Gjoni 3:18-21

18 Ai që beson në të, nuk gjykohet, por ai që nuk beson, tashmë është gjykuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.
19 Dhe gjyqi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errë sirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta.
20 Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij;
21 por kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të zbulohen, se janë bërë në Perëndinë.”
Le ta nisim këtë mësim të fundit me një pyetje! 


Sipas Jezusit, në vargun 18, cila është arsyeja kryesore që dikush mund të vijë ose nuk mund të vijë te Perëndia? 

Krahasuar me mësimin pararendës, ku pamë vargjet 16-17 dhe dashurinë e Perëndisë për të gjithë botën, Jezusi vjen te secili prej nesh. E vure re se si na flet Jezusi gjithsecilit në mënyrë individuale?

Dyshimet—kundrejt—mosbesimit
Të lutem, kuptoje që Jezusi nuk po flet për dyshimet tona.
Ndonjëherë, dyshimet shfaqen papritur dhe na kapin në befasi. Është më se njerëzore të kesh dyshime, sepse të gjithë ne kemi kufizimet tona. Ne kemi dobësi në fusha të caktuara në jetë, kështu që kemi dyshime edhe kur jemi të fortë. Ne nuk e dimë të ardhmen, ndaj ndiejmë ankth dhe kemi dyshime për gjërat që do të ndodhin. Ne nuk i kemi përgjigjet për të gjitha pyetjet, sado kërkime të bëjmë në ‘Google’. Ne jemi njerëz kureshtarë, kemi shumë pyetje, por Perëndia na do dhe Ai na ka dhënë Biblën për t’iu përgjigjur pyetjeve më të rëndësishme, madje, edhe dyshimeve tona më të thella. Pastori Timothy Keller po jepte mësime mbi dyshimet para shumë vitesh dhe tha diçka të ngjashme: “...dyshimet janë shenja për ne. Ato të tregojnë ku duhet të rritesh dhe ku duhet të kesh më shumë besim. Mënyra për të pasur besim është të kesh dyshime te dyshimet e tua.”

Mendoje dyshimin sikur ke arritur në një semafor të kuq në rrugë, ndërsa je duke ngarë makinën. Kur arrijmë te semafori i kuq, ndalojmë në vend, por nuk qëndrojmë atje përgjithmonë. Nuk fillojmë të ndërtojmë një shtëpi të re dhe të mbjellim lule te semafori i kuq, sepse e dimë që  nuk do të qëndrojmë atje përgjithmonë. Sa herë që hasim në një dyshim që na pengon në udhëtimin tonë, duhet të shikojmë Ungjillin dhe të mësojmë më shumë për të. Ungjilli do të ndezë semaforin jeshil, do të na nxisë të rritemi në besim dhe do ta fikë semaforin e kuq të dyshimit në jetën tonë. Problemi i vërtetë është nëse vazhdon të besosh dyshimet e tua më shumë se mesazhin dhe thirrjen e Jezusit për ty. Nëse fushon në Tokëdyshim, atëherë ti je një skeptik i përjetshëm ose, ashtu si thotë Jezusi në këtë varg, ai që nuk beson. Jezusi po flet për një person, i cili mbetet vazhdimisht në mosbesimin e tij. Pavarësisht fjalëve të Jezusit, ky njeri gjithmonë ka një përgjigje skeptike apo mohuese. Në fillim të kapitullit, Nikodemi ishte skeptik, dyshues, madje, edhe pak sarkastik, por ndërsa e dëgjonte dhe e shikonte Jezusin, Nikodemi nuk pati më dyshime dhe filloi të besonte. E njëjta gjë mund të vlejë edhe për ty. Cilat fjalë do të besosh, fjalët e Jezusit apo të tuat?

Le të përpiqemi ta ilustrojmë në këtë mënyrë. Imagjino të shkosh në një restorant elegant, me ushqim elegant, me mbulesa të mrekullueshme tavolinash dhe kamerier me theks aq të rëndë, sa nuk arrin të kuptosh as gjysmën e fjalëve që të thotë. Imagjino një kritik ushqimi nga një shfaqje e një televizioni kombëtar, që futet në restorant dhe ulet te tavolina ngjitur me ty. Shefi i kuzhinës ka përgatitur pjatën e tij më të mirë dhe e dërgon te tavolina e kritikut të ushqimit si një vepër arti modern.

Megjithatë, kur vjen pjata, kritiku i ushqimit në mënyrë arrogante ngre duart lart dhe ankohet me zë të lartë: “Çfarë është kjo? Vetëm kaq mish do të ha? Pse është kaq i vogël racioni? Kjo është qesharake! Do të iki te restoranti me bufenë ha-sa-të-mundesh!

Reagimi ynë i parë mund të ishte tronditje e madhe. Kritiku i ushqimit duhet ta dijë që ky është ushqim elegant. Nuk ka rëndësi përmasa e racionit! Reagimi ynë i dytë duhet të jetë pështirosje me arrogancën e kritikut të ushqimit. Ai po largohet të shkruajë një kritikë të keqe, por ka një problem—ai nuk e provoi kurrë ushqimin. Si mund të thotë gjëra të këqija për kuzhinierin, stafin dhe atmosferën e restorantit, nëse nuk e ka provuar kurrë ushqimin?

