk ka nevojë të ketë frikë.

Fjalët e Urta 3:5–8

Ki besim te Zoti me gjithë zemër
dhe mos u mbështet në gjykimin tënd;
 pranoje në të gjitha rrugët e tua,
 dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.
Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu,
ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja;
kjo do të jetë shërim për nervat e tua
dhe freskim për kockat e tua.

Është e nevojshme të kesh besim te Zoti për përmbushjen e secilës prej mënyrave të mençura të jetës që mësohen te Fjalët e Urta; të besosh në Zotin lidhet ngushtë me të pasurit “frikën” e Tij (krahaso me Fjalët e Urta 3:1–7; Fjalët e Urta 2:5; Fjalët e Urta 9:10; Fjalët e Urta 15:33; Fjalët e Urta 19:23; etj.) “Me gjithë zemër” tregon se besimi shkon përtej aprovimeve intelektuale drejt një varësie ndaj Zotit, një siguri e vendosur në kujdesin e Tij dhe në besnikërinë e Fjalës së Tij. “Mos u mbështet në gjykimin tënd” shpjegon besimin në Zotin. “Gjykimi” te Fjalët e Urta është perceptimi që ka dikush për mënyrën e drejtë të të vepruarit. I mençuri do të qeverisë veten përmes asaj që vetë Zoti deklaron dhe nuk do të vendosë gjykimin e tij të limituar dhe shpesh të gabuar kundër atij të Zotit.

Të drejtosh shtigjet e dikujt do të thotë të bësh një rrugë për atë person që vazhdimisht shkon drejt një qëllimi. Te Fjalët e Urta, theksi është te cilësia morale e shtegut të njeriut (këtu, “drejtësi” morale).

Luka 12:22–26

Pastaj u tha dishepujve të vet: ''Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. Jeta vlen më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja. Vini re korbat! Ata nuk mbjellin e nuk korrin, nuk kanë as qilar as hambar, e megjithatë Perëndia i ushqen; mirë, pra, ju vleni shumë më tepër se zogjtë. Dhe cili nga ju me shqetësimin e tij mund ta zgjatë shtatin e vet qoftë edhe një kubit? Atëherë, kur nuk jeni në gjendje të bëni as atë që është më e pakta, përse shqetësoheni për të tjerat?

Arsyeja e parë përse besimtarët nuk duhet të shqetësohen jepet te Luka 12:23 (sepse jeta vlen më shumë se…); e dyta te Luka 12:24 (ju vleni shumë më tepër; krahaso me shënimin te Mateu 6:26); dhe e treta te Luka 12:25 (sepse askush nuk ka aq kontroll mbi jetën e vet sa ta zgjatë shtatin e vet qoftë edhe një kubit). Jeta (ose “shpirti”; greqisht psyche) dhe trupi i referohen personit të plotë. (Në lidhje me “të zgjatë shtatin e vet qoftë edhe një kubit,” shih shënimet e ESV; “kubit” fjalë për fjalë është “orë” [greqisht pechys], dhe shumë komentues e marrin si metaforë për shtimin e një njësie matëse standard në jetën e një njeriu.)

Jeremia 17:7–8

Lum ai njeri që beson te Zoti
dhe besimi i të cilit është Zoti!
Ai do të jetë si një pemë e mbjellë pranë ujit,
që i shtrin rrënjët e tij gjatë lumit.
Nuk do ta ndiejë kur vjen vapa
dhe gjethet e tij do të mbeten të gjelbra;
në vitin e thatësirës nuk do të ketë asnjë shqetësim
dhe do të vazhdojë të mbajë fryte.

Plot me përfitimet e përcaktuara nga Perëndia. Vetëm besimi në Perëndinë motivon bindjen e plotë në kohë krize. Një pemë e mbjellë pranë ujit ka burim të sigurtë, pavarësisht se ç’ndodh. Një kontrast i përsosur për “brukë në shkretëtirë” (Jeremia 17:6; krahaso me Psalmi 1:3).

Isaia 41:10

Mos ki frikë, sepse unë jam me ty,
mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt.
 Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj
dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.

Këtu, fjala “ty” i referohet popullit si një i tërë (i quajtur “Jakob” tek Isaia 41:8). Ndryshe nga kombet e tmerruara tek Isaia 41:5, populli i Perëndisë gjen në Të arsye për të mos pasur frikë (krahaso me Isaia 41:13–14). Ndryshe nga zotët e popujve të tjerë, që duhet të marrin forcë dhe siguri (Isaia 41:7), Perëndia i Izraelit i jep siguri popullit të Tij.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-leadership/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
>