Mirë se erdhe në këtë eksplorim të mrekullueshëm të Perëndisë, jetës dhe besimit! Në këtë udhëtim, do të ecësh përkrah një burri, i cili kishte shumë pyetje dhe dyshime në zemrën e tij. Ai quhet Nikodem. Nikodemi pati mundësinë t’i bënte Perëndisë pyetjet që kishte dhe t’i shprehte dyshimet e tij. Ai mund të ketë pasur ndonjë pyetje të njëjtë me të tuat në lidhje me besimin dhe Perëndinë.

Këtë studim e kemi titulluar Lindja e dytë, sepse Jezusi na e paraqiti këtë të vërtetë në pasazhin biblik te kapitulli i tretë i Gjonit, pasazh të cilin do ta shikosh të shtjelluar në faqet e mëposhtme. Kuptohet që çdo person që ecën mbi tokë, ka pasur një “lindje të parë”- përndryshe nuk do të ecnin në këtë tokë. Gjithsesi, Perëndia thotë se të gjithë njerëzit kanë nevojë për lindjen e dytë, gjë që mund ta ofrojë vetëm Ai. Kjo është një lindje shpirtërore në besim, të zgjohesh dhe të bëhesh i gjallë për Perëndinë.

Kjo ishte përleshja e Nikodemit. Zemra e tij ishte e bllokuar dhe e mbyllur ndaj Perëndisë, sepse ai mendonte se ishte në rregull me besimin e tij. Tekefundit, ai kishte lindur në vendin e duhur, ishte inteligjent, një njeri fetar dhe i moralshëm. Nikodemi nuk kishte vrarë njeri, nuk kishte grabitur as banka, nuk kishte vrarë ndonjë kafshë, madje, ndoshta i riciklonte edhe gjërat që përdorte. Pavarësisht të gjithave, pasi kishte bërë një jetë kaq të mirë dhe të ndershme, pse kishte stres, frikë dhe shqetësim në zemrën e tij?

Pse nuk kishte ai një lidhje të drejtpërdrejtë me Perëndinë, edhe pse mendonte se dinte aq shumë për Të? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do t’i eksplorojmë në faqet e mëposhtme, teksa qëndrojmë përkrah Nikodemit dhe dëgjojmë bisedën e tij. Ndërsa lexon dhe reflekton përgjatë këtij episodi, dije se nuk ishte një bisedë private “që doli fshehurazi në media”. Jo, por për shkak se është në Bibël, është një bisedë shembull, e shkruar që të përfshihesh edhe ti - që ta përjetosh edhe ti. Ishte një bisedë për Nikodemin, por jo vetëm për të; ishte edhe për ty.

Për të përfituar sa më shumë nga ky studim, e kemi ndërtuar në atë mënyrë që të funksionojë më mirë me një ose dy miq që e përshkojnë këtë rrugëtim bashkë me ty. Pyetjet kërkojnë si reflektim, edhe ndërveprim. Pyetjet vlejnë për të çelur biseda për besimin me miqtë e tu! Me shumë gjasa do të përfitosh dhe do të befasohesh edhe nga mendimet e tyre përgjatë këtij rrugëtimi. Ndaj, të lutem, mos e bëj këtë udhëtim i vetëm!

Në fund, duam të dëgjojmë edhe mendimin tënd. Do të na pëlqente të dinim nëse “drita u ndez”, apo diçka “mori plotësisht kuptim”, për herë të parë pas pështjellimit që të jepte më herët. Ose ndoshta zbuluat diçka për Jezusin që ju ka ndryshuar jetën, ose doni të bëni pyetje të mëtejshme. Ju mund të vizitoni faqen tonë në internet duke skanuar kodin e mëposhtëm ose www.dritez.al/libra, për të na treguar se si të ndihmoi ky studim. Aty mund të shikosh si të tjerët kanë udhëtuar së bashku dhe çfarë kanë zbuluar ata për Jezusin.

Jemi shumë të ngazëllyer që do ta ndajmë këtë studim me ty dhe do ta bëjmë rrugëtimin bashkë. Rrugëtim të këndshëm!

www.dritez.al/libra

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>