Kështu vepron edhe mosbesimi në zemrat tona. Ne hyjmë në botën e mirë të Perëndisë si kritikë. Shpesh ne e fajësojmë Atë për çdo gjë që shkon keq në jetët tona dhe i marrim vetë meritat kur gjërat shkojnë mirë. Megjithatë, kur Perëndia Kuzhinier na dërgon ushqimin e Tij më të mirë dhe të vetmin për shpirtrat tanë, ne e gjykojmë Perëndinë pa e marrë atë që Ai ka për të na ofruar. Atij njeriu, Jezusi i thotë: “Nuk mund ta gjykosh kuzhinierin! Ti do të gjykohesh që nuk pranove pjatën unike për gjithë këtë botë!”

A ka më shumë kuptim tani vargu 18, pasi i ke lexuar këto?
A është zëri i Jezusit më i fortë se dyshimet në jetën tënde?

A e mban mend këtë ilustrim nga mësimi i parë që studiuam?
Gjoni donte që ne ta dinim se ishte errësirë si jashtë, edhe brenda zemrës së Nikodemit. Shikoje pak si po e përfundon Jezusi mësimin e tij. Ai po e përdor idenë e errësirës dhe dritës edhe një herë tjetër. Pas disa orësh, nga biseda me Nikodemin, do të agonte  një ditë e re dhe drita do ta mbushte botën. Jezusi po na thotë se Ai është drita që Perëndia ka dërguar në botë. Ai është Dielli dhe Biri. Deri në këtë pikë, Nikodemi po fshihej. Shumë njerëz fshihen kur nuk duan ta shikojnë dritën. Ata qëndrojnë në shtëpi, nëpër shtretërit e tyre, e mbulojnë kokën me jastëk. Pse? “Se veprat e tyre ishin të mbrapshta.” Jezusi thotë se ne zgjedhim errësirën në vend të dritës dhe kjo shfaqet në mënyrën si jetojmë. Ne kemi nevojë për Atë—në ne. Jeta e jetuar për veten tonë, nuk do të prodhojë asnjë vepër që tregon dashuri ndaj Perëndisë. Përkundrazi, një jetë ku duam veten, do të prodhojë vetëm vepra kundër Perëndisë—vepra që tregojnë dashurinë tonë për errësirën, jo për dritën. Ne nuk dua të na shikojnë. Ne duam të fshihemi, ashtu si po fshihej Nikodemi, “natën”, që askush të mos shikonte atë apo zemrën e tij. Zemra jonë e errët na dënon, sepse nuk do që të ekspozohet nga Jezusi. Gjithsesi, nuk është ky fundi i historisë. Jezusi e përfundon tablonë në vargun 21. Në atë kohë, ishte më e zakontë që një njeri të thoshte se duhet “ta jetosh të vërtetën” në vend që “ta tregosh të vërtetën”, sepse të jetuarit e së vërtetës e përfshin edhe të treguarin e së vërtetës. Kjo është shprehja që përdor Jezusi. Jezusi thotë diçka të ngjashme: “Kushdo që lind nga Fryma (ashtu si foshnjat lindin në tokë), pastrohet në zemrën e tij (ashtu si uji pastron dheun), merr mesazhin Tim nga Fryma e Shenjtë (që vjen si era) dhe më shikon Mua si zgjidhje të mëkatit të tij (njëlloj si në shkretëtirë me Moisiun), do të ketë dritën Time në të dhe do të bëjë të vërtetën. Ata njerëz nuk më kanë frikë dhe nuk u vjen turp që veprat e tyre zbulohen nga Unë, sepse janë vepra të mira. Ata nuk fshihen më në errësirë, as pas maskave fetare. Jo, veprat e tyre dhe drita Ime janë si magnete—gjithmonë bëhen bashkë, se ne jemi familja e Perëndisë.

A njeh njerëz që janë të krishterë të vërtetë dhe e kanë dritën e Perëndisë në ta?
Çfarë kanë ndryshe ata dhe si e jetojnë të vërtetën?

Në fund të historisë, nuk dëgjojmë më gjë për Nikon. Nuk e dimë si u përgjigj apo sa kohë qëndroi atje, as se si u ndje kur u largua nga shtëpia vonë atë natë. Duket sikur ai avulloi në natë. Atëherë, kujt po i flet Jezusi?

Ai po na flet neve dhe kujtdo tjetër që ka hyrë në këtë histori si ne. Kjo histori është shkruar në atë mënyrë që të fton të qëndrosh në vendin ku qëndroi Nikodemi dhe “ta dëgjosh” Jezusin ndërsa të flet ty drejtpërdrejt. A mund ta imaginosh veten tek qëndron përpara Jezusit?

Jo vetëm Nikodemi kishte një vendim për të marrë atëherë, por edhe ti ke për të marrë një vendim sot.

A ke ndonjë pyetje apo problem të fundit që të pengon të kthehesh te Jezusi? A ke ndonjë gjë që sipas teje ka nevojë për më shumë shpjegim? Apo ke vendosur t’ia dorëzosh jetën Jezusit dhe ta ndjekësh Atë?

Ndërsa e përfundojmë këtë kurs të veçantë, shpresojmë që ke mësuar shumë gjëra për Jezusin. Më e rëndësishmja, shpresojmë që e ke konsideruar Atë thellë brenda jetës tënde, fjalët që Ai po të thotë, gjërat që Ai po të ofron.

Gjithashtu, Nikodemi shfaqet edhe dy herë në ungjillin sipas Gjonit. Në kapitullin 7 e gjejmë duke mbrojtur Jezusin dhe të drejtën e Tij për një gjyq të drejtë. Nikodemin e akuzojnë për bashkëpunim me Jezusin dhe për faktin që është nga vendlindja e Tij në veri të Izraelit. Ai duhet të ketë qenë i vetmi i gatshëm për ta mbrojtur Jezusin në gjyqin e tyre të lartë—në mes të ditës—se besimi i tij ishte rritur.

Për herë të fundit, Niko përmendet në kapitullin 19, vargjet 38-42. Është te kryqëzimi i Jezusit, ku ai e zbret Jezusin nga kryqi dhe ia vajos trupin e pajetë me shumë vajëra të kushtueshme dhe e vendos në varrin e mikut të tij, Jozefit. Jezusi ishte një i ri, i vrarë padrejtësisht dhe Nikodemi ishte një burrë i moshuar, i cili vepron si një atë i dashur, i cili sapo ka humbur të birin.

Është magjepsëse që Gjoni e përfshin Nikodemin atje në skenën e kryqëzimit, për të paktën tri arsye. Arsyeja e parë është për shkak të sasisë së parfumeve të shtrenjtë  dhe vajrave të kushtueshëm që ai solli për ta vajosur trupin  e Jezusit për varrim. Koha ishte shumë e shkurtër. Nikodemi nuk mund ta kishte dëshmuar vdekjen e Jezusit, të kishte koordinuar varrimin me Jozefin dhe të kishte bërë pazarin për vajrat. Tregu po mbyllej, se po niste shabati. Nikodemi solli  shumë  vajra  dhe  parfume  sa  të  kishte  mjaftueshëm për një mbret, jo për një zdrukthtar. Ndoshta të kujtohet që ushtarët vunë një tabelë në kryqin e Jezusit, ku shkruhej: “Mbreti i judenjve”. Nikodemi po e varroste si mbret. Ku do ta gjente një burrë i moshuar një sasi aq të madhe vajrash të kushtueshëm në një  periudhë  aq  të  shkurtër  kohore— nëse nuk i kishte të vetat dhe do të përdoreshin në nderim të varrimit të tij?

Nëpërmjet këtij gjesti të bukur të përgatitjes së trupit të Jezusit me thesaret e veta, mos vallë Nikodemi i urtë, i moshuar po thoshte: “Kështu vdiq Jezusi në vendin tim— për mua”?

Arsyeja e dytë magjepsëse është që Nikodemi ishte një mësues fetar, i cili po prekte një trup të vdekur. Prekja e trupit të vdekur do ta kishte bërë Nikodemin të ndotur dhe të papastër. Trupat e njerëzve që kryqëzoheshin nga romakët, liheshin në kryq që t’i hanin kafshët dhe zogjtë. Pastaj, çka mbetej nga trupat hidheshin mbi pirgjet e mbeturinave që digjeshin jashtë qytetit. Nuk i prekte njeri me dorë. Ah, por ky trup ishte ndryshe! Nikodemi nuk kishte frikë ta prekte dhe ai nuk u ndot, as u bë i papastër kur e preku. Arsyeja është se ky trup nuk kishte mëkatuar kurrë. Ai ishte kufoma e vetme që mund të prekje, sepse Jezusi ishte i përsosur, i shenjtë dhe i pamëkatë.

Dhe arsyeja e tretë magjepsëse është se kjo na tregon që Nikodemi e pa Jezusin “të ngritur lart” si vrasësi i gjarprit dhe si falësi i mëkatit. Ai ishte pikërisht atje! Ai shkoi ta takonte Jezusin sërish, jo në mes të natës, por në orën më të errët për të gjithë botën. Kjo nënkupton se Nikodemi “pa dhe jetoi”—ashtu si premtoi Jezusi. Nga e dimë ne?

Se asnjë drejtues i judenjve nuk do ta merrte kufomën e një krimineli të dënuar nga Roma dhe ta varroste me një përkujdesje dhe adhurim të tillë—nëse nuk do të ishte trupi i Shpëtimtarit të tij nga qielli.

Arrin ta përfytyrosh ndjesinë e aromës së mirë të Jezusit, kur doli nga varri mëngjesin e së dielës së ringjalljes së Tij? Çdo gjë ishte e përsosur për Mbretin e ri. Faleminderit, vëlla Niko, që u përkujdese për Shpëtimtarin tonë, ashtu siç u kujdese vërtet, në emrin tonë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>